Vlerësime/Analizë e librit të autorit Dr. Bujar Deskaj, i botuar në Sofje

Libra

Vlerësime/Analizë e librit të autorit Dr. Bujar Deskaj, i botuar në Sofje

Nga: Prof. MA. Isa Osmanaj Më: 28 janar 2022 Në ora: 18:32
Kopertina e librit

Libri “Negociatat Kosovë – Serbi, Objektivat e Ndryshme të Palëve dhe Ndërmjetësimi Kompleks” –(në origjinal; Kosovo – Serbia Negotiations, Different Objectives of Parties and Complex Mediation) i autorit Dr. Bujar Deskaj, i botuar në Sofje-Bullgari (2021) është produkt i një teze kërkimore në fushën e Negociatave Ndërkombëtare, me fokus të veçantë në politikat dhe praktikat e negociatave nga  qasja teorike multidisiplinare e përqendruar në praktiken e negociatave politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse negociatat kanë qenë në qendër të vemendjes jo vetëm nga opinioni i dy vendëve të përfshira në proces, apo dimensioni rajonal, por madje edhe me implikim te faktoreve me një shtrirje globale,  megjithatë ka një mungesë trajtimi në literaturën akademike për këtë segment, prandaj, ky studim synon të kontribuojë në mungesën e provave empirike dhe literaturës akademike mbi politikat dhe praktikat e Negociatave Politike me fokus kryesor marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nga njohësit e marrëdhenieve Ndërkombetare, respektivisht Negociatave dhe Zgjidhjes se Konflikteve libri i autorit Deskaj është vlerësuar tejet i  dobishëm për të kontribuar në adresimin e  drejt të  çështjeve, orientuar potencialin në dimensionin e duhur dhe për të evituar lëshimet në proceset e ardhshme politike në negociatat ndërkombëtare dhe menaxhimin e konflikteve.

Editorja e këtij libri, Prof. Dr Tatyana Dronzina, e cila njëheresh ka qenë edhe mbikqyersja  profesionale e Doktoraturës se Deskajt, duke bërë një përskrim për librin, vlerëson se lexuesi ka  në duar një nga shumë libra për Kosovën, por në të njëjtën kohë një liber unik.

“Unik, sepse është shkruar nga një studiues, i cili pa asnjë dyshim është i njohur me procesin e negociatave dhe dialogun politik; i cili është në gjendje të analizojë në mënyrë të paanshme ngjarjet, dukuritë dhe shkaqet; mendja e të cilit identifikon variante, skenarë dhe perspektiva. Në të njëjtën kohë, në këtë liber, ndjejmë pulsin e zemrës së një të riu, që dëshiron të jetoi  në paqe; të një personi që dëshiron më të mirën për komunitetin, aspiron bashkeekzistencen dhe progresin për vendin e tij, Kosovën.  

Sipas profesoreshes Dronzina, së bashku me burime analitike dhe burime të tjera, përgjatë hulumtimit të tij, autori ka komunikuar e realizuar biseda e intervista personale me  ekspertë, studiues dhe akterë të përfshirë direkt ne këtë proces, mendimet e vlefshme të të cilëve kontribuojnë në përgjigjen ndaj shumë pyetje të ngritura në këtë studim. Sipas profesoreshes Dronzina, morali,mesazhi dhe patosi i këtij libri duhet kuptuar si vijon: “Mos lejoni që procesi i paqes në Kosovë të bëhet peng i interesave dhe nevojave, të ndryshme nga interesat dhe nevojat që kanë  njerëzit e saj. Kjo është ndoshta e vetmja garanci që do ta bëjnë Kosoven dhe qytetarët e saj të mos jenë pjesë e problemeve që lidhen me sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, por pjesë e zgjidhjes së tyre”.

Ndërkaq, Prof.Dr. Mark Kramer, Profesor në Universitetin e Harvardit, duke analizuar librin “Negociatat Kosovë – Serbi, Objektivat e Ndryshme të Palëve dhe Ndërmjetësimi Kompleks” vlerëson se autori Dr. Bujar Deskaj ofron një pasqyrë të hollësishme të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe OKB-ja dhe në të njëjtën kohë një kornizë teorike për analizimin e negociatave, respektivisht nëse negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë arritën ndonjë përparim gjatë kësaj periudhe.

Sipas profesorit të universitetit prestigjioz, pasqyra e dhenë nga Deskaj përmes këtij libri,  për ndërveprimet e kaluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ofrojë udhëzime të vlefshme për bisedimet e ardhshme në mes dy vendeve dhe është veçanërisht i vlefshëm për të sugjeruar se si palët e jashtme në të ardhmen mund të lehtësojnë rezultate konstruktive.

Edhe njohësi i zhvillimeve politike rajonale, Dr. Anton Pançev, profesor në Universitetin e Sofjes duke përshkruar studimin dhe librin e Deskajt, vlerëson se monografia shqyrton diversitetin strukturor, manifestimet dhe specifikat e negociatave Kosovë-Serbi. Sipas tij, nder të tjera libri, gjithashtu hedh dritë mbi rëndësinë kryesore strategjike të rajonit për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  “Ky libër përmban disa rekomandime të vlefshme për të ardhmen e dialogut. Bisedimet Kosovë-Serbi duhet t’i vendosin të dyja palët në pozita të barabarta dhe nuk duhet të fokusohen në kompensimin e Beogradit për ‘humbjen’ e Kosovës. Sipas profesor Panchev, faktorët ndërkombëtarë duhet ta nxisin qeverinë e Serbisë që të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën fqinje të Kosovës, për të siguruar një paqe të qëndrueshme përmes dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi. Sipas tij, ky studim është shumë i rëndësishëm për politikanët dhe ekspertët bullgarë, sepse Bullgaria dhe Kosova kanë synime dhe interesa të përbashkëta për të zgjidhur plagët e vjetra të rajonit.

Poashtu edhe në prizmin e njohesit të Negociatave Nderkombetare,  Dr. Valon Murtezaj, Profesor, IÉSEG School of Management, autori një diplomat me përvojë dhe studiues – nxjerr në dritë aspekte të rëndësishme të njohurive dhe përvojës së negociatave ndërkombëtare dhe zgjidhjes së konflikteve. Sipas tij ky kontribut është qartë rezultat i një pune të thelluar kërkimore mbi politikat dhe praktikat e negociatave. Profesor Murtezaj vlerëson se ky kontribut intelektual përmban informacione të reja dhe domethënëse dhe identifikon qartë implikimet për punën e ardhshme kërkimore dhe praktikat që ndikojnë në shoqëritë tona evropiane. “Në një dimension më të  përgjithësuar, ky studim do të shërbejë si shkas për debat konstruktiv, në mënyrë që shkencëtarët dhe politikanët të jenë në gjendje të gjejnë dhe gjenerojnë zgjidhje që do t’i bëjnë njerëzit dhe vendet dhe shoqeritë të jetojnë në paqe prosperitet”.

Përndryshe, libri “Negociatat Kosovë – Serbi, Objektivat e Ndryshme të Palëve dhe Ndërmjetësimi Kompleks”  është libri i 3-të i autorit Dr.Bujar S. Deskaj, i cili poashtu ka hulumtuar e trajtuar gjerësisht çështjet e Pavarësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës se Kosovës. Nder të tjera  Deskaj është autor i librit: Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga GJND (2013 ) dhe editor/autor i librit: “Kosovo’s Independence in Compliance with the International law” (2018). Duhet theksuar faktin që të tre libart tanime janë  pjesë e bibliotekave më prestigjioze botërore: The Library of Congress, Columbia University Library, Cornell University Library, Bayerische Staatsbibliothek, National Library of Australia, International Research Center for Japanese Studies, National Library of Bulgaria, Library of University College London, Peace Palace Library, Library of Oregon University.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat