Libër i ri “Kombi shqiptar dhe fati i tij”, autor Gjon Keka

Libra

Libër i ri “Kombi shqiptar dhe fati i tij”, autor Gjon Keka

Nga: Gjon Keka Më: 26 janar 2022 Në ora: 15:46
Kopertina e librit

Historia tregon se çfarë është një komb, si e ka nxjerrë në dritën e kohëve identitetin e tij, dhe a e ka ruajtur ai komb apo popull nderin, lirinë dhe të vërtetën e tij. Dhe, siç do të thoshte Schiller: “Kombi është i pavlerë, nëse nuk e jep gjithçka për nderin e tij!”. Por një gjë e tillë nuk mund t’i japë vetes nder më të madh sesa kur i mban dhe i respekton bijtë e bijat më fisnikë të gjakut dhe shpirtit iliro-arbëror, të cilët qëndrojnë përgjithmonë aty si dekor e stoli i atdheut para botës, si një këshillë sublime. Këta janë shembulli i madh dhe i përsosur i brezave të kombit.

Për të gjitha këto vlera të pashembullta të kombit tim, edhe në këtë libër i kam kushtuar vëmendje e rëndësi figurës së pavdekshme të mbretit tonë arbëror Gjergj Kastrioti, i cili e ka vulosur identitetin tonë si një komb europian, me bëmat e tij na ka lënë themelet e shtetit, si dhe na ka dhënë flamurin si simbol të fitores, sakrificës e lirisë.

Edhe në këtë libër studimor, unë e shikoj dhe e analizoj botën e brendshme të Gjergj Kastriotit në shumë dimensione, përqendruar më së shumti te vepra e tij e paçmuar ndaj atdheut, si dhe jetën dhe vizionin e strategjisë së tij. Këtu qëndron thellësia e hyrjes në botën e këtij personaliteti mbikohor dhe të papërsëritshëm të historisë së kombit tonë. Me shekuj është folur, rrëfyer e janë shkruar vepra të tëra për këtë figurë emblemë të kombit shqiptar, duke e trajtuar atë në tërësi nga këndvështrime të ndryshme. Ka ndodhur që gjatë trajtimit të kësaj figure monumentale nuk i është hyrë në thellësi epokës kur ai jetoi, aq më tepër botës së tij të brendshme, si një shembulli i pavdekshëm i një udhëheqësi, mbreti, komandanti, diplomati, heroi, strategu e, mbi të gjitha i të qenit njeri, në kuptimin e plotë të fjalës.

Ndërsa figura të fuqishme të nderit të kombit tonë, si Marin Barleti, Pal Engjëlli, Frang Bardhi, e më pas edhe rilindës si Naim Frashëri e shumë të tjerë deri në ditët e sotme, i kanë analizuar në detaje epokën dhe bëmat e tij, botën e brendshme morale, jetën dhe veprën, e mbi të gjitha vizionin e strategjisë së tij. Për të gjithë këta studiues legjendarë, Gjergj Kastrioti ishte mishërim i të mirës morale, asaj kombëtare të shtetit të Arbërit, por edhe si një shembull i edukimit të brezave në frymën e lirisë dhe të atdhedashurisë.

Një pjesë tjetër e këtij botimi iu është kushtuar shqiptarëve, si pasardhës të pellazgo-ilirëve, bazuar në dokumente historike edhe të autorëve europianë që janë marrë me historinë e prejardhjes së shqiptarëve dhe gjuhës së tyre. Gjithashtu, në fund të librit mund të gjenden edhe dokumente mbështetëse të nxjerra nga bibliotekat dhe arkivat e ndryshme e që shërbejnë për ta përforcuar më shumë gjithçka që është trajtuar në këtë libër. Nuk është lënë pa përmendur edhe Kongresi i Berlinit, por edhe ato të Konferencës së Londrës dhe Parisit. Nuk mund të lë pa nënvizuar gjithashtu edhe kontributin e Austro-Hungarisë dhe Italisë në formimin e shtetit shqiptar, si dhe mbrojtjen e Shqipërisë prej tyre në qarqet ndërkombëtare, aty ku rrezikohej integriteti territorial i shtetit shqiptar. Në vazhdim trajtohet rrugëtimi i kombit, pasojat e ndarjes apo të copëtimit të trojeve të vendit, haxhiqamilizmi, ballabanizmi dhe fati i kombit tonë. Njëherësh përmendet edhe udha e dritës së kombit tonë, rruga që ai duhet të ndjekë, si një komb i lashtë me Gjergj Kastriotin në ballë. Ndaj, kurdoherë që të rikthehet në familjen europiane, ky komb do ta zinte vendin e vet të merituar e që i takon me shumë të drejtë.

Libri botohet në kuadër të SHB “Lena Grafik” ,Prishtinë. Autori falënderon shtëpinë botuese Lena Grafik për punën e mirë në realizimin e këtij botimi.Poashtu,autori falënderon edhe sponzorin: z.Krist Kqira - mërgimtar e patriot i devotshëm.Pronar i firmës: Robert Bedachungen GmbH Villmergen, Schweiz(Zvicër),i cili e mbështeti botimin e këtij libri.

Libri i ri nga e Hëna (javën tjetër) mund të gjendet në:

Libraria Artini-Toena - Prishtinë

Libraria Dukagjini - Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat