Krasniqi: Organizatat ekstremiste serbe ende aktive në Kosovë

Libra

Krasniqi: Organizatat ekstremiste serbe ende aktive në Kosovë

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 14:09
Promovimi i librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”

Organizatat ekstremiste serbe asnjëherë nuk e kanë shkëputur marrëdhënien e tyre me Kosovën, ndërsa vazhdojnë aktivitetin e tyre inteligjent.

Kështu është thënë të premten me rastin e promovimit të librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, të autores Fetnete Ramosaj. Libri është përkthyer në gjuhën bullgare nga albanologu i njohur Anton Panchev nga Universiteti i Sofjes.

Njëri nga recensentët e librit, Kolë Krasniqi ka thënë se autorja në këtë libër ka trajtuar çështjen e sigurisë në Kosovë, e cila ka zgjuar interesim të madh të lexuesve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ai tha Ramosaj me këtë rast ka argumentuar ekzistimin e organizatave ekstremiste serbe në Kosovë, që sipas terminologjisë bashkëkohore mund të emërohen edhe si formacione paramilitare dhe organizata terroriste.

Krasniqi: Organizatat ekstremiste serbe vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë

“‘Ushtria Çlirimtare Serbe’, themeluar në vitin 2000, përkatësisht 2007, ishin organizata tipike militante, të cilat kishin për qëllim fillimin e luftës së armatosur me qëllim të ripushtimit ushtarak të Kosovës. Organizatat e tjera si ‘Shqiponjat e bardha’, ‘Dora e Zezë’, ‘Tigrat’ e kështu me radhë, për nga organizimi i tyre dhe veprimtaria, ishin organizata të qarta terroriste. Duhet theksuar faktin se disa nga interesat e këtyre organizatave ekstremiste serbe, përkatësisht aktivistë të tyre, asnjëherë nuk e kanë shkëputur marrëdhënien e tyre me Kosovën, por e vazhdojnë aktivitetin e tyre inteligjent”, tha ai. 

Albanologu bullgar, Anton Panchev, njëherësh përkthyes i librit, ka thënë se publiku bullgar ka pasur nevojë për një libër të tillë me të vërteta, pasi që mediat serbe po përpiqen vazhdimisht që të krijojnë një opinion të rrejshëm për shqiptarët.

Ai vlerësoi librin si një punim të shkëlqyeshëm, duke thënë se autorja ka përdorur burime të shumta.

Panchev: Libri është interes për të gjithë lexuesit bullgar

“Unë kam pasur dëshirë që këtë libër të përkthej në bullgarisht, sepse libri do të jetë interes jo vetëm për ekspertët e sigurisë, por edhe ekspertët e politikës së jashtme për historinë e rajonit dhe do të jetë me interes për të gjithë lexuesit bullgarë, të cilët kanë dëshirë të kuptojnë gjërat për historinë e Ballkanit. Gjuha e librit është e përkryer. Në nivelin e opinionit, publiku bullgar nuk di shumë gjëra për Kosovën dhe në mediat tona shpesh po hyjnë lajme prej Serbisë, të cilat përpiqen të krijojnë një opinion kundër të vërtetës së shqiptarëve dhe për marrëdhëniet shqiptare-serbe”, tha ai.

Ai tha se ky hulumtim është i nevojshëm të përkthehet në sa më shumë gjuhë dhe lexuesit të kuptojnë për të vërtetën e Kosovës, pasi që mediat serbe po përpiqen të krijojnë opinion të rrejshëm për shqiptarët në Bullgari.

Autorja e librit, Fetnete Ramosaj, është shprehur se ndjehet mirë që libri është vlerësuar nga ekspertë të fushës dhe nga vetë lexuesit, ndërsa ka vlerësuar lart punën e përkthyesit të librit, profesorit Anton Panchev, duke thënë se ndihet e nderuar që ai ka zgjedhur të përkthejë librin e saj.

Ramosaj: Ky studim është mirëpritur nga lexuesit

“Më vjen mirë që ky studim është mirëpritur nga lexuesit dhe është vlerësuar nga ekspertët e fushës, por dua t’i falënderoj me këtë rast të gjithë miqtë e mi dhe bashkëpunëtorët, të cilët në çfarëdo mënyre kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar që ky libër ta shohë dritën e botimit”, tha Ramosaj.

Ndryshe, ky libër ka pasur edhe dy botime të tjera në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën angleze.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat