Dëshmi të mbledhura përmes kujtesës

Libra

Dëshmi të mbledhura përmes kujtesës

Besim Perjuci Nga Besim Perjuci Më 4 gusht 2016 Në ora: 19:36
Ballina e librit

Adem Tahiri: “Babë e djalë - Rrëfime autobiografike të mbijetesës ”, shtypi, Shtëpia Botuese “Parnas”, Prishtinë, 2016.

 

"... Ky simbol flet më së miri, se historia shkruhet,   por faktet e gjalla mbesin, sepse ato i ruan fati"

Shumë shkrues kronikash, biografish, autobiografish, bibliografish etj., kanë marrë mundin për t'i derdhë fjalët e mendimit nga më të zgjedhurat, në kuptim të rrëfimit autentik të ngjarjeve. Këtë e bën dhe autori i veprës "Babë e djalë - Rrëfime autobiografike të mbijetesës", si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i skenave më bizare e më dramatike në "dasmat e mëdha të viteve egërshane", ku tragjikja e jetës luhej brenda familjes Tahiri dhe më gjerë në familjet e bashkëkohanikëve e bashkëfshatarëve të këtyre trevave me qëndresë heroike, për t'u konsideruar si i vlerësuar e meritor me cilësi edukate të narracionit rrëfimtar.

Vepër e dizajnuar me invencion rrëfimtari,e ndërtuar me mjeshtri mendimi, dhe e shkruar me fuqi mbamendjeje intelektuale

Z. Adem S. Tahiri e di fare mirë se, biografia e tij dhe e familjes në përgjithësi nuk mund të përsëritet asnjëherë tjetër. Prandaj, fjalën e vet me thellësi mendimi, do ta shpalos me mjeshtri e ndjenja të fuqishme, sikur të një shkruesi të kahershëm të letrave shqipe, për ta bërë të veçantën e kësaj vepre monografike sa më besueshëm, e sa më të rigjeneruara të vërtetat e kohës e të krenarisë familjare të kësaj race të sojit.

Autori i kësaj vepre e nisë udhërrëfimin e vet jetësor pikërisht nga vendlindja e tij e dashur, nga Radaci i shkujve të mplakur e të kafshuar shumë herë nga kolonët ardhacakë të stepave të largëta, që përmes një inspirimi të brendshëm e me ndjeshmëri shpirtërore, e pikturon me fjalët më të bukura artistike, si:"Kush i ka parë ato vise të bukura të rrethit të Radacit, ato vise të veshura me pisha, bredha e molika, kreksë, shkozë e frashër, si dhe lisa të tjerë të lartë, përherë të gjelbra, mrekullisht të bukura, duken si stoli të përjetshme të natyrës së pavdekur. Kush e ka thithur ajrin e pastër të atyre pyjeve madhështore, i duket se po përtërihet dhe gjallërohet në çdo minutë. Ai mahnitet nga bukuritë e natyrës nën hijen e atyre maleve dhe pastaj ulët e shuan etjen me ujin e Burimit të Drinit të Bardhë që, nga të ftohtit të mpihen dhëmbët. Ai që e viziton këtë fshat një herë, nuk i harron kurrë ato vise dhe i kujton pastaj me mall gjithë jetën dhe dëshiron të kthehet përsëri atje për t'u përtërirë si një burim jetëdhënës".

Qysh në fillim, kjo vepër të merr me vete me këtë përshkrim të bukur e domethënës, i cili nuk mund të jetë i thjeshtë dhe i dosidoshëm, por një peizazh që impresionon dhe, atypëraty, zgjon kërshërinë e lexuesit dhe të atyre që nuk iu adresua rruga andejpari për ta prekë e përjetuar me admirim këtë dhunti perëndie.

Patjetër, fitohet përshtypja se autori Tahiri, jo vetëm si shkrues i mirë e me intuitë refleksioni me perceptim që ka, por ai, na thotë mendja, di mirë ta përdor sintaksën e fjalës, si një gjuhëtar i shquar sigurt, ndonëse i ngritur në intelektual me nivele akademike. Përndryshe, autori konsiderohet si njohës i mirë i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Dhe, lë t'i kthehemi veprës në fjalë për ta bërë të autorizuar,s akaq këtë shkrim, me pak mendime analitike që prekin thelbin e rrëfimit autobiografik.

Ngjarje që nxisin kureshtjen, nga argumentet e ruajtur tejpërtej kujtesës

Vepra në fjalë është shkruar dhe vendosur me kujdes karshi audiencës, e cila zgjon dëshirën dhe nxitë kureshtjen për të mësuar më shumë e drejtpërdrejtë për këta martirë të racës e të sojit të familjes së tahirajve dhe pararendësve të tyre me veçanti, për të mësuar gjithsesi për të gjitha zhvillimet nëpër kohë e vite të djegur, për përballjet e guximshme ndaj akteve më tinëzare e më bishore të shërbimeve sekrete të nëntokës sllavoçetnike, por edhe me strategjitë e tashme të shumëditura gjenocidale. Autori e ka të qartë se, historia jonë e pelimtë është përsëritur shumë herë, pjesëtarë të së cilës jemi edhe ne bijtë e kësaj gjenerate ende pa perënduar. Ai e di mirë se hija e së kaluarës është e gjatë. Ajo po stërgjatët si diçka e padukshme, si diçka që nuk po ndalon, duke krijuar ortiqe të rrezikshme që kërcënojnë rrugën tonë paqësore.

Sidoqoftë, falë burimeve të saktësuara me të të dhëna faktike, autori i mbetet besnik logjikës së përpjekjeve për ta sintetizuar sa më mirë gjithë brumin e grumbulluar në këtë vepër monografike.

Qëllimi i vërtetuar e arsyeton guximshëm argumentin e ruajtur tejpërtej kujtesës me vite e dekada të tëra. Dhe, sado të kenë mbetur të fshehura skutave më të largëta të mendimit njerëzor, qoftë nga stigmatizimi i qenies sonë shqiptare, qoftë nga surrogati i qarqeve shoviniste serbe, qoftë nga pamundësia për t'i ndriçuar ngjarjet e mëdha të kujtesës, qoftë dhe nga anatemimi i shkruesve të letrave shqip, ato do të mbesin të paprekura e të gjalla diku në thellësi të shpirtit të personazheve me përjetim traumash, siç është rasti me veprën ''Babë e djalë-Rrëfime autobiografike të mbijetesës", të autorit Adem S.Tahiri.

Fuqia e argumentit aq natyrshëm është mbushur me të dhëna faktike, sa pa ndonjë tepri, të përkujtojnë skenarët e punuar me gjuhën e thjeshtë të filmave të mëdhenj autobiografik të figurave të përtejkufijve kombëtar, duke e bërë të prekshëm edhe mendimin e kronikanit të familjes së tahirajve.

Vepër me rrëfimet rrëqethëse, e mbi të gjitha e prezantuar me saktësi realiteti

Autenticiteti burimor i informacionit, sidomos kronologjia e ngjarjeve me përpjekje e invencion të rrallë e të bukurthënë, do t'ia përmbushë amanetin familjes Tahiri me ngjarjet e kohës të mbetura shumë gjatë, siç u tha më sipëri, në sirtarët arkivore të kujtesës, qofshin ato edhe të copëzuara e të gëlltitura viteve të brishta apo edhe të pathëna e të pa lëvruara deri në fund.

Rrëfimet janë sa rrëqethëse e trishtuese, sa prekëse e tragjike, po aq edhe kërkuese për gjetjen e gjurmëve të pararendësve tanë në luftë të çdoditshme e të çdokohshme kundër thundrakëve të steposavaneve të shëmtuar e të dënuar, jo vetëm nga Zoti, por dhe nga robi i tij.

E tërë vepra autobiografike e autorit Tahiri, tashmë në moshën e pjekurisë, në thelb përmban mesazhin më të dëshirueshëm të popullit tonë. E mesazhi bëhet edhe më i qartë, kur këtë e lëvizë koncepti ideor i vetë mendimit të autorit në rastet më jetike të mbijetesës. E veçanta e kësaj materie përmbajtësore, është lufta e popullit tonë ndër shekuj për t'u çliruar njëherë e përgjithmonë nga zgjedha e huaj. Një urti popullore e dëgjuar, por e harruar nga brezat e rinj, na thotë:"Kalit të coftë, qenit të ngordhur e shkaut të vdekur, mos u beso". Po të përkthehej kjo urti filozofike e provuar popullore, ethet e vdekjes do të godasin me kamxhikun vdekjeprurës. Kështu ma thotë mendja, e provuar me përjetim në vitin fatprerë 1999, mbase edhe kështu do ta lexoja mes rreshtave në këtë hulli jete të dëmtuar padrejtësisht.

Rrëfimet autentike mbi fatin dhe fatkeqësinë e familjes Tahiri, sikur ndërlidhen e internacionalizohen me fatin dhe mjerimin e popujve liridashës të rruzullimit, e të popullit shqiptar me veçanti. Bëhen të përbashkëta në rrafshin paqësor dhe kërkojnë dritë e diell humbëtirave e zgafelleve të pafundme.

Historia rrëfimtare thellohet në detaje të të vërtetave historike, duke zbuluar kështu pjesë të pandriçuara të jetës e të veprimtarisë heroike të Sadriut plot jetë e guxim trimëror, por edhe të bashkëveprimtarëve të kohës së tij. Sepse stinët e zemërimit rezultonin të verdha sa herë që dielli e fillonte perëndimin e vetë në mesditat dhe mesnatat e torturuara nga shkelësi ynë shekullor. Ndonëse shumë ngjarje mund t'i ketë gëlltitur koha dhe harresa, meqenëse shpeshherë rrethanat diktonin jetën me mbijetesë në këtë autoktoni shqiptare. Është i pakundërshtueshëm në gjunjëzimin e harresës.

Në këtë frymë, autori Tahiri, me devocion e ndjeshmëri do t'i arnojë copëzat e kujtimeve, si detajist i përkushtuar, në kuptim të prezantimit të ngjarjeve episodike. Ai patjetër, do t'i referohet bisedave me burrat e moçëm të fshatit e të qytetit, intervistave të shumta me të njohurit dhe të panjohurit e familjes, shkresave e materialeve arkivore, fakteve e dëshmive të kohës nga njohës të mirë të rrethanave, kur veproi dhe u angazhua babai i Ademit, atdhetari dhe patrioti Sadri Zekë Tahiri. Poashtu, këtë monografi, autori do ta pasurojë me fotografi të rralla të personaliteteve të njohur të historisë sonë të lavdishme me interes mbarëkombëtar. Të gjitha këto të shkruara e të ndriçuara, konsiderohen të konfirmuara reale e të pamohueshme që, pa dyshim, do të shërbejnë si vlerë sublime për plotësimin e faqeve të ndritura të historiografisë sonë kombëtare.

Gjithnjë në trajektoren e madhe të autenticitetit historik dhe të traditës zakonore të këtij nënqielli, me besim i vendos dhe personazhet me vlera të rëndësisë së veçantë. Sepse figurën qendrore të veprës dhe bëmat e atdhetarit Sadri Zekë Tahiri, nuk do ta bëjnë të plotë, pa përmendur me epitet fytyrat e ndritura të penës e të mendjes, të qarkut e të sakrificës, siç janë:Xhemajl Kada, Asim Vokshi, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Emrush Miftari, Mulla Zekë Bërdyna, Shaban Basha, Sali e Fet Ukella, Ali Macula, Hasan Murat Morina, Sylë Mehmeti, Nimon Rexhë Muriqi, Zhukë Haxhia, Vesel e Isuf Beka, Sefa i Najës, Sali Vuçitërna e shumë e shumë të tjerë të Lëvizjes Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, si opozitarë të përbetuar kundër Mbretërisë SKS. Këta njerëz të mëdhenj, kundërshtarë të parevokueshëm, madje deri në vetëflijim, siç i quan autori, janë kujdestarë të Shtëpisë së vetë-Atdheut të shenjtë, të kësaj toke martire të tkurrur e të larë me gjak, pesëfishtë të ndarë e të copëtuar, mbi gopin e të cilës luheshin e qebesa edhe sot po luhen lojërat më të ndotura e më të rrezikshme që njeh historia njerëzore.

Rrëfime me ngjarje që mbanin vulën e atdhetarizmës

Kryepersonazhi i veprës, dëshmori i kohës Sadri Zekë Tahiri, rreptë e me mllefin më të zemëruar, do t'i kundërvihet Programeve gjenocidale, famëkeqe e ogurzezë të garashaninëve, çubriloviqëve, andriqve e titistëve/1953/, rreth shpërnguljes së popullatës shqiptare për në Turqi dhe zbrazjes definitive të Kosovës nga qenia jonë, për ta bërë të lehtë kolonizimin e saj me ardhacakë të tipit karpato-savano-ruso sllave.

E, Sadri Zekë Tahiri i trevave të molisura nga rezistenca e përhershme, i ribetuar me qindra herë për mbrojtjen e atdheut, jetoi me nder, foli tërë jetën me dashuri për kombin shqiptar dhe, më 14 prill 1941, duke luftuar me forcat e panumërta të shovinistëve serbo-malazias, në prag të shtëpisë e në sy të familjarëve, heroikisht bie nën fishkëllimën e plumbave të zjarrtë në motin e keq.

Në varrimin e tij morën pjesë njerëz të kohës që mbanin vulën e atdhetarizmës kombëtare, në mesin e të cilëve ishin edhe Mulla Zekë Bërdyna e Nimon Rexhë Muriqi. I pari, Mulla Zeka do të shprehet:"Mungesa e Sadriut do të më godas edhe mua, sepse kemi kaluar një kohë të gjatë së bashku..., por, besoj se unë me shokë do ta vazhdojmë rrugën që e kemi nisur deri në çlirimin e plotë të popullit tonë të robëruar". Kurse i dyti, do të nxjerrë nga shpirti këto fjalë: "Na le të vetmuar mu në kohën kur po bëhet masakër mbi popullin e pafajshëm nga xhandarmëria dhe serbët vendas". Ishin këto fjalët e pikëllimit e të ndarjes përgjithmonë nga patrioti Sadri Zekë Tahiri.

Autori nuk nguron të na thotë se kjo qëndresë heroike e Sadriut dhe bashkëkohanikëve të tij, përballë goditjeve të ashpra e me ndëshkim, do të shndërrohen në kristale frymëzimi, për t'ua ngulitur idenë e qëndresës brezave që vijnë.

Rrëfime mallëngjyese e me peripeci të shumta

Një kaptinë e veçantë, me përshtypje të paharruara, shpalosen rrëfimet për shokët, miqtë, kolegët e punës e të fëmijërisë, dashamirët e familjes së gjerë nga fshati e qyteti.

Resurset e begatshme natyrore, peizazhet e bukura dhe udhëpërshkrimet e vendeve të ndryshme, brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë, zënë vend të rëndësishëm në zhvillimin e shumë ngjarjeve të kohës, meqë edhe këto në momente të caktuara patën rol të madh në jetën dhe veprimtarinë e autorit. Të gjitha këto, enden të pakëputura në mendjen e autorit, kurse vizitat e tilla do të ruhen si të papërsëritshme.

I mërguari nga Lipa dhe i vendosur në Belgjikë, me lotë në sy e shumë i mallëngjyer për Kosovën, do t'i thotë autorit në ndarje:"Nëse nuk shihemi më, të lutem përshndeti të gjithë". Po, kush ishin ata...të gjithë?! Mbase i gjithë populli liridashës i Kosovës apo i gjithë kombi ynë!!! Mendim i dalë nga shpirti me dhembje të madhe. Kjo, gjithsesi, të rrëmben e të rrënon në ind edhe përtej largësive. Digjeshin atdhetarët për Kosovën që, u dogj gjithmonshëm.

Autori, tani me kujtesën e një djaloshi do të zgjohet dalëngadalë, si ato pranverat e hershme, kur çdo gjë rilindet bereqetshëm e gjallërohet dhe shkundet nga moti i acartë. Ai do ta ndryshoi itinerarin e jetës, ai do ta kërkojë rrugën e ardhmërisë së vetë. Faqe jete që janë shkrirë brenda kornizave të kësaj vepre. Mirëpo, peripeci të shumta do ta prekin autorin gjatë dhe pas shkollimit. Ai, do të ndeshet me mynxyrat më tendencioze e më të paskrupullta të kurdisura nga puthadorët dhe pushtat fodull, duke ia përgatitur hendekun me lëndim të madh. Rebelohet si pararendësit e tij dhe kërkon rrugën e drejtësisë, të cilën me shumë mundime do ta sjell në vend. Sepse, ai e ka të njohur atë thënien e madhe: "Të gjithë e duan, e nderojnë dhe e respektojnë drejtësinë, por njeriun e drejtë askush s'e do". Ëndrrat e ardhmërisë nuk dëshiron t'i vdesin. Të gjalla e të patundura do t'i mbajë besimi i tij shpirtëror. Faqe jete këto që, do ta plotësojnë përmbajtjen e kësaj vepre. Të gjitha momentet, siç thuhet, kyç të jetës apo të paktën disa prej tyre do ta determinojnë formimin e personalitetit të tij të mëvonshëm.

Prandaj, duke e lexuar këtë monografi, të kësaj familje atdhetare, të krijohet përshtypja se, historia jonë është përsëritur shumë herë me të njëjta produkte përjetimi të shfarosjes me epitaf gjenocidi. Poashtu, të vërtetat për vuajtjet me spastrim etnik nuk e fshehin thelbin e rezistencës disashekullore të popullit tonë.

Kujtesa e njerëzve, me autenticitet të dëshmuar pranohet nga shkruesi për ta konstruktuar esencën e logjikës kronologjike të përmbajtjes së kësaj monografie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat