Kulturalja dhe akademikja te “Moskuptimet” e Ilir Muharremit

Libra

Kulturalja dhe akademikja te “Moskuptimet” e Ilir Muharremit

Nga: Albert Vataj Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 19:59
Kopertina e librit

Njeriu si unitet dhe mendimi estetik si trysni e procesit evolutiv të gjithësisë përbërës dhe veçantisë shpjeguese të të vetvetishmes në realitet dhe në botkuptim; Zoti si shtysë shtjellash sendërgjuese të mendimit dhe kumtit; moskuptimet, si gjendje e amullt dhe gjithnjë e mbarsur; përkimi i ideve dhe përplasja e botkuptimeve, përbëjnë gjithëçfarë Ilir Muharremi rreket të sjell në këtë sfidë të tjetërllojtë nga të mëhershmet qasje komunikuese me lexuesin.

“Zoti dhe ekzistenca”, “Arti dhe vlera”, “Njeriu i revoltuar si dominues”, “Letërsia dhe absurdi”, “Përjetësia në artin skenik” janë këto katet e shqyrtimit filozofik, marrëdhënies me njeriun si një vetëvete e gjithpranuar në proces, në evoluim, në konflikt, dyshues dhe thelbësisht moskuptues.

Midis veprave njerëzore, vepra e artit ajo që duket më rastësorja në këtë përqasje filozofike trajtohet në shtresëzimet e kohëpaskohëshme. Muharremi e rrëmon humusin që ka zënë përfundi mendimi dhe e nxjerr faqe dritës së një arsyetimi të ndryshët. Ne, vijojmë të jemi të prirur të besojmë se mëkuesja estetike si akt çlirimi brendandjesor dhe se gjuhë komunikimi ka lindur nga kuturisja, nga mungesa e rregullave dhe e arsyes. Ajo është në duart e realitetit, të paparashikueshmes dhe arbitraritetit. Si e tillë, për Muharremin është një motivim për një këndshikim më përshkues përnga e thelbëta. Kur artisti krijon ai i vihet nga pas fantazisë së tij vetjake dhe kur publiku e miraton, dakordësohet, ose më saktë arrin të realizojë pjesëmarrjen në këtë bashkëndarje ideshë dhe përjetimesh. Ai praktikisht ka rënë pre në grackën e joshjes dhe trandjes përmes mendimit por diçka duket se i’a prish drejtpeshimin. Ai është aty, pavarësisht se në një të përkohëshme që e rrëmben. Merr gjithçka që mundet dhe ikën, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë tek ky cak përjetimi, por gjithsesi duke pranuar të vetvetishmen ta përshkojë, ta përthith në shtjella që e gremisin në një hon lënde të ngjeshur dhe të ndrysët, që është mëdyshëzimi i pranimit. Gjithqysh artisti me mirëdashjen e tij krijuese arrin të gjej strehë admirimi, por pa u mjaftuar me aq. Nesër ai është sërish në arenë duke kërkuar të jetë “viktimë” e spektaklit të trajtave të shpërthimit.

Është ky artit, qiriri fatkeq që ndrin duke u djegur, ai i cili ka bërë vend në nevojën e gjithëkoheshme për të dëshmuar. Ai i ka besuar veprës së tij, gjithçka që i duhet për të dhënë, dhe gjithçka që është bërë e mundur si reale e thelbësores është moskuptimi.

Është kjo marrëdhënie, panoramimi i iracionales si thelbësore në relativen e shprehësisë, ajo që parashton nevojën e asaj lënde moskuptimi si domosdo dakorduese.

Ilir Muharremi me një përvojë të admirueshme publicistike dhe akademike, me një dije të kultivuar i vihet kësaj sprove të guximshme, jo dhe aq nga zelli për të bërë heroiken, se sa nga emergjenca për të çliruar artin dhe njeriun si unitet, nga barra e anatemës, cingërimat e keqkuptimeve dhe t’i nxjerrë nga fundi i detit si amfora të thyera dhe duke i bashkuar me durim dhe kujdes të na rijapë dëshminë e asaj ndërkohje, atij botkuptimi, e saj force përfytyrimi dhe përjetimi, e cila nëpër kohë është hedhur në skutat ku e nënshtron terri dhe e përjashton logjika boshe dhe arsyetimi i fasadës.

Ilir Muharremi jo rastësor ka përzgjedhur në këtë betejë ridimensionimi të vlerës në botkuptim, mendësi dhe art, Zotin. Në tharm të gjithçkasë është Ai, si i tillë “Moskuptimet” i kanë qëndruar gjithnjë si një aureolë pushteti, adhurimi dhe keqkuptimi. Kanë blatuar më të shtrenjtën për të, i janë qasur, e kanë shënjuar, e kanë qëlluar, gjithqysh janë përpjekur të mëkojnë mundësinë e njësimit në mëtim dhe kumtim. Kjo specie që gjithnjë kërkon të zgjerojë territorin e unitet të vetes në gjithçka, në një farë mënyre të këmbehet me supremen.

Në kapitullin fillues të kësaj beteje sa kulturale aq dhe akademike, Ilir Muharremi ndalet pikërisht aty, te “Zoti dhe ekzistenca”. Një ngucamë për të trazuar grerëzat dhe turfulluar gjakrat, apo një dimension shterues filozofik, si Zotit si dimension, Zotit si koncept dhe Zotit si marrëdhënie.

Në kuadrin e referimeve moskuptuese, Muharremi rreket të zgjidh nyjen Gordiane të “Antikrishtit” të Niçes. Mbi poterën e anatemës ai ndërton një komunikim mirëkuptues. Dhe ia arrin kësaj duke e ndarë Zotin si drita në spektrin e ngjyrave të saja përbërës. I shprish me delikatesë fijet e holla, i akordon dhe i ribashkon duke krijuar një ide novative, një marrëdhënie prej rishtari, një mundësi komunikimi, konfiguron një botkuptim tej etiketës dhe caqeve.

Zoti në kuptimsinë e vulgut, ku Ai glorifikohet  dhe ngre stuhi të rrëmetshme, shfaqet i vagull, por jo përjashtues. Ai është gjithnjë Ai, Zot, i gjithdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm, në materie dhe antimaterie, nga asgjëja ai kurorëzohet gjithçka. Në këtë teh të mpreht ai ecën për të çuar në anën tjetër, në atë të përtej “Moskuptimeve”, Zotin filozofik. E merr nga apstraktja, konkretja, absurdia, fluidja; nga vërshimet e retorikave idilike përfytyruese e nxjerr në pah dhe më durim pasionit i lëshon në duar të andshme për veprim; daltë, penel, nota, fjalë e çmos tjetër, për të ribërë një Zot të gjithëpranuar artistikisht. Kulturalja e shpon tejpërtej gjëndjen që i është dhënë këtij ngulmi dhe i jep jetë një gjallese akademike, por jo aq hijerëndë, metrike dhe të garrametshme.

Ilir Muharremi me zellin e mitologjikes që mishërohet në Prometheun, ai përtërin një dritë të munguar, atë krahasuesen, shndritjne e njimendtë që vjen prej tjetërsimit të trajtave. Ngulmon të gjej një shpjegues të ndryshët ngase derimtash ka mbërritur si stampë, rreptësisht e pandryshueshme.

Gjithë emrat e mëdhenjt të kultit të artit pararendës të iluminizmit, gjithë asaj plejade ideologësh dhe idhujtarësh të mendimit, vijnë, ballafaqohen dhe marrin shqyrtesë të gjithëpranuar. Muharremi i nxjerr nga labirintet e volumeve pafund, nga mohimi dhe shumëpërdorimi, nga e shkuara dhe e tashmja që i gropos në harrim. I sjell në thelbin e tyre dhe i shqyrton, i shpërfaq dhe në një vullnesë gjakftohtë selektimi, shumë të tjerë i lë jashtë vëmëndjes, natyrisht jo si të përjashtuar. Sepse të gjithë përbashkohen në filozofinë e kumtimit estetik, të gjithë i ngas një energji, por edhe një forcë angështie i pështjellon.

Rrëmon nëpër gjurmë drithëruese, hezitimesh dhe dyshimi, dhe i vë në dritën e një arsyetimi shqyrtues, të një dekodimi të mundimshëm. E garrametshmja, dualja, zbrazëtuesja, gjithçka e velur nga plagjatura dhe surrugatja, mënjanohen, përjashtohen, shtypën prej shtjellës së asaj arsyeje që mendimit i jep një vend nderi unanim në rrafshin gjithëkultural dhe gjithëkohor.

Përtëritjet e atypëratyshme i sjellin dhe i risjellin autorë të  gjinive të ndryshme të artit, i shfleton, i analizon, i merr në konsideratë vlerësimin dhe kritikën. Në këtë analizë të gjithë këtyre ballafaqimeve, Muharremi, rrëzon dhe ngre, rivlerëson dhe mënjanon me një mosinteresim. I shkon në themel gjithë lëndës. Krejt kohërat vijnë dhe rivijnë përmes shumë emrash dhe përballjesh, ndeshen dhe përleshen, telendsen dhe munden, por gjithnjë duke lënë ende përballjen si një domodo për t’i çuar moskuptimet në atë nivel pranimi, si të trajtuara në një dritë më koherente analizimi.

Ligjërimi gjithnjë kalon në një progres njëtrajtësor, çka lë të kuptosh për një trysni në vijimësi relative që o godet duke e mbajtur pezull. I heq gravitetin kohor duke e gjykuar si më të mundshmen mosndikimin, pavarësisht se vetë arti, mendimi dhe kumti estetik është pazgjidhshmërisht një lëndë homogjene me zhvillimin me kushtet dhe tërësinë elementeve, deri tek ato atmosferikë. Pamja qartësohet dhe mjegullohet, sa nga densiteti i lëndës së përfshire në shqyrtesë, sa nga ngërthimi botkuptimor dhe larushia trajtuese e përfytyrimit si lëndë shpërthyese e sentimenteve dhe nëvojave imponuese financiare.

Pështjellimet artistike shoshiten nën një përkujdes imponues. Kulturalja dhe akademikja piktakohen dhe rendin paralel në vërshuesen e vet duke e ruajtur një të mundshme mpleksje të pashmangshme. Gjithqysh kjo lëndë në trajtën që merr, në ballafaqimin dhe zbërthimin që pëson, mund të pranohet por paniku i të mundshmes rrefuzuese dhe aprovimit selektiv e ngurtëson pleksejn.

Atyre ndërkohërave gjithnjë në vlim, Muharremi i qaset me kaq përkushtim dhe përulësi shqyrtuese, duke e sjellë sa lakonike aq edhe të shkrifët. Dashtaz ai kërkon me ngulm aprovuesen e njëzeshme dhe pjesmarrjen e të gjithë grupinteresave në këtë parashtresë mendimi. Ngadhnjyese kjo që ai mëton për të vënë një piketë në rrugën e pashkelur të trajtesës të kësisojtë. Gjithëpoaq, kundërthëniet dhe oponenca e mendimit nuk është një panik pritës që i druhet, prej të cilit autori i “Moskuptimit” lips të mbrohet. Ai është në këtë përballje krejt i papërlyer prej asnjë ndikese dhe këshilluesi anësish dhe hatërmbetjeje.

Arti për të është një lëndë dhe këtë miksurë estetike ai duhet t’ia servir një brezi zelltarësh dijetuesësh dhe një armate të ethshem akademikësh si një masë e homogjenizuar në ide dhe koncept. Auditori dhe diapazoni janë për të oksigjeni për krijesën e sapopropozuar si një kuptimsi shterruese e “Moskuptimeve”, të cilat, natyrisht që ai është i vetëdijshëm se do të vijojnë të ziejnë në havanin e përbindshëm të shtjellës së botkuptimeve. Gjithsesi ai sjell një përpjekje të guximshme për t’u përballur, për t’u ndeshur, për të sfiduar. Ai nuk ka zgjedhur të iki duke u pajtuar me ngërçet që e lëngojnë mendimin e tij racional estetik, marrëdhënien e artit-artistit me kohën dhe përceptimin. Zemra e një bote të madhe mendimi dhe iluminimi, përjetimesh dhe përfytyrimesh është në duart dhe përkujdesin e tij si kirurg.

Vetoja e mendimit të Muharremit përmbyll debatet e stisura si motivim arsyetues nën një dritëshikim dhe drejtpeshim koherent. Parashtrimet që argumenton, ballafaqimet dhe shyrtimet që shoshit, vijojnë në një zgjatim të tendosur kreshtash të mendimit dhe shprehësisë ndërbreznore.

“Moskuptimet” e Ilir Muharremit nuk pretendojnë të rikthejnë ekuilibrin e përbotshëm të marrëdhënieve të Njeriut me vete, me Zotin, me gjithë format shprehëse që atij i janë qasur dhe vijojnë ta godasin duke e lënë gjithnjë kërkues, gjithnjë të huaj dhe të panjohur, dyshues deri në refuzim, mospërputhës, në konflikt me veten dhe me gjithcka që i kumtohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat