Jeta e refugjatit shqiptar, në penën e hollë të Bashkim Saliasit...

Libra

Jeta e refugjatit shqiptar, në penën e hollë të Bashkim Saliasit...

Nga: Viron Kona Më: 21 qershor 2017 Në ora: 09:04
“Hyrja” e librit të B.Saliasit

Në këtë botim të ri, publicisti i njohur Bashkim Meleq Saliasi, paraqitet me një libër – ditar mjaft origjinal, ku trajton me realizëm e vërtetësi episode dhe ngjarje mbresëlënëse nga jetë e tij, refugjatë në Greqi.

Tashmë, jeta e refugjatit është bërë e zakonshme për shumë shqiptarë, sikurse edhe literatura, që përshkruan e pasqyron  jetën e tyre, është shumuar. Madje, mund të themi se është përvijuar dukshëm ajo, që quhet “Letërsi e emigracionit” dhe secili nga librat e publikuar ka veçoritë, tiparet, karakteristikat dhe vendin e tij. Autorët, që  kanë shkruar, kanë sjellë në botimet e tyre aspekte, ndodhi, ngjarje, episode e copëza, por edhe këndvështrime interesante nga jeta vërtet e dhimbshme e refugjatit.

Në këtë atmosferë krijuese për emigracionin, Saliasi sjell një libër me një theks njerëzor dhe ndjeshmëri të veçantë, që të bën të meditosh dhe të arrish në  përfundime të qarta, të pakthyeshme dhe vendimtare për ç`mitizimin e idesë së gabuar, se “Jeta rregullohet vetëm  duke shkuar në emigracion”. Sigurisht, kur ke një gjendje pa rrugëdalje dhe përpara teje nuk sheh dritë, por perspektiva të zymta e të turbullta, atëherë thua: “Pa ta provoj edhe unë, si qindra e mijëra të tjerë. E di që shumë prej tyre nuk u ka ecur, por mbase me mua do të ndodhë ndryshe, fati do të më ndihmojë”. Njeriu, përpiqet t`i japë kështu guxim vetes, veprimit ose aventurës,që do të ndërmarrë dhe, pa e menduar gjatë këtë veprim e, ngaqë nuk ka se çfarë të humbasë, i bashkohet armatës së emigrantëve.

Në  kushte e reja të krijuara, gjërat kanë ndryshuar disi. Por në libër paraqitet një dëshmi dhe tablo e gjallë e asaj periudhe, që ka lënë gjurmë të thella në shpirtin dhe jetën e qindra-mijëra shqiptarëve. Ishte koha, kur ishte “heroizëm” dhe aventurë e rrezikshme për jetën, të merrje rrugën e të shkoje refugjat, të kaloje lumenj të thellë dhe të ftohtë, male dhe gryka me borë e acar;  të përballoje rojet e kufirit matanë, që u vërsuleshin refugjatëve si gjahtari presë; të hidheshe në detin me dallgë mbi gomone, por edhe të druheshe se, mos këtu ose tek ai shtegu atje, do të dilte një bandë, që do të rrëmbente gjithçka kishe, ndonjëherë edhe jetën. E, pikërisht në ato kohë, edhe heroi i librit, duke na treguar pulsin dhe rrahjet e zemrës së tij njerëzore,pasqyron emocionalisht sakrificat e jashtëzakonshme, përpjekjet, vajtje – ardhjet, që na sjellin ndërmend “Mitin e Sizifit”, poshtërimet, përjetimet psikologjike të njerëzve të shpërfillur nga vendi  i tyre dhe që nuk e gjenin veten në asnjë “listë”, ndërsa ishin të dyshuar dhe të papranuar nga vendi fqinj. Kësisoj, gjithë frikë në zemër, refugjati ishte i detyruar të trokiste dhe të trokasë dyerve të botës. Ritmika  e kësaj trokitjeje,nga njëra faqe e librit,  në tjetrën, ngjason me trokun e një kali, që ecën e ecën pa pushim, pa ditur se ku të ndalet dhe pa e ndjerë se ç`fat e pret në fundin e vrapit të tij. Sigurisht ndodhë që gjen edhe zotë të mirë, por ndesh edhe në matrapazë, në hajdutë e kriminelë dhe kështu  është i detyruar ose të përshtatet, ose të përplaset me ta, ose të largohet e të kthehet i dëshpëruar prej nga ka ardhur.

Në faqet e librit, që kemi në dorë, bota greke shfaqet herë - herë njerëzore dhe mikpritëse. Por, në mjaft raste, ajo paraqitet e ftohtë, ngjason me një statujë të pandjeshme dhe mospërfillëse, pa u “shqetësuar” për dramat, madje edhe për tragjeditë rrëqethëse, që ndodhin përpara  syve të saj të gurtë. Refugjatin, që troket derë më derë, ndodh që e zbojnë si një qen rrugësh dhe, në këto raste, ai na sjell ndërmend  lypsarin e mjerë,  i cili, nga mëngjesi deri në darkë, thërret me zërin e tij të përvajshëm:  “Më jepni një lek, ju faltë Zoti shëndet!”

Libri ka pesë kapituj dhe, në secilin prej tyre, ndeshesh me  të keqen, që fokusohet dhe merr formën e fytyrën e një oktapodi gllabërues, që lëshon e përhap tentakula gjithandej për të kapur prenë. Ajo e keqe ka shpesh herë pamjen e  gjahtarit çiftengrehur me gishtin në këmbëz, që pret çastin për të goditur kaprojtë e bukur të pyllit.

Natyrisht që tronditesh, kur mendon se, bëhet fjalë për njerëz të fund-mijëvjeçarit të dytë dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë të shoqërisë njerëzore, kur ende ky  “oktapod” me emër njerëzor dhe me pamje kuçedre, i kapë viktimat, i përplasë, i pështynë dhe i godet mizorisht, pikërisht,  këta njerëz të mjerë, që e kërkojnë dritën e diellit, që kërkojnë jo më shumë se një copë bukë për familjet dhe fëmijët e tyre.

Sot bota përparimtare nxjerr  ligje, mbron dhe alarmohet edhe për jetën e një ujku,që privohet nga liria e tij, kurse njeriut të gjorë i duhet të provojë ende trajtime fyese dhe poshtërues nga raca e sojit të tij, njerëzve; të provojë përbuzjet, poshtërimet,shkelmimet në fytyrë, duke qenë deri edhe i lidhur me  pranga të ftohta në duar.

Ndoshta, dikush që lexon këto radhë meditimi, që vijnë si rrjedhojë e leximit me vëmendje të këtij botimi dhe njohjes së jetës së refugjatit, do të mendojë se këto janë meditime hiperbolike, pra të stërmadhuara. Por, do të shprehesha se, në ata qindra mijëra refugjatë, edhe sikur njëri të ketë atë fat poshtërues, që e përshkruan me dhimbje autori, është mjaftueshëm të denoncohet trajtimi kafshëror ndaj refugjatëve tanë, si dhe fytyra e vërtetë e  segmenteve ende të egra të shoqërisë njerëzore. 

Emigracioni, si një përplasje dhe vithisje në Ferr, ka tingëllimën e një kambane zije për ata mijëra bashkatdhetarë, që  kanë provuar pasojat dhe vragat, që ai lë pas. Janë dëshmitarë qindra e mijëra familje shqiptare, që nuk mund t’i harrojnë jetët e  humbura maleve në mes të dimrit, në përpjekjet e tyre për të kapërcyer kufirin; jetët e mjera që kanë përfunduar në fundin e detit, vajzat e shndërruara me dhunë dhe pa dëshirën e tyre në prostituta e, të gjitha këto,  ushqim për korbat e zinj, trafikantët shpirtkatranë, që fatkeqësisht gjallojnë të pashqetësuar edhe sot, në qytete e kryeqytete me emër të botës, ku jetojmë.

Shumë histori kemi dëgjuar, por, duke e lexuar këtë libër, bindesh se ke përpara një trajtim dhe shikim disi ndryshe të ngjarjeve. Ato kanë të përbashkët vërtetësinë dhe shfaqen përpara lexuesit të prekshme, të krijohet përshtypja se ato po ndodhin aty para teje dhe ti po i sheh, po i vrojton dhe merr pjesë me gjithë shpirt në dhimbjen e personazheve, në mjerimin dhe fatin e tyre të keq ose ndonjëherë disi të mirë, teksa ndjen të revoltohesh dhe të provosh brenda vetes shkulma zemërimi të papërmbajtur.

Libri është shkruar nga një intelektual, një mësues  i  thjeshtë shqiptar, bashkëshort e prind shembullor, që për shkak të gjendjes ekonomike, është i detyruar, si edhe mijëra të tjerë, të marrë rrugën e  emigracionit dhe t’ia kthejë me dhimbje shpinën vatrës familjare, vendlindjes. Është një njeri me kulturën e nevojshme dhe me dije për vendin, ku do të shkojë. Këtë kulturë dhe qëllim mirë të Saliasit, e shohim thuajse në të gjithë faqet e kapitujt, duke ndjerë emocione, rrahje të zemrës  së tij intelektuale, vuajtjet dhe aventurat e tij dhe të shokëve bashkëshoqërues me të. Por bëhemi dëshmitarë edhe për marrëdhëniet e respektin e merituar, që ai krijon për ata fqinj grekë, mikpritës dhe të kulturuar, të cilët e respektojnë njeriun e mirë, vlerat dhe shpirtin e tij punëtor. Autori  di ta dallojë të mirën nga e keqja dhe, siç demaskon të keqen, ai përshëndet dhe përgëzon të mirën, e evidenton atë dhe shpërndan mesazhe respekti e miqësie për ata njerëz që i gjenden emigrantit në çastet e vështira të jetës.  Në këtë kontekst, libri rrezaton edhe dashuri, mirësi e zgjuarsi intelektuale.

Është paraqitja me vërtetësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë e përmbajtjes reale të jetës, ajo që e bën të mirëpritur këtë libër, por edhe vlerat atdhetare e intelektuale,sikurse edhe ato publicistike e kulturore. Prandaj dhe ndodh ajo që, sapo nis e  lexon faqet e para, menjëherë sikur të rrëmben një forcë e padukshme, teksa ti vijon të shfletosh, duke i shoqëruar ngjarjet dhe episodet e duke e ndjerë veten edhe ti një pjesëmarrës në ato ngjarje, si njeri i afërt me personazhet  dhe karakteret e spikatura, që pasqyrohen.

Shumë njerëz kanë dëshirën për të treguar, madje, disa, arrijnë edhe të tregojnë mjeshtërisht bukur. Kurse autori i këtij libri, edhe di të shkruajë bukur e besueshëm,me mendim të qartë dhe të ekuilibruar, duke përdorur një penë të mprehtë e befasuese. Duke vetëpeshuar jetën dhe veprimet e tij dhe duke i bërë një skaner realitetit, dallgëve e gjeratoreve, që përfshijnë në humnerat e tyre refugjatët,Bashkim Saliasi nënvizon fort  idenë e fuqishme, se çdo njeri ndihet më i lumtur, në radhë të parë në atdheun e vet, aty ku ka lindur, ku ka kaluar fëmijërinë dhe është burrëruar, ku ka lënë gjurmë të jetës dhe veprimtarisë së tij, atje ku dëshiron të shtrojë rrugën e së ardhmes.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat