“Evropa në udhëkryq...”, një libër që hedh në dritë përvoja historike

Libra

“Evropa në udhëkryq...”, një libër që hedh në dritë përvoja historike

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 14:17
Foto nga promovimi i librit, “Evropa në udhëkryq-Lindja dhe ngritja e Rajhut të tretë në Gjermani 1918-1939”

Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga sot iu shtua edhe një libër i ri me titullin “Evropa në udhëkryq-Lindja dhe ngritja e Rajhut të tretë në Gjermani 1918-1939”, i cili për autor ka zëvendës-ambasadorin e Kosovës në Berlin, Astrit Zemaj.

Libri nga të pranishmit u cilësua si një pasuri pasi që libra me tema të tilla i kanë munguar literaturës shqiptare.

Redaktori i këtij libri, Frashër Demaj tha se ky libër është një perspektivë e re, pasi që është botim i bazuar në burime arkivore dhe elektronike, dhe literaturë gjermanofone.

Ai tha se një libër i tillë nuk i ka munguar vetëm audiencës, por edhe studiuesve qoftë të historisë, apo të shkencave tjera.

Demaj: Libri është i bazuar në burime arkivore

“Është një perspektivë e re, sidomos për literaturën shqiptare, sepse është një botim i bazuar në burime arkivore dhe në burime elektronike, në arkiva elektronike dhe në literaturë kryesisht gjermanofone, një botim i cili praktikisht i ka munguar audiencës, por i ka munguar edhe studiuesve jo vetëm të historisë, por edhe të shkencave tjera. Unë besoj që ky libër do t’iu shërbej jo vetëm studentëve, studiuesve të historisë, por edhe studiuesve të shkencave politike, shkencave juridike e tjerë meqë brenda vetes trajton shumë aspekte shoqërore në kuptimin e përgjithshëm, përfshirë ngjarjet më të rëndësishme historike në mes të dy luftërave botërore në Gjermani”, tha Demaj.

Ai ka inkurajuar të gjithë autorët që jetojnë jashtë vendit që të trajtojnë tema të ndryshme nga perspektiva e tyre nga studime shumëdimensionale me qasje dhe aspekte të ndryshme.

Image

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme , Albert Prenkaj tha ky libër ka hedhur në dritë përvoja historike të popujve që ishin protagonistë të vendosjes së rendit të ri botëror.

Prenkaj: Libri hedh në dritë përvoja historike

“Më lejoni të konstatoj që kolegu ynë, Astrit Zemaj bën pjesë në plejadën e diplomatëve të një shteti të ri, i cili bën përpjekje të shkruajë dhe të nxjerrë në dritë përvoja historike të popujve që ishin dhe mbeten protagonistë në vendosjen e rendit të ri botëror”, tha Prenkaj.

Ai tha se libri përmban një dozë të përshkrimit të lehtë për t’u përcjell te lexuesit.

Autori i librit, Astrit Zemaj, tha se ky libër është një para hyrje për librin e radhës që do ta botojë, i cili do të trajtojë kryesisht  operacionet ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zemaj: Libri është para hyrje për librin e radhës

“Ky është një para hyrje e një studimi më të thellë që e kam për Luftën e Dytë Botërore, pjesa tjetër i trajton operacionet ushtarake gjatë luftës deri në përfundim të saj, Holokaustit që janë rreth 780 operacione dhe për me ardhur deri aty kam dashur që ky libër të jetë një para hyrje e atij studimit tjetër”, tha Zemaj.

Ndryshe, libri është botuar nga Shtëpia botuese “Saga” dhe çmimi i tij është 15 euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat