Dhurojini fëmijës tuaj një libër, ne ju themi cilin

Libra

Dhurojini fëmijës tuaj një libër, ne ju themi cilin

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 00:40
Kopertina e librit

“Përtej botës sime” e mban emrin libri më i ri i sjellë në shqip nga “Pegi”. Ky roman është New York Times bestseller dhe fitues i çmimit “Josette Frank” që jepet për librat me vlera letrare pozitive, në të cilët fëmijët apo të rinjtë përballen në mënyrë pozitive dhe realiste me vështirësitë e botës së tyre dhe rriten emocionalisht dhe moralisht.

Në qendër të historisë së këtij libri është Melodia, një vajzë 11-vjeçare, krejt ndryshe nga pjesa më e madhe e njerëzve. Ajo s’mund të ecë, s’mund të flasë, s’mund të shkruajë, për shkak të një sëmundjeje të lindur. Nga ana tjetër, ka një kujtesë fotografike të admirueshme dhe arrin të mbajë mend çdo hollësi të çfarëdolloj gjëje që nuk e ka përjetuar. Melodia është vajza më e zgjuar e gjithë shkollës, por askush nuk e di këtë.

Pjesa më e madhe e njerëzve: mësuesit, mjekët, shokët e saj të klasës, nuk e marrin në konsideratë, pasi nuk arrijnë ta besojnë se mendja e saj brilante arrin përtej asaj çka përfytyrojnë ata. Por Melodia nuk pranon ta përcaktojnë e ta përkufizojnë në bazë të paaftësisë së saj fizike. Ajo është e vendosur t’u tregojë të gjithëve mendjen e saj të shkëlqyer. “Përtej botës sime” është një histori sfiduese, që do të ndryshojë përgjithmonë perceptimin e fëmijës suaj për njerëzit me aftësi ndryshe. Libri mban vulën e Sharon M. Draper, një shkrimtare e njohur amerikane për fëmijë dhe e vlerësuar për aftësitë në trajtimin e çështjeve të arsimit dhe edukimit të fëmijëve.

Ky libër nuk duhet lënë pa dhuruar fëmijës suaj!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat