Po – edhe të tjerët dëgjojnë zërin e brendshëm gjatë leximit

Libra

Po – edhe të tjerët dëgjojnë zërin e brendshëm gjatë leximit

Më: 5 gusht 2017 Në ora: 19:50
Ilustrim

Pavarësisht nga çdo gjë që shkencëtarët e kanë mësuar në lidhje me trupin e njeriut dhe mënyrën se si funksionon truri ynë, ka ende kaq shumë përvoja të përditshme që na lënë shumicën prej nesh duke e pyetur veten nëse jemi normalë – si për shembull, a e dëgjojnë të gjithë një zë në kokën e tyre gjatë leximit, apo a jam unë i/e çmendur?

Fatmirësisht, nuk ka pyetje shumë të panjohura për studiuesit që të pyesin (dhe pastaj të raportojnë përsëri tek ne me një përgjigje statistikisht të rëndësishme), dhe një studim i vogël online tregon se nuk jemi të vetëm, dhe se edhe shumë njerëz të tjerë e dëgjojnë një zë që ua thotë fjalët derisa ata lexojnë.

Ky është një nga studimet e para për këtë temë, dhe ai është i kufizuar nga fakti se i ka analizuar kontributet e parregulluara të 160 personave përmes “Yahoo! Answers”. Po, studimi është rishikuar nga shkencëtarët e tjerë dhe është publikuar, por ne ende duhet ta marrim atë me skepticizëm.

Megjithatë, kjo është një pikënisje e mirë për temën kryesisht të pahulumtuar të zërave të brendshëm. Dikur supozohej të jenë një shenjë e halucinacioneve auditore verbale, studiuesit kanë filluar të kuptojnë se ato mund të jenë më të zakonshme sesa mendohej më parë. Dhe edhe pse është bërë hulumtimi rreth asaj se si këta zëra të brendshëm dallojnë me zërat tanë të të folurit, askush nuk është ndalur që thjesht ta zbulojë se sa e zakonshme është kjo dukuri, deri më tani.

Për ta vlerësuar se sa njerëz e dëgjojnë një zë duke lexuar (të cilin studiuesit e quajnë "zë të brendshëm të leximit', ose ZBL) psikologia Ruvanee Vilhauer nga Universiteti i New Yorkut shkoi diku ku ajo e dinte se njerëzve u pëlqen t’i shprehin mendimet e tyre – “Yahoo! Answers”, e cila është ueb-faqja më e madhe në botë për pyetje/përgjigje në gjuhën angleze.

Ajo i zbuloi 160 postime në temën e zërit të brendshëm lexues, duke përfshirë 136 përgjigje dhe 24 pyetje, dhe pastaj punoi me një ekip të pavarur kodimi për ta kategorizuar përmbajtjen që të mund të kuantifikohet dhe analizohet.
Kjo është një teknikë standarde e shfrytëzuar në hulumtime psikologjike, dhe ajo u ndihmon hulumtuesve që t’i krahasojnë reagimet jo të standardizuara - për shembull, kodi mund të përdoret për të matur gjëra si sa shpesh njerëzit konfirmojnë që e kanë një zë të brendshëm të leximit, ose sa shpesh e pranojnë se janë të pasigurt në lidhje me të.

Nga 160 postimet, Vilhauer konstatoi se 82.5 për qind e personave që postuan e kishin dëgjuar një ose më shumë zëra gjatë leximit. Shumica e këtyre njerëzve supozuan se ishte krejtësisht normale - "Të gjithë i dëgjojmë zërat tanë në kokat tona herë pas here - edhe ata të të tjerëve që i njohim - sidomos gjatë leximit", u përgjigj një kontribues i Yahoo!.
Por 10.6 për qind thanë se kurrë nuk e kishin dëgjuar ndonjë zë duke lexuar, dhe ishin në fakt të vendosur se ishin normalë ("Jooo. Duhet të kontrollohesh tek mjeku për këtë", ka shkruar një i anketuar. Një tjetër shtoi "JO, UNË NUK JAM I ÇMENDUR").
Nga personat që e dëgjuan një zë duke lexuar, disa përmendën se kishin dëgjuar zëra të shumtë, duke përfshirë edhe thekse personazhesh, ndërsa disa vetëm e dëgjuan një zë, i cili zakonisht e reflektonte zërin e tyre të të folurit.

Pothuajse të gjithë ata që e dëgjuan një zë të brendshëm leximi thanë se ai "dëgjohet" në një farë mënyre - për shembull, duke iu referuar vëllimit, thellësisë, apo theksit. Disa njerëz gjithashtu thanë se e konsideronin zërin hutues ose të frikshëm.

Është interesante se 10 prej postuesve e vërejtën zërin e tyre të brendshëm të leximit kur u shtrua pyetja. "Tani, që e përmende, e kuptova që e dëgjoj një zë në kokën time", shkroi një komentues.
Hulumtimi është publikuar në revistën Psychosis, ndërsa Vilhauer mendon se rezultatet e mbështesin hipotezën se halucinacionet dëgjimore janë shpesh zëra të brendshëm që janë thjesht të identifikuar gabimisht se i përkasin dikujt tjetër.
Është fascinuese që hulumtimi i Vilhauer gjithashtu mund të ndihmojë për ta shpjeguar se pse shkencëtarët nuk e kanë bërë këtë pyetje më parë.

"Vilhauer spekulon se ndoshta psikologët kanë dështuar ta studiojnë këtë pyetje, sepse ata kanë supozuar thjesht, si shumë nga kontribuuesit e Yahoo, se nuk ka ndryshueshmëri në këtë dhe se të gjithë e kanë të njëjtën përvojë leximi ", shkruan Christian Jarrett për blogun e British Psychological Society.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat