Pasqyrimi i një figure të ndritur të atdhetarizmës

Libra

Pasqyrimi i një figure të ndritur të atdhetarizmës

Nga: Mikel Gojani Më: 22 qershor 2022 Në ora: 09:52
Foto ilustrim

Është mirë kur bëhet përpjekje për t’u ndriçuar çdo segment që përbën historinë e një populli. Është mirë kur kjo punë bëhet me zell, përkushtim dhe disiplinë intelektuale. Sidomos është e çmueshme kjo punë kur bëhet për ndonjë ngjarje, ndonjë personalitet historik, që për shkaqe ideologjike dhe shkaqe të tjera politike për aq kohë të gjatë sikur figura e tij e ndritur ka mbetur e mënjanuar nga shtypi dhe shkrimi shqip përgjithësisht, mirëpo duke mbetur gjallë në kujtesë dhe në memorien e të afërmve dhe personaliteteve të idealit të përbashkët.

E kuptova kështu përpjekjen e autorit Xhavit Bicaj për të ndriçuar personalitetin dhe veprimtarinë arsimore dhe atdhetare të Smail Ali Bicajt, nga Vrella e Istogut.

Libri i Bicajt, që mban titullin: “Smail Ali Bicaj një jetë për arsim, liri dhe bashkim kombëtar”, vë në dritë rrugën jetësore dhe veprimtarinë arsimore dhe atdhetare të patriotit të shquar Smail Ali Bicaajt, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare dhe sakrifikoi për lirinë dhe bashkimin kombëtar, duke mbetur fanar i ndezur në aureolën e përjetësisë, sepse për të gjallë të tij vetes i siguroi pavdekësinë.

Libri i doktor Bicajt, është i konceptuar në disa kapituj që përmbajnë një koncept unikal përmbajtjesor, si Rruga jetësore e Smajl (Ali) Bicajt) 1910 1972; Periudha nga lindja deri në Luftën e Dytë Botërore; Periudha e Luftës Nacional Çlirimtare ( 1941- 1944); Rezistenca për vetëvendosje ( 1945- 1952); Periudha e dhunës dhe burgjeve- Goli Otoku; Periudha e burgut të madh dhe e varfërisë; Periudha e jetës së fundit (1969- 1972);Smail Ali Bicaj në vrojtimet e disa intelektualëve; Kujtimet e familjarëve për babën Malë; Trashëgimtarët dhe Vlerësime për librin.

Monografia për Smail Ali Bicajn nxirret nga një tërësi përbërësish të një fisi e gjaku, me pasojë të sakrificave sublime dhe epilogje tragjike me përbërësit e shpjegimit të fenomenit burrnor në rrafshin ku ngritët altari i lirisë kuptimplote. Ka ndodhur viktimizimi familja n’altar të idealeve të aspiruara. Për t’u kuptuar dhe admiruar denjësisht shëmbëlltyra e patriotit Smail Ali Bicajt, vlen të lexohet monografia me përkushtim, si sublimim politik, historik, kombëtar të një individualiteti të rrallë, midis brezit të vet. Njëherit të lexohet si shembull plotësisht i merituar për mbamendje dhe pasion në virtytet e idealeve dhe të aspiratave, ku mësohet si flitet shqip, si jetohet shqip, kur të mendohet tradita e ndritur e popullit të mbijetuar, falë Zotit dhe veprave të njeriut ndër kohë dhe në gjeografi të atdheut të shenjtë të larë në gjak. Nisur prej provave konkrete për pësime në katarzis të familjes së ndritur të Bicajve, për të cilën e vlen të bëhet qëndisma ose filigrami i rebelimit nëpër kohë të secilit pushtues, për vepra të mizershme kundër këtij kryeprotaginisti të monografisë dhe këtij fisi përgjithësish. Personaliteti i përfaqësimit të familjes larg të dëgjuar të Bicajve, atdhetari i devotshëm Smail Ali Bicaj, do të rrezatohet me dritë të përjetshme për veprat e lëna mbas, që ia ka shtruar me peripeci rrugën e thjeshtë njerëzore, po gjithsesi të famshme. Kurora e famës së atdhetari Sail Aliut, e ka merituar mëritura nderimin, sepse Fryma Shenjtë e ka vendosur në Edemin, afër tij, sepse ishte ideator brenda fisit dhe familjes se si të mësohet gjuha e guximit dhe trimërisë për sakrificë sublime për t’iu afruar altarit të lirisë. Për këtë mision patriotik dhe human, me nivel të lartë njerëzishmërie e atdhetarie Smail Alia ishte i përkryer dhe me vizion historik.

Në libër përpos kryeprotaonistit Smail Ali frekuentojnë edhe shumë figura të historiografisë shqiptare edhe të fushave të tjera të jetës, të cilët kryesisht i takojnë trungut të familjes Bicaj, në kohë dhe periudha të caktuara iu përgjigjen “orëve të historisë”, kur rezistenca bënte jetën shqiptare.

Përpos shumë figurave të ndritura të kombit, në libër shpalosen edhe shumë ngjarje dhe rrethana historike, si periudha e Luftës së Dytë Botërore, periudha e LNÇ-së, periudha e viteve 1944-1952, rrethimi i rrethit të Istogut, periudha e burgut famëkeq të të Goli Otokut, gjatë viteve 1952-57, periudha e kohës shtypëse të Rankoviqit, 1958 – 1966 etj.

Figura dhe veprimtari arsimore dhe atdhetare e patriotit Smail, Ali Bicaj, sublimohet me opinionet e disa intelektualëve të fushave të ndryshme, të cilët për shëmbëlltyrën e Smail Ali Bicajt flasin me respektin dhe nderimin më të admiruar.

familjarët, pinjoj të familjes Bicaj, figurën dhe veprën e Smail Ali Bicajt e ngrehin në piedestalin e lavdisë dhe përjetësisë, duke e skalitur në portret diellor figurën dhe personalitetin e arsimdashësit dhe atdhetarit, Smail Ali Bicajt.

Vlen të përshëndetet përkushtimi i autorit të Monografisë, Prof. Dr. Xhavit Bicaj, si temë e qëlluar dhe e shtjelluar me verb krijues, si vlerë e cila lind për rrjedhë të kohëve me breza të fisit e të racës.

Libri i Bicajt ngërthen vlera dokumentare dhe historike dhe begaton fondin e këtij zhanri të veprave në letërsinë tonë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat