Besa: “Baba im nuk ka lejuar të infektohem nga dogma e komunizmit”

Libra

Besa: “Baba im nuk ka lejuar të infektohem nga dogma e komunizmit”

Nga: Bajram Sefaj Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 10:16
Besa Myftiu

Pas botimit të romanit “Confessions des lieux disparu”, në frëngjisht, te Shtëpia Botuese “L’Aube”, dhe në shqip, (Rrëfime mbi vendet e harruara), te Shtëpia botuese “Marin Barleti” në Tiranë, Besa Myftiu, sapo ka përfunduar romanin e ri, gjithnjë në frëngjisht, “Amours au temps du communisme” (Dashuritë në kohën e komunizmit) të cilin së shpejti e qet në dritë “Fayard”, botuesi ekskluziv parisian i veprës letrare të Ismail Kadaresë.

“Letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë,  një përshkrim i uraganit të çmendur të pasioneve të njeriut  dhe i luftës që ai bën me to”. (Issac Bashevis Singer, Nobelist, 1978)

Shkas i  drejtpërdrejtë për këtë bisedë (të shkurtër) me Besa Myftiun, enkas për lexuesit e revistës Albanica të Prishtinës, u bë romani i saj  i fundit “Confessions des lieux disparus”, (shkruar frëngjisht dhe botuar te Shtëpia botuese “L’Aube” e Francës) si dhe  botimi i po këtij  romani, përkthyer nga vetë autorja Besa, në gjuhën shqipe. Libri do të dalë në Tiranë, në muajin korrik të këtij viti, tek Shtëpia Botuese “Marin Barleti.” e Mimoza Ahmetit, me titullin “Rrëfime mbi vendet e harruara”.

Vlen të nënvizohet që në fillim se ky roman nuk është vepra e parë (as e fundit letrare, në prozë e poezi) që Besa Myftiu e shkruan drejtpërdrejt në gjuhën frënge. Vite më parë, ose saktësisht, më 1998, te Shtëpia e njohur botuese e Parisit “Harmattan” ajo botoi romanin e parë të shkruar direkt në këtë gjuhë të madhe botërore “Ma légende”, (Legjenda ime”), me parathënie të Ismail Kadaresë i cili ndër të tjera, që në fillim konstaton se: ”Romani i parë shqiptar i shkruar në frëngjisht, botuar në Paris më 1890, titullohej Bardha e Temalit (Blanche, fille de Temal) që  për motiv kishte hakmarrjen. Është vepër e Pashko Vasës, i njohur me emrin Vaso Pasha. Ndër më të rinjtë, Ma légende, (Legjenda ime) ka për autor të renë Bessa Myftiu, që aktualisht jeton në Zvicër...”.

Me këtë artiste të shquar shqiptare, e cila tani e njëzet vjet, pra, jeton dhe krijon në Gjenevë të Zvicrës, biseduam edhe për tema të tjera që kanë të bëjmë jetën dhe universin artistik të saj të ditëve më të reja.

Çfarë mund të na thoni për vitet e kaluara në Shqipëri: fëmijëria, shkollimi, puna, Tirana, Elbasani, fillet e krijimtarisë artistike?

Besa: Shqipëria është dhe do të mbetet djepi im, dashuria ime më e madhe që më frymëzon të shkruaj. Vitet e kaluara në atdhe janë të pashlyeshme në zemrën dhe në mendjen time dhe përbëjnë materialin e romaneve të mia. I kujtoj gjithmonë me nostalgji.

Çfarë roli ka luajtur Mehmet Myftiu (për të cilin flisni me aq admirim në romanin “Confessions des lieux disparu”), në krijimin e Besës si njeri dhe si shkrimtare?

Besa: Babai im më ka dhënë mundësinë të mendoj dhe të mos infektohem nga dogmat e komunizmit. Dhe kjo është diçka shumë e madhe.

Çfarë kujtimi ruani për punët e kryera në Shqipëri ?

Besa: Kam qenë pedagoge në Elbasan dhe gazetare tek revista “Skena dhe ekrani”, ruaj kujtimet më të bukura nga këto punë që i kam kryer me pasion.

Çfarë mendoni për rrugën drejt Evropës, si drejt ëndrrave të mëndafshta?

Besa: Shqiptarët duhet të marrin atë që Evropa ka më të mirë dhe të mos heqin dorë nga virtytet e tyre shekullore si mikpritja, besnikëria etj.

 Ç’mund të na thoni për vështirësitë e fillimit e të veprave në vijim?

Besa: Në fillim ishte e vështirë të shkruaja në frëngjisht, por dëshira ime për t’u shprehur në këtë gjuhë lindi nga nevoja për të dëshmuar. Çfarë interesi ka t’u thuash atë që ka ndodhur atyre që e dinë ? Për më tepër, shkrimi në një gjuhë tjetër më jepte një liri shumë të madhe krijimi si nga ana e përmbajtjes, ashtu dhe nga ana e formës. Sa i përket përmbajtjes, të gjithë të njohurit mund t’i ktheja në tipa artistikë pa problem, sepse askush nuk do vinte të më kërkonte llogari. Kurse nga pikëpamja e formës, dihet se kur diçka shkruhet duke u menduar shumë, përfundimi del më i pjekur dhe më i goditur. Kurse sa i përket planeve të së ardhmes... Tani sapo mbarova romanin “Amours au temps du communisme” (Dashuritë në kohën e komunizmit) që do të botohet së shpejti nga shtëpia botuese Fayard, e cila boton edhe Ismail Kadarenë. (Ndërhyrje: Kjo do të thotë se Besa vazhdon traditën që veprat e veta letrare t’i shkruai drejtpërsëdrejti në frëngjisht!).

Sa filma artistikë shqiptarë janë realizuar deri tani sipas skenarëve të Besës?

Besa: Në Shqipëri kam shkruar dy skenarë, njërin me metrazh të gjatë që titullohet “Unë e dua Erën” dhe tjetrin “Pendesa e ariut”, me metrazh të shkurtër. Jam gjithashtu edhe skenaristja dhe aktorja kryesore e filmit “Yllka”, një prodhim shqiptaro-zviceran.

Si ju shkon puna pedagogjike në Universitetin e Gjenevës ?

Besa: Kam fatin e madh të jap leksione dhe seminare që më prekin thellësisht. Jam e dashuruar me pedagogjinë. Puna në universitetin e Gjenevës është për mua po aq e këndshme dhe e rëndësishme sa krijimtaria artistike. Jap lëndën “Kontributi i shkrimtarëve dhe artistëve në edukimin e njeriut”.

Lidhjet me familjen dhe vendlindjen, me rrënjët që nuk thahen kurrë...?

Besa: Flas çdo ditë në telefon rreth 30 minuta me prindërit dhe nuk kam humbur asnjë nga miqtë e dikurshëm, edhe nëse ndodhen në SHBA si Elvira Dones, në Maqedoni si Merita Çoçoli apo në Gjermani si Emine Sadiku Teichmann.

Vajza juaj Elina ndjek udhën artistike të prindërve dhe të gjyshit. Ç’është duke krijuar ajo ?

Besa: Vajza ime Elina Duni, pas diskut të saj të parë titulluar “Baresha” sapo nxori një disk të ri me këngë nga Ballkani “Lume, lume” që është pritur shumë mirë nga kritika.

 Si e përjetoni botimin e romanit “Rrëfime mbi vendet e harruara” në Tiranë ?

Besa: Jam shumë e emocionuar, sepse është hera e parë që dal përpara publikut shqiptar me një roman. Megjithëse kam marrë çmime, megjithëse romani është përkthyer në disa gjuhë dhe ka dalë edhe si libër xhepi, prapëseprapë gjykimi i bashkëpatriotëve të mi ka shumë rëndësi për mua. Pres me shumë padurim mendimet mbi romanin tim në shqip...

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat