Një roman i shkruar me sharm e pedantëri

Libra

Një roman i shkruar me sharm e pedantëri

Nga: Baki Ymeri Më: 1 prill 2022 Në ora: 19:40
Kopertina e librit

Poet, prozator dhe publicist, autor i rreth 100 librave të botuar, i përkthyer në disa gjuhë të huaja, Ibrahim Kadriu është romansieri më i shquar shqiptar i ditëve tona, pa e lënë në hije Sterrjo Spasen, Fatmir Gjatën, Nazmi Rrahmanin dhe Petro Markon. Në veprat e tij na jep botën shqiptare të gjitha llojeve, duke u inkorporuar në kategorinë e shkrimtarëve të mëdhenj, kategori e cila nuk mund të bëhet vetëm nga "sasia" e librave të botuar, por edhe nga cilësia e tyre, duke përdorur burime të njohura e të panjohura, të dëgjuara dhe të verifikuara, reale dhe imagjinare, duke i kombinuar dhe komentuar, jo vetëm me me një stil të veçantë, por edhe me sharm e pedantëri.

Jo çdokush din të shkruajë romane. “Shtëpia e fantazmave” është një nga romanet më interesante të Ibrahim Kadriut (Rozafa, Prishtinë 2004, 270 faqe). Nga Lufëtrat Ballkanike e deri më sot, vetëm Perandoria Austro-Hungareze (1916-1918) dhe pushtuesit italianë e ata gjermanë (1939-1944), e patën bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën në një shtet të vetëm. Në këtë vepër, autori nuk merret as me perandorinë serbe e as me atë sovjetike, sepse këtë të fundit e ka demaskuar në romanin e famshëm “Misioni Rus”, i cili ka 450 faqe dhe 6 botime.

Fatntazma është protagonisti negativ i kësaj vepre, Luan Geraj, një njeri i keq që e suspendoi nga puna kryeprotagonistin e romanit (Petrit Gjoni). Faktikisht, fantazma është një kafshë e shëmtuar, ose një qenie imagjinare që përfaqëson dhe mishëron shpirtrat e të vdekurve. Ftesa e romaneve të I. Kadriut i përfton zemrat e lexuesve që zbulojnë universin letrar të krijuar me stil dhe elegancë. Në disa nga veprat e tij defilojnë tregimet më të bukura të dashurisë. Puna e tij përbën kompleksitetin e përsosur, duke mbetur në ndërgjegjen e letrave shqipe si një model që e kompleton bibliotekën e sentimenteve letrare me vepra të denja për lexim dhe admirim.

Romani është një nga subjektet e preferuara të lexuesit për lumturimin e shpirtit. Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për kulturë, për letërsi, për tradita, në kushtet në të cilat një pjese të shoqërisë, gjithnjë e më shumë i mungon e vërteta, ëndërrimi dhe guximi. Pse? Sepse bota po depërton në vjeshtën e humanitetit. Gjethet e shpirtit po zverdhen me shpejtësi të madhe dhe pikin, kurse dashuria nuk po shkruhet me shkronjë të madhe. Autori i romanit “Shtëpia e fantazmave” e zotëron stilistikën letare, teorinë e letërsisë dhe mjeshtrinë e përdorimit të fjalës që e bashkon shpirtin me shpirt, zemrën mer zemër, trupin me trup: “Ia kapi dorën, në të vërtetë ia shtrëngoi gishtat, si dikurë, në ditët e rinisë. – E, moj grua! E sheh se si kaluan vitet? – i tha. Ajo vetëm ia shtrëngoi gishtat, duke e përcjellë me bisht të syrit reagimin e tij.”

Duke e lexuar romanin „Shtëpia e fantazmave”, autorin e gjejmë të ashpër por të ndershëm në ndërmarrjet e tij krijuese, duke e vendosur gjithmonë në peshoret e jetës dhe të mendimit, jetën e ditëpërditshme të një bote të përbujshme, me të gjitha shenjat e stërholluara nga mjegulla e një relativizmi të pakapshëm. Autori i kësaj vepre vjen me shijen e jetës për hyjnizimin e bukurisë, duke i dhënë lexuesit kurreshtar mjaft mjaltë për lumturimin e shpirtit. Në faqet e veprës respektive defilon etja e bukur për familjen, farefisin dhe atdhedashurinë. Me këtë roman meriton ta bësh një natë të bardhë duke e lexuar. Meriton ta lexosh dhe pastaj ta mbyllish, i pajtuar dhe i lumtur me vetëveten dhe me familjarët që të rrethojnë.

Autorin e kanë frymëzuar muzat e trojeve tona, jo vetëm për poezi por edhe për prozë. Personazhet e romanit të tij janë të gjalla, duke lëvizur absolutisht natyrshëm, duke qenë të motivuar në një rrëfim të nuancuar, të qartë, në të cilin detaji është i shpënë nganjëherë deri në kufirin e ëndërrimit dhe imagjinatës. Veprat e tij mbeten si një bukë me një kundërmim të këndshëm në tryezën e lexuesve tanë të etshëm për histori dhe kulturë. Në romanet e Ibrahim Kadriut Kosova shungullon si një lumë kujtimesh të bukura që ndërlidhen me dashurinë ndaj jetës së lindur për ta shijuar deri në përjetësi në plotëkuptimin e fjalës. Paralelisht me dritën e botës së njohur e të panjohur, autori e sheh kulmin përmes prizmit preliminar të brigjeve të territ, errësirë ku derdhet çdo gjë, dhe si mund të mbrohet më mirë nga një tmerr i pakufishëm porta e mendimit, intuitë e domosdoshme, qoftë madje edhe me mentesha të mbërthyera në glinën e butë të iluzionit.

Ibrahim Kadriu ka krijuar një vepër të bukur dhe vjen para nesh me mendime briliante për filozofinë e jetës dhe për lëngun e jetës: “Mendimet janë ato që e mbajnë drejtëpeshimin, dyluftimet ndërmjet mendimeve pozitive dhe negative, disponimi për të qenë i dëshirueshëm.” Në kuadrin e romanit shohim në veçanti përsosjen e metaforave dhe mjeshtërinë artistike, ku krijuesi i këndon vendlindjes, vajzave të fshatit, gurëve të çmuar dhe dashurisë së bekuar. Pothuajse në të gjitha faqet e kësaj vepre, metafora është frymëmarrja e forcës shprehëse të meditimeve. Kjo do të thotë se forca e fjalës së figurshme e ka gjetur dashurinë për të qenë i dashuruar me fjalët që sjellin për lexuesin meditimin për idhullin e zemrës njerëzore dhe shpirtin e trazuar të autorit.

Perla letrare të përzjera me elemente të realitetit dhe imagjinatës

Subjekti elementar i romanit është familja si një forcë magjike që e mban këtë tokë të lidhur për qiellin. Në fillim të shekullit XIX-të, lulëzonte në Vienën sharmante piktura e Gustav Klimtit, që na fanitej plot salltanete mëndafshi dhe kadifeje, një konstelacion stolishë të lazdëruara në ritme valsi. Në qendër të kësaj frononte gruaja e lëngshme, dashamire ornamentesh, ajo vetë një ornament i këtij arti të robëruar nga fama e Jugendstilit, një nga jakat e fundit të periudhës që mbante emrin “La belle époque”. Romanit të Zt. Kadriu nuk i mungon as monologu e as dialogu. Ndjeshmëria që e fisnikëron femrën e “Kroit të Ilaçit” dhe të kësaj vepre, është si një dukje pikturale.

Zakonisht, Ibrahim Kadriu din na befasojë me çdo libër të ri, indiferent nga gjnia letrare që e trajton, autori duke shtjelluar me gjendshmëri, stile, kanone, konvecione, të poseduara butësisht me çmimin e një imagjinate të bujshme dhe të një vërtitjeje tokësore. “Shtëpia e fantazmave” vjen në gjuhën shqipe duke kultivuar një gamë asociacionesh dekorative në lëndinën e senzualitetit, për t’u kundruar dhe çikur me ëmbëlsi dhe delikatesë, duke kërkuar me pangopshmëri shijen e ndjeshmërisë, duke i përmbushur zbrazëtirat e jetës me dashuri dhe atdhedashuri.

Romani ka 15 kapituj. Librit nuk i mungojnë personazhet, faktet, idetë, mënyra e shprehjes, stili dhe gjuha letrare, të vërtetat dhe ëndërrimet. Autori din t’i respektojë standardet e larta të idealit dhe moralit shqiptar. Ai din të jetë gjithmonë i disponuar dhe kjo vërehet jo vetëm në vëllimet poetike, por edhe në faqet e romanit respektiv. Në libër ballafaqohemi edhe me momente të tensionuara, por interesante për komentim dhe deshifrim. Romanit i mungojnë banaliteti, absurditeti dhe artificialiteti, pornografia, mëritë dhe fanatizmi, botëkuptimet primitive dhe mediokriteti provincional, urrejtjet, shpifjet, intrigat, interesat meskine, traumat dhe gabimet e personazheve, ngase ato nuk ekzistojnë. Themi se nuk ekzistojnë, por ato ekzistojnë, sidomos te Luan Gjeraj që ia nxiu jetën Petrit Gjonit, kryeprotagonistit të kësaj vepre.

Impresionojnë faqet ku bën fjalë për respektin e Saimirit ndaj babait të tij: “Ai lëshim dore, i Saimirit, mbi supe, Petrit Gjonit i errdhi si një mbështetje e fuqishme, sikur me atë dorë ta tërhiqte prej ndonjë humnere, kurse lodhjen nga punët e shtëpisë nuk e arsyetonte, sepse atë lodhje e konsideronte gjithmonë të bukur, lodhje që e kishte shlodhur.” Interesant përshkrimi i autorit për dembelizmin dhe përtacinë, për hipokrizinë dhe demagogjinë, për servilizmin dhe absurditetin, për megalomaninë dhe mediokritetin, për rrugaçët, kapadainjtë, klosharët, kafexhinjtë, që shumohen si bretkocat në moçal.

Shpirti shqiptar është një shpirt i florinjtë, i lindur nga drita e lulet, dhe nga mendimi i parë që ia ka dhënë Zoti për dashurinë. “Der Kraft kommt aus dem Herzen”, thonë gjermanët (Fuqia vjen nga Zemra). Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Përshkrimet janë reale dhe imagjinare. Meritojnë t’i lexosh deri në faqen e fundit. Në disa momente, Zt. Kadriu e gërsheton humorin me realitetin, duke i dhënë prioritet romantizmit mënjanë, dhe realizmit në anën tjetër. Mendimet e autorit për jetën dhe botën e qartësojnë kujtesën e trurit dhe e përmirësojnë shëndetin e shpirtit. Autori din ta kultivojë fjalën e bukur, optimizmin dhe shijen për jetë.

Zëri i Ibrahim Kadriut dëgjohet në të gjitha trojet shqiptare. Romani i tij mund të konsiderohet si një dëshmi për reflektim ndjenjash të dashurisë ndaj adhuruesve të letërsisë. Qenja e admiruar vendoset në zonën e perfeksionimit, e afërt me idealet e mëdha. Faqet e kësaj vepre reliefojnë një klimë ëndërrimtare të harresave e kujtesave të përjetshme, rrëshqitjen e matur mbi një spirale shkëlqimtare. Ato të nxisin të kundrosh revelacionin e hënës e të yjeve, të shikosh madje edhe vetëveten, e të hulumtosh përherë, madje edhe nëpër ëndrra e në gjumë, derisa të ritakohesh me vetëveten, duke u zgjuar në mëngjez nga përqafimet e dritës E gjithë kjo shëmbëllen me një pikturë klasike, si një stoli e veçantë që gjendet diku, tejmatanë materjes.

Prozator dhe poet i disponimeve refleksive, i ikjeve nga tiparet dhe i rikthimit opsesiv në kufirin ndërmjet materiales dhe imateriales, Ibrahim Kadriu ia transferon totalitetit universal atë pjesë të ndërgjegjes që quhet Lumturi, vetëm e vetëm për t’i dhënë kuptim krijimit të saj. Ekzistojnë momente në jetën e njerëzve kur gjithçka reduktohet në asgjë, ndërsa asgjëja kaplon dimensionet e shpresës së fundit prej nga mund të riintegrosh dikurë fijen e një fillimi të ri. Të ripërtëritjes së ekuilibrit, dhe natyrisht, të shpirtit dhe kuptimit. Autori na flet për këtë, në një gjuhë krejtësisht të veçantë dhe me një forcë depërtimi të jashtëzakonshëm. Tekstet e tij ndërtohen mbi do dëshmi konkrete kushtuar dashurisë ndaj njeriut dhe njerëzimit.

Romani i Ibrahim Kadriut privilegjon harmoninë ideatike dhe klasike në kërkim të ekuilibrit. Mbi këtë sfond, takohemi edhe me disa peisazhe luksuriante, thuase të shkëputura nga pëlhurat hiperimagjinative të disa krijuesve të huaj. Dita e nata metamorfozohen në mënyrë fluide, në një përpjekje të përgjithshme. Magjia e diversitetit tenton drejt unifikimit. Shenjat janë një dukuri e pashmangshme enigmash të destinuara shkëlqimit, në një lojë të misterit me misterin. Ekzistojnë momente kur dimensioni shpirtëror thellohet, sensibiliteti duke e mbështjellë në mënyrë briliante dhe estetike lojën sublime kur gjithëçka duket interesante dhe e bukur.

Zotëria e tij din ta pasurojë universin me vlera të reja që krijojnë perla letrare të përzjera me elemente të realitetit dhe imagjinatës. Kjo më duket shëmbëlltyra më e gjallë që m’u fanit para se të lexoj disa nga kapitujt që mbajnë peçetën e një biografie tejet interesante. Në romanin e Ibrahim Kadriut ballafaqohemi me momente specifike të jetës dhe të natyrës kosovare. Si çdo subjekt i rëndësisë madhore, në veprat e autorit Kosova troket përmes akrepave të orës së njërit nga shkrimtarët më të padiskutueshëm botës shqiptare. Autori na befason me mjeshtrinë reflektimit të momenteve dhe thellësinë e përshkrimit të përjetimeve të personazheve. Libri i tij na dhuron tekste të një hijeshie dhe vlere të rrallë në botën e shkrimtarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat