Llapi gjithherë e mbajti ndezur flakën e lirisë - Bota Sot
Llapi gjithherë e mbajti ndezur flakën e lirisë

Libra

Llapi gjithherë e mbajti ndezur flakën e lirisë

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 30 korrik 2017 Në ora: 11:24
Kopertina e librit

Me qëllim që të hidhet sa më shumë dritë për lëvizjen kombëtare të demonstratave të vitit 1968, njëri ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtyre demonstratave në  Podujevë dhe në Prishtinë, Abdullah Nishefci sjell kujtime të asaj kohe në librin e tij “Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në Llap”.  

Këtë libër që është një kronikë historike, me dëshmi të shumta për kohën dhe rrethanat e përfshirjes të trevës së Llapit në përgatitjen dhe organizimin e një demonstrate në Podujevë, në kuadër të demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, autori thotë se ka përmbledhur kujtime të tija  dhe të bashkëveprimtarëve, por edhe të të tjerëve, në funksion që të hidhet sa më shumë dritë për një lëvizje kombëtare të asaj kohe, pjesë e së cilës ishte edhe Grupi i Llapit që organizoi demonstratën e viti 1968 në Podujevë dhe pjesëmarrjen e llapjanëve në demonstratën në Prishtinë. Ai në fillim sjell një thënie përkushtuese ku thotë :

“ Jo vetëm atyre që ranë në ballë të luftës për lirinë e Kosovës historike, e të Dardanisë antike, por edhe atyre që vdiqën me mallin e pashuar për lirinë e shumëpritur ” (Autori)\

Demonstratat e vitit 1968 përbëjnë njërën prej përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës, për realizimin e të drejtave kombëtare sikur edhe të popujve të tjerë, që jetonin në një shtet artificial të quajtur Jugosllavi. Atëbotë të drejtat e shqiptarëve jo vetëm që u nëpërkëmben, por edhe u cunguan deri në shkallë të padurueshmërisë.

Pas përfundimit të  Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës nuk i gëzuan të drejtat e premtuara gjatë luftës. Me instalimin e sistemit totalitar të asaj kohe u hoq simbol i identitetit kombëtar - flamuri kombëtar, arsimi nuk gëzonte hapësirë si në meset tjera si dhe shumë të drejta tjera  kufizoheshin vetëm për shqiptarët. Madje  popullit shqiptar i shtohej përditë e më shumë vuajtja dhe keqtrajtimi me qëllim që ata të shpërngulen nga vendi i tyre  gjë që edhe ndodhi ku shumë  qytetar nga mbarë Kosova u shpërngulën në shkretëtirat e  Anadollit. Në atë kohë ishte i njohur edhe aksioni i armëve në vitet e 50 - ta, ku ushtrohej një dhunë e gjenocid i paparë mbi shqiptarët për t’i detyruar ata që t’i lëshonin trojet e tyre.

Mirëpo një ditë rinia kosovare në të gjitha meset e Kosovës filluan përgatitjet për t’i kundërshtuar padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve, por edhe për ta ngritur kërkesën për formimin e Republikës së Kosovës, të barabartë me republikat e tjera, në të cilën edhe shqiptarët do t’i gëzonin të drejtat e tyre, sikur popujt e tjerë dhe kështu linden edhe demonstratat e vitit 1968.

Nishefci librin e ka ndarë në tre kapituj: - Rrethanat shoqërore politike në Llap  në vitet e 50-ya e 60-ta të shekullit të kaluar, - Çka i parapriu  dhe si u organizua Demonstrata e 27  nëntorit 1968 në Podujevë dhe  – Copëza kujtimesh për veprimtarinë, frymëzuesit dhe shokët e grupit.

Në kapitullin e parë kryesisht bënë fjalë për rrethanat e asaj kohe, formimin dhe aktivitetin e  grupeve  ilegale si dhe kontributin e tyre që i artikuluan kërkesat për liri dhe pavarësi.

Në kapitullin e dytë fletë për  zanafillën e Grupit të Llapit që ishte bërthama kryesore e organizimit të demonstratës, për takimet që ka mbajtur ky grup  në përgatitje për organizimin e demonstratës dhe këshillat që ka marr nga veprimtarë të më hershëm si dhe për realizimin e suksesshëm të asaj demonstrate. Në kapitullin e tretë autori sjell shumë kujtime të asaj kohe, si njohjen me veprimtarë të çështjes kombëtare, bisedat me ta dhe shumë ngjarje tjera. Ai këtu përmend veprimtarët Shaban Shalën, Osman Dumoshin, Xhafer Metën, Hamit Abdullahun, Xheladin Rekaliun, Hakif Shehollin, Hasan Shalën, Sabit Sylën, Idriz Hasanin etj, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për çështjen kombëtare e me theks të veçantë në  organizimin e Demonstratës së 27 nëntorit 1968 në Llap e në Prishtinë.

Demonstrata në Podujevë u zhvillua  në orët e pasdites të datës 27 nëntor 1968. Ajo u zhvillua në qendrën e qytetit, ku u bashkuan edhe fshatar që kishin ardhur për tregti atë ditë në qytet, ndërsa në ballë të demonstruesve valonte Flamuri kombëtar. Parullat dominuese nga  demonstruesit ishin për vetëvendosje, barazi kombëtare dhe Kushtetutë. Demonstruesit nuk u provokuan nga policia, andaj demonstrata përfundoi e qetë pa asnjë ekses. Më pas pjesa dërmuese e tyre iu bashkuan demonstratës së madhe në Prishtinë.

Edhe vetë autori i librit ndër tjera thotë se: ” Në këtë kronikë jam përpjekur të shpjegoj se si u organizua në Podujevë demonstrata e 27 nëntorit të vitit 1968, cilat ishin rrethanat dhe atmosfera politike e shoqërore në Llap, para dhe pas Plenumit të zhurmshëm të Brinove të vitit 1966 të Partisë Komuniste Jugosllavisë (PKJ), si dhe cilat ishin disa ngjarje edhe më të hershme që i paraprinë organizimit të kësaj demonstrate ”.

Një pjesë e ngjarjeve të kohës, të cilat trajtohen në librin e Nishefcit, janë dokumentare, ku autori ishte vetë pjesëmarrës i atyre zhvillimeve dhe proceseve, ndërsa një pjesë vijnë si kujtime të tij dhe të bashkëveprimtarëve. Pra, ky libër, në rend të parë është një kronikë autentike rrëfimi dhe ditari, si dhe një formë personale e meditimit krijues që lidhet me të kaluarën e afërt të Kosovës së fundshekullit XX.

Redaktori i librit Gani Bajrami  ndër tjera thotë se  : “ Që nga fillimi deri në fund në libër haset zëri i vetë i autorit si një narracion për lexuesin që e mban me shpjegimet konkrete, si shpjegues i atypëratyshëm dhe si vlerësues i çastit dhe rrjedhës së mëvonshme. Ky zë i autorit në asnjë rast nuk është refuzues për lexuesin, sepse nuk është një zë imponues e as një zë që nga pikëpamja e sotshme dëshiron t’i ndreqë apo t’i retushojë ngjarjet”.

Ky libër me dëshmi e kujtime nga ajo kohë mund të konsiderohet një kontribut i rëndësishëm i autorit për pasqyrimin e atyre ngjarjeve tejet të rëndësishme.

Recensuesit  Prof. Dr. Hakif Bajrami dhe Prof. Dr. Liman Rushiti, në recensionin e tyre për librin e Abdullah Nishefcit, “Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në Llap” thonë se demonstratat antijugosllave të 68-shit  paralajmëruan pavarësinë e Kosovës. Ata ndër tjera thonë se : “ Viti 1968 ishte plot kthesa, duke filluar nga intervenimi rus në Çekosllovaki (1968), dalja e Shqipërisë de jure nga Pakti i Varshavës, demonstratat masive kundër pushtetit në Beograd  dhe demonstratat patriotike shqiptare në Kosovë në nëntor 1968, të cilat tërë çështjen e “mollës së ndaluar”  e kthyen në pikën, prej kah ishte nisë rrugëtimi i shkatërrimit të famës së shtetit të “mos inkuadruar” që quhej Jugosllavi.

Demonstratat  patriotike shqiptare të 27 nëntorit  1968 në Kosovë, ndonëse ende nuk janë studiuar nga këndi domethënës si ngjarje me renome botërore dhe nga këndi i filozofisë së historisë, ato ishin ngjarje me renome botërore. Aso kohe Jugosllavia socialiste kishte arritur të avancohet në lider të Botës së Tretë, dhe në atë shoqëri, dëshiruam apo jo, J. B. Tito, e kishte rolin e prijësit “ .

Libri “Demonstrata e vitit 1968 në Podujevë, dasmë e madhe në Llap” i Abdullah Nishedci është libër me dëshmi e kujtime nga ajo kohë  dhe është  një kontribut i rëndësishëm i autorit për pasqyrimin e atyre ngjarjeve tejet të rëndësishme. Në fund të librit Nishefci sjell fotot  e Grupit të Llapit që organizoi demonstratën e 27 nëntorit 1968 në Podujevë e që janë : Xheladin Rekaliu, Sabit Syla, Bahri Shabani, Hamit Abdullahu, Abdullah Nishefci, Hasan Shala, Hakif Sheholli, Xhafer Ejupi, Skënder Hoxha dhe Shaqir Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat