Çamëria në krijimtarinë e shkrimtarit Arben Kondi

Libra

Çamëria në krijimtarinë e shkrimtarit Arben Kondi

Nga: Nga Prof. Dr. Resmi Osmani Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 18:20
Krijimtaria e Arben Kondit

Nga brezi i shkrimtarëve të pas viteve 90-të, Arben Kondi, ndofta është i vetmi shkrimtar,poet e publicist shqiptar, që krijimtarinë e tij të begatë ia ka kushtuar tërësisht çështjes sonë kombëtare dhe etnisë. Çështja jonë kombëtare ende e pazgjidhur, është poli manjetik që ka tërhequr dhe tërheq busullën e krijimtarisë së tij poliedrike: Krijimtarinë poetike, publicistikën, tregimet dhe veçanërisht romanet. Dy janë kahet kryesore të këndvështrimit të tij artistik: Çamëria martire dhe Kosova e robëruar.

Me Çamërinë,shkrimtarin e lidhin shumë fije: Së pari ajo gjenetike, është nga Shalësi i Konispolit,nga ajo pjesë e vogël Çamërie që mbeti brenda kufirit shtetëror më 1913. Edhe pse i lindur në Tiranë,ai u rrit në familjen e tij me tradita atdhetare, e cila që për së vogli i ushqyer dashurinë për vendlindjen, për Çamërinë. Arbeni ka besuar dhe beson se kauza e drejtë çame, aspirata e popullsisë së kësaj krahine për te gëzuar pronat dhe vatrat e të parëve, është e drejtë e ligjshme dhe, se një ditë do të triumfojë. Për këtë kauzë dhe aspiratë të shtruar për zgjidhje, që tashmë nuk është vetëm e shqiptarëve me origjinë nga Çamëria, por e të gjithë kombit, duhet të militojnë të gjithë. Shkrimtari në shërbim të kësaj kauze, ka vënë artin e vet, artin e fjalës së mençur e të bukur, artin e fjalës së shkruar. Janë të shumta librat që ky autor i ka kushtuar Çamërisë dhe problemit çam: Eseja udhëpërshkruese”Rikthim në Çamëri”,”Epiri në një këndvështrim të ri”, “Shqipëria etnike ose njohja e vetvetes” që përbëjnë një triptik sa historik e me vlera njohëse, por edhe me art, bukuri dhe domethënie të drejtpërdrejtë. Romanet “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”,”Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva” , “Djaj me veladon”, “Mëhalla e Muhaxhirëve” , “Dionisi i Paramithisë” dhe “Gjin Bue Shpata-ky princ i madh shqiptarë” janë vepra madhore, që janë pritur mirë dhe lexuesi e kritka kanë thënë fjalën e tyre.

Në këto vepra, në një hapsirë kohore që nis nga lashtësia dhe mbërrin në ditët tona, nëpërmjet subjekteve historike dhe ngjarjeve reale, në lëvizjet politike dhe sallonet diplomatike,në selinë e patrikanës fanariote dhe labirintet e errëta të shovinizmit Helen, autori paraqet me mjetet e artit të vet fillesat e zbatimit të teorisë së “Panhelenizmit” dhe “Megalidesë” famëkeqe,për çkombëtarizimin e shqiptarëve dhe gllabërimin e trojeve të tyre me të gjitha mundësitë dhe mjetet: Që nga ushtria e priftërinjve me Kozma Etolianin deri te hirësia e tij Janullatosi, e deri te zjarri dhe hekuri, luftërat, dhelpëritë, dinakëritë shoviniste, mohimit të gjuhës dhe kombësisë, me qëllim çbërjen dhe asimilimin, grabitjen e pasurisë, për të dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre etnike ku jetonin prej mijëra vjetësh. Kjo ka qënë dhe mbetet një ideoliogji dhe strategji kombëtare konstante e shtetit grek, shfaqie të së cilës manifestohen edhe sot e kësaj dite në praktikat politike dhe diplomatike ndaj vendit tonë. Vitet kalojnë, kohët ndryshojnë, por mentaliteti dhe pretendimet kondrashqiptare mbeten po ato. Vorio Epiri ze kryet e vendit. Parë në këtë prizëm,vepra e Kondit mbetet aktuale.

Me vetëdije të lartë atdhetare, për fatin e bashkëkrahinarëve të vet, shkrimtari zbret thellë në historine e Epirit dhe Çamërisë, te rrënjët,te gjeneza, te e vërteta e origjinës dhe prejardhjes iliro-arbërore dhe vazhdimësisë së saj. Duke iu drejtuar së shkuarës, ai troket fort në dyert e së sotmes, ndriçon mendjen e brezave të tanishëm. U rrëfen atyre se nga vijmë, pasardhës të kujt jemi. Ngjall ndjenjat e atdhedashurisë dhe bindjen se kauza çame, çështja çame dhe aspirate për rikthim në Çamëri, është e drejtë e patjetërsueshme, ligjore, historike dhe humane. Parë në këtë këndvështrim, shkrimtari është misionar, vazhdues i veprës së rilindasve tanë të shquar, por në një kohë tjetër. Ai le që të kuptohet, se pas pavarësimit të Kosovës dhe ringjalljes së fortë të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve në Iliridë,Preshevë e Bujanovc, Mal të Zi dhe Çamëri, mund të themi se shekulli i XXI është shekulli i shqiptarëve, për realizimin e idealit rilindas, vullnetit të Lidhjes së Prizrenit,të përfshirjes të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar. Kjo aspiratë, nuk realizohet vetiu, por kërkon përpjekje nga kushdo, nga çdo shqiptar kudo që ndodhet, por veçanërisht nga intelektualët, inteligjenca krijuese dhe veprimtarët shoqërorë e politikë.

Pa asnjë mëdyshje, me koshiencë të plotë, Arben Kondi, me veprën e vet letrare, sa artistike, patriotike dhe militante, që prej më shumë se njëzet vitesh, e ka vënë veten në radhët e para të veprimtarëve të kauzës çame. Krijimtaria e këtij autori, shquhet për vlerat e saj ideo artistike, bukurinë e gjuhës, kompozicionit, filozofisë dhe mesazhit që përcjell. Në romanet “Vrasja e dytë e “Marko Boçarit” dhe “Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva”, “Mëhalla e Muhaxhirëve”, “Dionisi i Paramithisë”, “Gjin Bue Shpata”, etj lëvizin një galeri e tërë personazhesh historikë, kapedanë e prijës popullorë të vërtetë, të individualizuar, që kanë hyrë në histori dhe kujtesën e popullit si pjesë e historisë sonë kombëtare. Thelbi i kontradiktës në këto romane është ndeshja e së mirës me të keqen, drejtësisë me padrejtësinë, dinakërisë me burrërinë, humanizmit me barbarinë, patriotizmit me shovinizmin, dashurisë me urrejtjen. Gjithë këto midis shqiptarëve të çamërisë dhe shqipërisë që luftojnë për mbrojtjen e trojeve të tyre, nga njera anë dhe, shtetit grek, andartëve dhe bandave të egra nga ana tjetër. Në faqet e romaneve,gjaku i pafajshëm i shqiptarëve derdhet lumë, për të arritur pikën kulmore në masakrën gjenocidiale më 27 qershor 1944, që vazhdoi deri në shkurt të vitit 1945 në Filat. Lexuesi gjen në faqet e romaneve terrorin e egër, rrënqethës, çnjerëzor, ndaj të pafajshmëve, grave, fëmijëve, pleqve. Ishte një masakër dhe spastrim etnik i pashembullt, ndofta më i madhi në fundin e Luftës së Dytë Botrore. Shkaku dhe motivi i gjithë kësaj barbarie ishte ngaqë ata ishin shqiptarë!

Në veprën e këtij shkrimtari, për Çamërinë ka shumë dhimbje, shumë vuajtje, kapituj dhe qindra faqe të dhimbshme, nga rreshtat e të cilave kullojnë gjak e lote të pafajshmish dhe dhimbje njerzore e pafund. Kjo prozë të trondit, të bën të mendosh, të meditosh dhe përjetosh në subkoshiencë fakte dhe ndodhi historike të vërteta, të pasqyruara me art e realizëm. Lexuesi e jeton atë që lexon dhe bëhet pjesmarrës i ngjarjeve si të ishte vetë një personazh. Kupton se haraçi i gjakut të derdhur për Çamërinë martire ka qënë shumë i lartë dhe se themelet e çdo kombi mbruhen me gjak.

Krijimtaria e këtij autori për Çamërinë, jo vetëm që është shkruar me shumë art, por edhe me shumë dashuri. Këtë dashuri lexuesi e ndjen dhe vetiu i lind ndjenja e zemrimit të ligjshëm, urrejtjes dhe përbuzjes për mbartësit e së keqes, duke forcuar bindjen se kësaj padrejtësie historike duhet ti jepet fund. Romanet nuk mbyllen me fund të lumtur, por të mundurit kanë me vete fitoren morale dhe të drejtën. Leximi i krijimtarisë së A.Kondit për Çamërinë i thotë lexuesit: “Mos harro, Çamëria është gjaku ynë i pafalur dhe se na takon ne, që të luftojmë me të gjitha mjetet e botës demokratike për të vënë në vend padrejtësitë historike, deri te rikthimi i popullatës shqiptare të çamërisë në vatrat e saj historike”.

Arben Kondi, është ndofta më i lexuari nga shkrimtarët shqiptarë bashkëkohorë. Nga librat e tij janë shitur qysh nga fillimi pesdhjetë mijë ekzemplarë: Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kuptohet, jo në Çamëri ku portat janë të mbyllura. Disa nga librat janë ribotuar disa herë. “Rikthimi në Çamëri” ka njohur dhjetë botime dhe është përkthyer edhe në anglisht. Në kuadër të Njëqind Vjetorit të Pavarsisë, autori përmblodhi në një botim dinjitoz, krijimtarinë e tij më të mirë në tetë vëllime, e cila u prit mirë dhe ka ecuri në tregun e librit.

Shkrimtari është ende i ri dhe në kulmin e punës së tij krijuese. Ai, besoj se do të na japë edhe në të ardhmen vepra po kaq të arrira për Çamërinë dhe çështjen tonë kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat