Libra të mirë vs libra të këqij

Libra

Libra të mirë vs libra të këqij

Më: 18 qershor 2017 Në ora: 06:51
Ilustrim

E kujt nuk do t’i pëlqente një libër i mirë! Çështja është kush apo çfarë e definon vlerën e një libri? Para disa ditësh u gjenda në mes të një diskutimi online; njerëz të ndryshëm përplasnin mendimet (me kë po tallem, po impononin mendimet e tyre) rreth një libri të publikuar së fundmi.

Një pjesë e komentuesve e përjashtonin apriori librin në fjalë dhe shkonin më tej, duke paragjykuar njerëzit që e lexojnë me arsyetimin se libra të atij lloji – që në fakt hyjnë në serinë e bestsellerëve – nuk na qenkan libra me vlerë dhe mbi të gjitha nuk janë frytdhënës?!

Ishte pikërisht kjo fjala e fundit që më shtyu të hyja në diskutim; në përgjithësi mundohem t’i shmang diskutimet online, mjaftohem me komente ku shfaq opinionin tim dhe kaq.

Të kthehemi të termi “frytdhënës”! A është në të vërtetë ky qëllimi i letërsisë? Nuk besoj, të paktën unë nuk e shoh kaq ngushtë. Qëllimi i letërsisë është shumë, shumë më i gjerë.

Dhe një prej tyre është argëtimi. Unë personalisht lexoj libra informues, metodikë, filozofikë, por nuk e mohoj se lexoj edhe libra rozë. Sepse më argëtojnë!

Sigurisht që librat nuk janë të gjithë njëlloj, edhe autorët nuk janë njëlloj.

Një njeri i mençur ka thënë dikur: “Nuk ka libra të këqij, ka njerëz që shkruajnë keq”.

Unë e besoj këtë. Sigurisht që nuk mund të krahasoj Paulo Coelho-n me Nicolas Sparks – për njëqind e një arsye të cilat nuk po i rendis këtu – por kjo nuk do të thotë që mos të lexoj asgjë nga ky autor dhe më keq akoma të paragjykoj leximin e teksteve të tij.

Shitjet janë një tregues i mirë i parapëlqimeve të publikut. Fakti që një libër shet miliona kopje në të gjithë botën tregon, në një farë mënyre, se njerëzit e kanë pëlqyer atë që kanë lexuar, ndoshta jo për stilizimin, sintaksën, përdorimin metaforik e alegorik… e shumë cilësi të tjera me të cilat merren kritikët, por për shumë arsye të tjera më të thjeshta dhe tërësisht individuale.

Është e njëjta gjë si me çdo formë të artit. Muzika klasike cilësohet si forma më e lartë e muzikës, gati sublime, por në ipod-in tim gjen edhe rrok e pop, sepse më pëlqejnë, më bëjnë të ndihem mirë. A nuk është ky qëllimi më i lartë i artit në përgjithësi?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat