Vjersha të denja për lexim dhe admirim

Libra

Vjersha të denja për lexim dhe admirim

Nga: Baki Ymeri Më: 4 mars 2022 Në ora: 12:52
Foto e kopertines së librit

Arti është pjellë e imagjinatës. Nëna e poezisë janë iluzionet dhe ëndrrat. Poezia është pasqyra e shpirtit, simbol i dhimbjes dhe hijeshive të jetës ku zbulojmë ikona të gjalla. Poezia është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Xhemi Nokshiqi Muzai vjen para nesh me një gamë vjershash të denja për lexim dhe admirim. Përmes strukturës së tyre lirike, vargjet e kësaj poeteshe të frymëzuar u dedikohen vetëm artistëve, por edhe lexuesve të rëndomtë. Në një mënyrë autentike, poetja na e lumturon shpirtin me gjeografinë e atdheut dhe me anatominë e dashurisë: Yjet e qiellit që vezullojnë,/ nga puthjet tona do të ndriçojnë/ Do të marr flakë e të bëj dritë/ shpirtin tënd unë dua të ta ndrisë./ Yjet e qiellit që vezullojnë nga puthjet tona do të ndriçojnë./ Do të marrë flakë e të bëj dritë. (Dashuria)

Këto vargje të qëndisura në trojet e diasporës, meritojnë një një vlerësim të veçantë, sepse burojnë nga një shpirti i ndjeshëm, nga një krijesë e lindur në vendlindjen e Adriatikut, dhe e mërguar tejmatanë brigjeve të mëndafshta të Atlantikut. Për Xhemi Nokshiqin vlen të përmendim faktin se disa pika i ka kënduar që në klasën e parë në Radiotelevizorin Shqiptar. Në klasën e tretë, ka marrë pjesë në Festivalin e Instrumentistëve të Vegjël në RTSH. Ka marrë pjesë në Festivalin për Fatosa dhe Pionierë në Shkodër. Ka përfituar tre Çmimet e para. Ka përfituar Çmimin e parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ka kënduar me instrumentistë për orkestrën.

Ka marrë pjesë edhe në Festivalin Folklorik të Beratit, ku kënga e saj u vlerësua me notën e tretë në Festivalin Ballkanik në Turqi, festival për moshat e reja. Ka mbaruar Liceun Artistik në Shkodër. Ka mbaruar Universitetin „Luigj Gurakuqi”, dega Gjuhë dhe Letërsi. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbaruar kursin ndihmës së parë si mjeke. Ka mbrojtur provimin për EKG. Është e prezntuar, e dyta sipas rradhës, në librin me 50 poetët e botes (Hymn of global unity), ku është vlerësuar me Kupën e Floririt. Xhemi N. Muzai ka botuar dy libra: „All because of You” (me 50 poetë të tjerë nga bota), dhe veprën „Meteorë”. Ka marrë pjesë në qindra konkurse letrare botërorë në gjuhën angleze, ku është vlerësuar shumë mirë dhe me një respekt të lartë. Ka marrë pjesë në dy antologji botërore dhe në antologjinë „Jehona Shqiptare”. Aktualisht vazhdon konkurimin me shoqatat letrare botërore, si dhe në disa shoqata shqiptare. Është laureate mirënjohjesh, diplomash dhe çertifikatesh nga të gjitha shtetet e botës.

Vepra e saj mund të kundrohet si një muzeum vlerash të mirëfillta, me përfytyrime që shpërthejnë nga platforma e fjalëve, të rradhitura me stil dhe elegancë, që nga kundrimi i ndjenjave të trazuara. Pjesa dërmuese e poezive përfaqësojnë fakte nga historia e ndjeshmërisë, e meditimit, e gjumit dhe ëndrrës. Gjeografisë së shpirtit nuk i mungon as subjekti patriotik, as subjekti satirik dhe as elementi erotik i ndjeshmërisë. Gjithmonë e trazuar, guxoj të them se poetja deshifrohet në intimitetin e pashmangshëm të relativitetit: Kur ta fali ty atë buzëqeshje/ mos më rri ti si si në heshtje!/ Hënën pres unë që ta ndal/ Agime e mbrëmje me mall./ Kjo dashuri e madhe vallë/ Zemrën time e dogji flakë.

Kjo ndjeshmëri duket më shumë se një pikturë realiste dhe si një peisazh i mbështjellë me një parfum emocionesh. Dhe mu kjo mund të jetë stadi deklarativ i vetëdijësimit të ndarjes së mbarë botës së kuptuar nga të gjitha anët kardinale, e të prura në regjistrin personal të sentimentalizmit. Do të tentoja të them se fjala është për një „përkohshmëri”, kur kemi parasysh përmbajtjen dhe formulën e kohës në termine të përcaktuara. Askund nuk mbetet jashtë nesh rekëtima e probabilitetit tonë. Mundësia e sekondave që na shpien më tej ndërlidhen me kohën që nuk mund të matet, dhe në asnjë rast të kohës së shtrenjtë të poetes që ka fat të jetë e lumtur.

Mirësjellja e shpirtit konsiston në mënyrën për të menduar gjëra të ndershme dhe delikate. Xhemi Nokshiqi nuk është vetëm poetesha e ëndrrave dhe kohës, por edhe një misionare ndjenjash dhe mendimesh. Dhurata më e madhe e hyjnive është mënyra për të mos menduar gabimisht. Mendimi është prona më e lartë, ndërsa “përshkrimi” mbështetet në rrëfimin e së vërtetës në konformitet me natyrën e ëndërruar, e mbetur si peng i adhuruar në unazë të kurorës. Më jep dorën o vëlla!/ Në ditët me shi/ Me qiëllin e nxirë/ Më jep dorën o vëlla/ Me tërmete e vullkanë/ Jemi një o Shqipëria Nanë. (Ma jep dorën o vëlla)

Shqiptarja e Amerikës vjen para nesh me një projekt të veçantë, me plot imagjinatë dhe sensibilitet. Ajo din ta gjejë shtegun e fjalëve që vijnë me sinqeritet deri te ti! Ajo din ta nxjerrë në breg ëndrrën e zhytur në lumë, me një shpresë të ndezur për një dashuri të zjarrtë. Frymëzimet dhe mendimet e saj përbëjnë një vepër të bukur, të rrumbullaktë, të pjekur dhe perfekte: Ku t’i fsheh mendimet e mia?/ Në qiell prapa hënës, ku yjet flenë/ apo më mirë në fund te detit/ t’i gllaberojë ndonjë balenë? (Vezullimë). Dhe më tej: Ku t’i fsheh mendimet e mia?/ Nën hënëz të qerpikëve të tua!/ Kur të rikthehet si imazh dashuria/ vezullimi i yt, si vargjet e Uitmanit/ Në pranverë te pragu,/ A do qash per mua?

Autorja shkëlqen edhe me vjersha tjera kushtuar ëndërrave të bukura, yjeve që kanë folenë, flakës së dashurisë, engjëjve të perëndisë, zemrës së trazuar, rrokullimës së shpirtit, përqafimeve dhe fjalëve të ëmbla, meteorëve të dritës, dridhjeve të tokës, bashkimit të vëllaut me vëlla, heshtjes së shkëmbit, kupolës së qiellit, mendimit dhe gjykimit, padrejtësisë dhe qetësisë shpirtërore. Dhe jo vetëm kaq! Xhemi Nokshiqi Muzai ka thënë shumë më shumë, ndërsa ne themi pak e për merak, duke i uruar sukses në veprimtarinë e saj letrare, artistike, mendimtare dhe profesionale. (Bukuresht, Pranverë 2022)

DASHURIA

Është dashuria ajo që çel,

ndjenjat e mia do të ndrisin

Ato më shtyjnë që ty të dua,

zemra ime a s’më thua...?

Kjo dashuri, dashuria vallë,

zemrën time e dogji flakë...

Yjet e qiellit që vezullojnë

nga puthjet tona do të ndriçojnë

Do të marr flakë e të bëj dritë

shpirtin tënd unë dua të ta ndrisë.

Yjet e qiellit që vezullojnë

nga puthjet tona do të ndriçojnë.

Do të marrë flakë e të bëj dritë

shpirtin tënd unë dua të ta ndrisë!

Kur ta fali ty atë buzëqeshje

mos më rri ti si si në heshtje!

Hënën pres unë që ta ndal

Agime e mbrëmje me mall.

Kjo dashuri e madhe vallë

Zemrën time e dogji flakë.

Yjet e qiellit që vezullojnë

nga puthjet tona do të ndriçojnë

Do të marr flakë e të bëj dritë

shpirtin tënd unë dua të ta ndrisë.

Yjet e qiellit që vezullojnë

nga puthjet tona do të ndriçojnë.

Do të marrë flakë e të bëj dritë

shpirtin tënd unë dua të ta ndrisë!

VEZULLIMI

Ku t’i fsheh mendimet e mia?
Në qiell prapa hënës, ku yjet flenë
apo më mirë në fund te detit
t’i gllaberojë ndonjë balenë?

Mendimet për ty më coptojnë
Çdo orë, çdo ditë dua të harroj
apo të fshihem pa lënë gjurmë.
Jo, jo! Nuk mundem. Të adhuroj!

Le të mi vjedhë dikush mendimet
të hyjë si hajduti, që s’ kapet dot
Nuk do bëj zë t’i çojë ku të dojë
do qaj sigurisht, do qaj me lot…

Luftë të kundërtash kam hapur vonë
mes dashurisë, mendimit, gjykimit
E di që dielli të ngroh në mëngjes
në mbrëmje shkon drejt perëndimit….

Ku t’i fsheh mendimet e mia?
Nën hënëz të qerpikëve të tua!
Kur të rikthehet si imazh dashuria
vezullimi i yt, si vargjet e Uitmanit
Në pranverë te pragu,
A do qash per mua?

TE YJET E KE FOLENË

Mendimet e harruara të njerëzve i mblodha
që nxitonin të kapnin rrugët e jetës
e shpirtit tim fluturak ia hodha
të ushqejë shpresën me agimin e vesës

Benzinën që djeg ia hodha zjarrit
me flakë të dashurisë
të ushqej zemrën tënde të dlirë
engjëllushe e bukur e perëndisë

Ndjenjat i shfrenova për një çast
mbuluar me lotin e mallit
Të genjej detin e t’i marr ujin e cekët,
të thur merimagën e natës
me heshtjen e shkëmbit…

Me dritën e syve të saj të vrapoj
të kap majën e qiellit
kaltëresitë prej valësh të shkumëzuara
t’ ia bëj kurorë në flokë trillit.

METEOR DRITE

Pas një psherëtime me plagën si thikë

rëndë më rrëmbyen rrokullimat në shpirt

U trazua zemra siç trazon valët një det

dhimbja për babain kurr s’ ka për t’ u tretë.

 

Litarët e zemrës u mbështollën me deshpërim

stuhia më shpuri detrave ushëtimë dhe ulërimë

shpirti yt la pas trupin, fluturove lart në qiell

zemra kulloi gjak, si një lis degë thyer.

 

Si loton shiu loti i verbër në sy s’ ka të ndalë

bëhet ujvarë alpesh e vërshon anë e mbanë

në gjakun tim, Ti mbetësh hero i gjallë

më vjen me yjet e natës shpirti yt qelibar.

 

Lehtë nga qielli hëna fshihet e ti shfaqesh përsëri

me anije do lundrosh qiellit, me yjet në kaltërsi

ishe meteor drite, i tillë do të ngelësh gjithmonë

kurse sShpirti rreze dielli përherë do të lëshojë.

 

Porosi të dergova të më vish në të miat ëndërra

të më perqafosh me mall me fjalët e tua të ëmbla

do ti gdhënd kujtimet me mall e dashuri

prehu në rreze hënzash, i lirë në qetësi!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat