Publikimi i librit “Untapped Power”

Libra

Publikimi i librit “Untapped Power”

Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 22:45
Kopertina e librit

Drejtoresha ekzekutive e Institutit për Gra, Paqe dhe Siguri në Universitetin Georgtown, Melanne Verveer, tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë paraqet ditë të errëta për vlerat e lirisë dhe demokracisë.

“Përse kjo shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar? Thjeshtë sepse njerëzit në Ukrainë kanë zgjedhur dhe janë munduar për pavarësinë e tyre, lirinë dhe të ardhmen e tyre demokratike. Vlera që neglizhohen nga presidenti rus, i cili refuzon të pranoj sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial të saj dhe i cili tentojë të rishkruaj historinë dhe të rikthejë varësinë e Ukrainës nga Rusia. Ky është sulm flagrant mbi Ukrainën, por mos harroni, është po ashtu sulm ndaj demokracisë, lirisë dhe rendit ndërkombëtar, është për të gjithë ne”, tha zonja Verveer.

Ajo i bëri këto komente gjatë një diskutimi online, gjatë të cilit ky institut publikoi librin “Untapped Power” apo “Fuqia e pashfrytëzuar”, i cili flet për përfshirjen e grupeve të nënpërfaqësuara, si gratë, të rinjtë, pakicat e të tjera,, në procese vendimmarrëse.

Redaktorja e librit, Carla Koppell, tha se ndër të tjera në të dëshmohet se përse diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja janë thelbësore në parandalimin dhe zgjidhjen konflikteve.

“Një konkluzion i fundit në fakt tërheq vëmendjen te disa nga çështjet më të mëdha dhe te disa nga përparësitë kryesore për përparimin e kësaj agjende. Qoftë lidhur me ndryshimin e strukturave dypalëshe apo shumëpalëshe ashtu që të përfshijnë më shumë zëra, qoftë lidhur me dyfishimin e përpjekjeve tona për të shtuar të dhëna që do të mbushin boshllëqet në këtë fushë. Po ashtu lidhur me të menduarit e kësaj lëvizjeje globale jo vetëm si lëvizje për diversitet, barazi dhe gjithëpërfshirje, por lëvizje për paqe dhe përparim më të gjerë”, tha ajo.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi po ashtu ngjarjet në Ukrainë, ndërsa theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në të gjitha proceset.

“Në Kosovë komuniteti ndërkombëtar gjeti kurajon për të mbrojtur vlerat e veta dhe e di që do të bëjë të njëjtën sërish sepse rruga na vendosë ne në anën e drejtë të historisë dhe kjo është e qartë. Ne do të ecim bashkë në këtë rrugë dhe i bëj thirrje popullit ukrainas për kurajo dhe unitet në këto kohëra të errëta, sepse ky është një sulm mbi të gjithë ata që duan lirinë. Ne në Kosovë si demokraci e re duhet të punojmë fort për të mbyllur boshllëkun ndërmjet ligjeve të shkruara dhe realitetit. Derisa sistemi jonë parlamentar mbështetet në kuotë për përfaqësim gjinor, përfaqësimi i grave në punë, parti politike, fushën publike përgjithësisht mbetet problem serioz”, tha ajo.

Libri “Untapped Power” ka 40 bashkautorë, synimi i të cilëve është që në këtë kohë të sfidave globale, komuniteti ndërkombëtar të përdorë fuqinë e pashfrytëzuar për të rritur barazinë dhe gjithëpërfshirjen./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat