Vargu si provokim i mendimit të thellë njerëzor, filozofik dhe poetik...

Libra

Vargu si provokim i mendimit të thellë njerëzor, filozofik dhe poetik...

Nga: Hasan Hassanramaj Më: 29 janar 2017 Në ora: 11:22
Kopertina e librit

 (Sejdi BERISHA: ”Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, poezi të përkthyera në gjuhën greke nga krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, Iliaz Bobaj)

Opusit krijues dhe letrar të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, iu shtua libri më i ri me poezi, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, por tash i përkthyer në gjuhën greke. Në këtë vepër, të cilën e përktheu krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, z. Iliaz Bobaj, i cili jeton dhe vepron në Greqi. Bobaj ka shprushur vlerat më pikante poetike, shpirtërore, filozofike dhe njerëzore të autorit, Sejdi Berisha, i cili deri me tash ka botuar tridhjetë e gjashtë vepra nga fusha të ndryshme: poezi, prozë, eseistikë, monografi, dramë, kritikë letrare etj.

Vetë titulli i librit më të ri me poezi, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, ka sjellë bagazhin dhe ndijimin më sublim të peshës shpirtërore dhe poetike të autorit, ku prezanton aktualitetin, historinë, dhembjen, lumturinë dhe madhështinë e njeriut, por edhe zërin e tokës, atdheut, të kombit mbase edhe të njerëzimit nëpër kohëra e periudha.

Poezia dhe vargu i këtij krijuesi, që gjithnjë është karakteristik, me vlera të veçanta dhe të shumëfishta jo vetëm letrare, në këtë vepër na del si një strall që rrumbullakon cilësinë esteto-letrare por edhe mesazhin e mendimit filozofik, i cili është i mbrumur me metaforën, satirën dhe me klithmën,  jo vetëm sa për ta ndritur dhe nderuar mendjen, lirinë dhe madhështinë e njeriut, por, gjithnjë troket në derën e arsyes për ta “gjetur” ndërgjegjen dhe vetëdijesimin për rrugëtimin e historisë dhe të dhembjes, të cilat gjëra vrasin, lëndojnë dhe ngrehin zërin për të ndritur, zbardhur, përqafuar dhe përjetësuar gjithçka që qëndron në “hije” e që nuk është bërë lapidar jete, fjale e dëshmie, me të cilat duhet krenuar por edhe ecur më drejtë dhe më kokëlartë përpara:

“Yjet

Do zbresin nga kaltërsitë

Për të na bashkuar

Për të na shtrënguar

Kaherë kanë pritur

Kanë ëndërruar

Të na shndërrojnë në një

Në një tokë e dashuri...”

Autori, ndoshta këtë vepër e ka sjellë me një titull me “therjen” e mallit dhe me alegorinë e ngulfatur të kohës, sepse, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, është diçka që të kthen në kohën e trakullimave shpirtërore por edhe historike, jo vetëm të individit por edhe të komunitetit, mbase edhe të kombit, atdheut dhe të njerëzores, për këtë edhe ligjëron zjarrmishëm:

“Pritjet

Si duket shprehi i kemi

Diçka më rrëqeth

Prej nga ky nxitim

Për ngadalësi...”

 

Kështu, edhe vendlindja, edhe shtëpia e stërgjyshit, gjyshit dhe e babait, janë vule e jetës, e kujtimeve dhe e respektit por edhe e mbrojtjes së dinjitetit familjar dhe kombëtar, që tani shndërrohet në shumëçka, në histori ndoshta të lënduar, në dhembje e mall, që qortojnë thekshëm dhe pa pardon:

“Tash...

Dua të kthehem

Në shtëpinë e babait

Ka mbi gjysmë shekulli

Nuk e gjej dot...

Oborr as dyer oborri nuk ka

Shtëpia që nuk ekziston

Brenda

Pak mure e do shenja të vjetra

Por pa gjurmë të plakut tim

Përveç ngjyrave të shokës

Me të cilën brezin e trupit e ngrohte

Edhe hijes së kamishit prej qelibari

 

Në katin e sipërm të kullës

Dritaret e vogla si etje drite

Edhe do rrjetë merimangash

Për të krijuar imazh lashtësie

 

Në ballë oxhaku

Në gozhdën e raftit

Ku qëndronte kafja për mysafirë

Tufë e çiftelisë kishte ngelur kacavjerrë

Edhe një copë cerge me lesh dhie

E plisi i bardhë pa asnjë gjurmë

Merrnin frymë pavdekësie...”

Një këndim i tillë, jo vetëm se dhemb, jo vetëm se poezinë e bën mbretëreshë të jetës dhe përjetimit shpirtëror, por edhe lexuesin e “ngatërron” me vetveten dhe me jetën e historinë...

Ndoshta, për këtë arsye, edhe jo pa qëllim, autori librin e përmbyll me vargjet:

 

“...Zgjohu, o plaku im

Qëndro me mua

Vetëm deri sa ta kaloj

Lumin tënd të rrëmbyeshëm

Se shumë ura stuhitë na i kanë rrënuar

E urtia jote edhe sot më duhet...”

 

Ndijimi shpirtëror i shprehur përmes këndimit poetik, nuk është vetëm thjeshtë këndim...

 

Lirisht mund të thuhet, se duke e lexuar veprën e  shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA,  se ndijimi shpirtëror i shprehur përmes këndimit poetik, nuk është vetëm këndim i thjeshtë apo vetëm varg poezie. Përkundrazi, tek vargu fuqishëm e hasim jo vetëm madhështinë dhe filozofinë e shpirtit krijues, por edhe qasjen e veçantë ndaj jetës, ndaj asaj që njeriun e bën në të njëjtën kohë edhe të lumtur edhe madhështor edhe atëherë kur ka mall e dhembje.

Këta, nëse mund të thuhet faktorë, reflektojnë edhe nivelin e mendimit dhe të fuqisë së vargut, të vetë poezisë dhe të zjarrmisë së shpirtit, dhe kështu, pesha dhe mesazhi poetik, gjithnjë njerëzishëm qëndrojnë vertikalisht, si një lapidar përjetësie...

Krahas kësaj, autori jetën e konsideron si diçka më shumë se komplekse, si diçka që kurrë nuk kuptohet dhe as nuk përjetohet deri në fund. Andaj, ai edhe lidhur me këtë ja se si shprehet: “...Mishërimi i melankolisë si pjesë e lumturisë, e dhembjes, e dëshpërimit por edhe e së bukurës dhe madhështore,... pastaj, harmonia dhe absurdi i ndijimit shpirtëror bashkë, sikur jetës m’i bëjnë kala në cilën vështirë hyhet në të, e nga ajo ndoshta nuk dilet asnjëherë...”!

Ndërkaq, autori duke qenë i lidhur ngushtë dhe etshëm me historinë, me heshtjen dhe fjalën e saj, me dritën dhe terrin e rrugëtimit nëpër kohëra, për Kalanë e Gjirokastrës thotë: “Po sa shumë njerëz, nëpër kohëra kanë defiluar në këtë amfiteatër... E tash,... unë rropatëm të kuptoj vetëm edhe pak për historinë e tij, për një pjesë të lashtësisë, të kulturës dhe të madhështisë së kombit tim...”!

Edhe ky qëndrim e mendim, padyshim se edhe më shumë bëhet peshë e vlerave të librit, që  dëshmojnë se vargu është pjesë e shpirtit të poetit dhe si provokim i mendimit të thellë njerëzor, filozofik dhe poetik...!

 

“Në secilën kohë, mëkati dhe idealizmi me të bukurën e ëndërrimit sikur shtegtojnë së bashku me krijuesin”

 

Për krijimtarinë poetike të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, ja se çfarë thotë në mes tjerash, edhe shkrimtari, kritiku dhe studiuesi, Prend Buzhala: “...Duke qenë poet, dramaturg, prozator, eseist, autor monografish të shumta, megjithatë Sejdi BERISHA, mbetet poet që iu ka përkushtuar vargut poetik për një kohë të gjatë. Këndim-shkrimet paralele (poezi-eseistikë) shpesh e shpesh janë rikëndime eseistike ose poezi e eseistizuar.. Poeti ia vë vetes për obligim të flasë për mëkatet që i bën kjo kohë, që i shkakton vetë kjo hapësirë. Nuk është e habitshme pse në këso rastesh fjala e poetit vishet me revoltë a me klithmë të brendshme, me meditim të pezmatuar a me thënien lirike të acaruar, por të kontrolluar rreptësisht nga shkurtësia e vargut a nga prerjet e saj të shkoqura...”!

Ndërsa, krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi, Iliaz Bobaj, në bazë të tërë kësaj që u thekua, me respekt, pedanteri dhe profesionalizëm por edhe me ndijim të lartë krijues e poetik, ka bërë përzgjedhjen e poezive të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, për t’ia prezantuar edhe opinionit dhe lexuesit edhe në gjuhën greke.

Iliaz Bobaj, përveç se është një krijues i nivelit, ai ka kontribuar dhe po kontribuon në afirmimin e vlerave letrare shqiptare në Greqi, por edhe në afirmimin e krijimtarisë letrare të autorëve shqiptarë, për çfarë, deri me tash ka bërë përkthimin e shumë veprave por edhe të shkrimeve të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat