Dy vëllime me poezi nga Besim Xhelili (Foto)

Libra

Dy vëllime me poezi nga Besim Xhelili (Foto)

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 15:06
Ballina e librit “Sy të pafajshëm…”

Pas botimit të dy veprave të fundit, vëllimit poetik “Besa” dhe romanit të tij të parë “1803”, që dolën nga botimi në mars të këtij viti, shkrimtari tetovar Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, në prag të pushimeve verore sjell për lexuesit edhe dy vëllime të reja me poezi. Përmbledhja e gjashtë me poezi titullohet c”, një poemë e gjatë liriko-epike me 183 strofë të shkurta 4-vargëshe lirike, kurse e shtata “Sy të pafajshëm…”, një përplasje klithmash emocionale-psikolirike. Botues i të dy veprave është Shtëpia Botuese “Atunis” nga Prishtina, ndërsa recensent Prend Buzhala.

“Të njëqind e tetëdhjetë e tri njësitë strofike me temë dashurinë në lirikat e vëllimit "Dallgë në zemër", poeti Besim Xhelili i përkufizon me shenjën autoriale "183 lirika të dhimbshme dashurie". Si është e mundshme që pikërisht emocioni më sublim i qenies njerëzore ngërthyeka dhe vuajtjen, dhembjen? Kjo tematikë e shndërruar tashmë në obsesion krijues, te libri i Besimit, posi te tema e librit të dytë të Komedisë Hyjnore të Dantes, Purgatori, përpiqet ta japë këtë përgjigje, gjithnjë në universin e erosit, në hapësirat e këndimit lirik mbi dashurinë.”, shprehet Buzhala. Ndërsa për vëllimin “Sy të pafajshëm...”, ai thotë: “Te ky vëllim, që mban një titull të metaforikes engjëllore, autori i drejtohet, si në librat tjerë, qenies që do, të dashurës. Dhe kjo thirrmë drejtuar ndjesive të tij, mendjes dhe zemrës së erosit, përplaset midis dy realiteteve, largësisë së kësaj qenieje dhe përgjërimeve të përmallshme, kujtesës, shpesh trajtën e klithmës, kurse poezia merr trajtën e një psikolirike të situatës emocionale, në të cilën gjendet protagonisti a folësi lirik që ligjëron në veten e parë. Është po ajo ndjesi që ligjëron tej fushë-hapësirave të arsyes, sikur ngjitet në lartësitë sublime të ekzistimit, një si kulm jete e gjallimi. Ai ligjëron me zemër të hapur, se asisoj dhuron dhe dhurohet, merr dhe jep:

“Nga unë ke çka të marrësh, më të fortën

Më natyroren, të fshehtën e të çiltrën.”

Edhe redaktorët e librave kanë dhënë nga një vështrim mbi opusin e krijimeve të autorit në këto dy vepra. Bardha Mançe librin “Dallgë në zemër” e quan një shportë me vargje plot tallaze dashurie dhe dhembjeje. “Herë mistik dhe i pakapshëm, herë nostalgjik dhe i mbytur në të shkuarën, ai kërkon të dalë në zgjidhje ekstreme në raportin jetë–vdekje, që përshkon shumë momente të poezisë së tij në mënyrë fatale. E dashura e protagonistit identifikohet me frymimin e jetës së tij, gjakun në deje, çdo lëvizje të zemrës dhe të trurit të tij. Ajo e nguros apo e gjallëron, e vdes apo e ngjall, i jep dritë apo e lë në terr, i sjell tallaze kënaqësie apo stuhi të fuqishme dhimbjeje.”, shprehet ajo.

Engjëll I. Berisha nga ana tjetër, mbi vëllimin “Sy të pafajshëm...” thotë: “Kush është personazhi aktiv i veprave të Besim Xhelilit? Nëse themi se personazh figurativ është dashuria, pa emër, por e tëra e përshkruar në ndjenjë, ky është realiteti dhe besimi e pranimi i vetvetes, me këtë e ushtron mendjen për bindje të sinqertë, edhe pse në fakt bie një dozë lajthitjeje, pasi që kësaj dashurie ia zë frymën një zemërim, ku duket edhe si mekanizëm mbrojtës për ta ruajtur nga lëndimi dhe kurrsesi të ndryshojë sistemin e bindjeve që e ka ndaj kësaj ndjenje: “Kanë mbetur fshehur çastet e lumturisë, oh vdiqa/ Ankthi më përmbys shpirtin e lodhur, sa larg që je! /Ndodh dhe qaj e qesh e tek ti më shkon mendja /Mall i madh më pushton papritmas dhe m'lëndon...”.

Këto dy vepra do të promovohen më 5 gusht 2016 në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, në kuadër të promovimeve që organizon Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat