Personalitet me vlera njerëzore dhe profesionale

Libra

Personalitet me vlera njerëzore dhe profesionale

Nga: Zejnulla Saliu Më: 1 qershor 2017 Në ora: 08:11
Libri “Krijimtaria, kontributi dhe vlerat pedagogjike te profesor Xheladin Muratit”

Fillimisht duhet të them  se profesor Xheladin Murati, është personalitet krijues dhe njëri nga pedagogët me shumë vepra pedagogjike. Nga 32 vepra të botuara 26 janë nga fusha e pedagogjisë dhe 6 tjera jane nga politika dhe monografi. Ai është i lindur në 1942 në Xhepçisht, një fshat i lulëzuar, me njerëz bujar dhe unik për nga pasionet zhvillimore nga i cili dolën politikan modern dhe biznesmen të suksesshëm.

Thjesht ai është persosnalitet të cilit padrejtësitë i kanë dhënë kurajo të arrijë suksese. Ka shpirt të trazuar, është vazhdimisht në lëvizje dhe me plane pune. Gjente kohë për t’u ndihmuar të tjerëve edhe atëherë kur kishte telashet e veta. Ka eksperience të veçantë dhe entuziazëm pune. Ai nuk qëndron në vend, është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë

Libri “Krijimtaria, kontributi dhe vlerat pedagogjike të profesor Xheladin Muratit” është një kontribut i vërtetë në fushën e pedagogjisë, me çka pasurohet edhe më shumë fondi i literaturës pedagogjike duke i dhënë hapësirë lexuesit për të zgjeruar  njohjen e vlerave pedagogjike dhe edukative - arsimore në përgjgithësi.

Këtë studim e përshkon fryma e shkencore e të menduarit dhe synon për t’u thelluar në fenomenet pedagogjike. Studimi paraqet qasje serioze dhe bashkëkohore në analizën dhe shtruarjen e mendimit dhe të pikëpamjeve pedagogjike të profesor Xheladin Muratit.

Kjo qasje e re e bën studimin  përmbajtësor, domethënës dhe të kapshëm për ata që e lexojnë dhe që shprehin gatishmëri për të kuptuar  studimet e pedagogjisë e të organizimit të arsimit.

Ajo që studimin e dallon nga veprat e shumta të kësaj natyre është fakti se autorja përpiqet për t’i analizuar dhe shpjeguar mendimet, idetë dhe vlerat pedagogjike të profesor Xheladin Muratit në frymën bashkëkohore, që njëherit është edhe guxim për të sintetizuar vlerat  pedagogjike të tij nga veprimtaria e gjerë dhe dimensionalisht e shtrirë në të gjitha disiplinat e pedagogjisë. Prandaj ajo  është e vlefshme për lexuesit, studentët dhe mësuesit, pa marrë parasysh nivelin e dijes shkencore.

Pikëpamjet, idetë dhe qasjet e paraqitura në këtë studim i përshkon përpjekja për të dimensionuar veprimtarinë e gjerë dhe të bujshme të profesorit, të cilat nuk ndahen nga ajo që është njerëzore tek ai, nga ajo që është shoqërore  dhe kulturore.

Në këtë studim autorja, i qaset analizës dhe shpjegimit të çështjeve të ndryshme nga pedagogjia si: kuptimet elementare nga pedagogjia, didaktika, metodika, metodologjia e kërkimit e të ngashme.

Në veçanti në studim trajtohet lidhshmëria e teorisë me praktikën dhe dukurit pedagogjike analizohen me kuptimin e zhvillimit, duke dhënë edhe shembuj konkret nga praktika.

Studimi përmban çështje, të cilat kërkojnë shpjegime integrale  siç janë ato që kanë të bëjnë me psikologjinë, filozofinë e të ngjashme. E vetëdijshme për rendësinë e studimit, autorja bënë edhe krahasime madje shtron edhe pyetje të shumta. Ajo ka arritur që në mënyrë të zgjeruar dhe të plot ti paraqet vlerat pedagogjike dhe konceptet e gjëra shkencore të profesor Xheladin Muratit. Duke dashur të jetë konkrete, autorja citon mendime nga veprat e tij, të cilat shërbejnë si ilustrime të shpjegimit të mendimeve.

Autorja bën logjikime dhe vlerësime edhe sipas mendimit të lirë të saj duke u munduar që të jetë sa më objektive dhe kreative në analizën dhe shqyrtimin e mendimeve pedagogjike në mënyrë që të jetë sa më reale në shtruarjen e krijimtarisë së profesorit.

Pra, studimi në fjalë me përmbajtjen e tij, do të ndikoj në të kuptuarit e kontributit, porosive pedagogjike, nxitjen që bën ai për studimin e problemeve dhe fenomeneve pedagogjike, arsimore, edukative, komunikologjike, metodologjike e të ngjashme. Nga studimi del qartë se profesor Xheladin Murati ka kontribuar për begatimin e ideve progresive pedagogjike në favor të përforcimit të bashkëkohësimit të shkencës.

Është e njohur se pedagogët nuk janë të gjithë njësoj, dhe vështirë  është  të gjesh dy të ngjashëm. Në këtë drejtim edhe profesor  Xheladin Murati dallohet. Ai vërtetë me kontributin e tij dhe vlerat paraqitet si konstruktues të mendimit pedagogjik bashkëkohor, dhe që kam bindjen se del si propozim i tij pedagogjiaa të quhet Edukologji. Në këtë kontekst, me të drjet shkruan autorja: “Profesori, Xheladin Murati, ka lënë gjurmë të vërtetë e domethënëse në ngritjen dhe afirmimin e vlerave dhe përpjekjeve të reja në shkencën e pedagogjisë. Ai nuk ka ngjashmëri me Pestalocin as me Komenskin, nuk ka as me Xh. Djuin e G. Mialaren në shumë dimensione që nga personaliteti, forca dhe aspirimi. Por,  megjithatë, kontributi i tij në afirmimin e vlerave, koncepteve dhe strategjive pedagogjike është gjurmëlënës”.

Mendoj se ky studim do të shërbej si inspirim edhe për të tjerët qe merren me studime nga fusha e pedagogjisë për t’iu qasur kërkimeve pedagogjike nga aspektet e shumta të saj duke filluar  prej atij moral-etikë, estetik, intelektual, emocional-social, komunikologjik e të ngjashme.

Besoj se studimi i autores mr. Ixhrije Aziri “Krijimtaria, kontributi dhe vlerat pedagogjike të profesor Xheladin Muratit” jo vetëm që është shembull studimi, por ai i njohton lexuesit me problemet nga më të ndryshmet në fushën e pedagogjisë, arsimit e të shkollës dhe mbi të gjitha me personalitetin e tij në  veçanti  me vlerat njerëzore dhe profesionale të profesorit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat