Recension për librin me poezi "Vargëzim mbi gjurmë" të autores Naxhije Doçi

Libra

Recension për librin me poezi "Vargëzim mbi gjurmë" të autores Naxhije Doçi

Nga: Myrvete Dreshaj - Baliu Më: 13 shtator 2017 Në ora: 14:58
Kopertina e Librit

Ata që e kanë përcjellë aktivitetin krijues, hulumtues dhe publicistik të zonjës Naxhije Doçi, nuk e kanë pasur vështirë të vërejnë disa përbërës humanë, kulturorë e krijues të njërës prej grave më të angazhuara në Kosovë.

Vite të tëra, prej leximit të veprave të saj, kemi mundur të reflektojmë për tema nga më të ndryshmet dhe nga më të shumtat mbi fatin e njeriut të Kosovës, kryesisht gjatë periudhës së fundit të historisë sonë. Me veprimtarinë e saj publicistike dhe krijuese vite me radhë ajo është identifikuar dhe është sublimuar me fatin historik të grave të Kosovës gjatë luftës së fundit, dhe si rrallë kush, ajo nuk u mjaftua vetëm me debatin për këtë situatë, nga më tragjiket, por e përjetësoi me dokumentaritetin dhe me krijimtarinë e saj letrare. Prirjet e saj të kujtojnë një dimension të aktiviteteve të shkrimtarit angloamerikan, me prejardhje nga arbëreshët e historisë, Ernesto Sabatos dhe një deklarate të tij, se për një periudhë të caktuar historike duhet të kemi doemos një vepër letrare, nuk mjafton vetëm një histori shkencore.

Lënda letrare tematike e veprës më të re të shkrimtares Naxhije Doçi është ndarë në tri përbërje të mëdha: Jeh brezash, Hirësi e krisur dhe Kur dëshirojmë. 

Në pjesën e parë të këtij vëllimi me titull Jeh brezash, janë përfshirë poezi përkushtuese për disa nga personalitetet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës sonë dhe të asaj që është trashëguar nga periudha më të hershme. Me këtë cikël poezish shkrimtarja ka nisur një rrugëtim historik dhe shpirtëror në gjeografinë e atdheut tonë, madje që nga Prishtina me madhështinë e Përmendores së Skënderbeut:

Se si më kaplon një përmallim det i pafund

ta sodis hapësirën në bebëza shëmbëllimi qëndisur,

shëtis ngadalë sheshit legjendë të Prishtinës

përballë emërtim i ri në hark ylberi praruar

“Gjergj Kastrioti-Skënderbe

(Përmendore krenarie në Prishtinë)

Pra, karakteristikë e krijimtarisë letrare brenda këtij vëllimi është modeli, përkatësisht paradigma tematike e përcaktuar brenda tij, i cili nuk përbëhet vetëm prej karakterit historik dhe bëmave të heronjve, por edhe prej referencave të tjera reflektuese, të cilat bëjnë shenjat preferenciale të shesheve, rrugëve, emërtimeve të shkollave, ngjarjeve etj. Nuk është e rastit që heronjtë, ngjarjet, kujtimet, referencat dhe shenjat a simbolet  e poezive të saj qëndrojnë përballë njëra-tjetrës: Skënderbeu me Esad Mekulin; Ymer bej Prizreni me Nexhmije Pagarushën; Epopeja e Prekazit me Lavdinë e Koshares; hulumtuesi pasionant i trashëgimisë materiale e shpirtërore shqiptare Destan Bajraktari me heroin Zahir Pajaziti; intelektuali i madh i shekullit që lamë Ukshin Hoti me Haxhi Bajraktarin e Therandës trime; nënat heroina me shtegtarët e shpresave të mëdha; gratë shqiptare me krenarinë e UÇK-së; fisi plisbardhë me shqiptarët e pagjetur etj., për të vazhduar edhe me personalitete të tjera të brezit të saj, paradigma personale apo kolegiale, referenca familjare apo shoqërore, të cilët në jetën e saj prej veprimtareje, apo në rrëfimet e saj prej qytetareje, janë bërë pjesë e përpjekjeve individuale, gjinore dhe kanë bërë që të bëhet më e lehtë rruga e saj dhe më epike kënga e saj për brezat.

Cikli i dytë i veprës Hirësi e krisur sjell një qasje tjetër ndaj botës dhe realitetit që e rrethon. Megjithëse vazhdon të karakterizohet me vargje përkushtuese, sa edhe e tërë vepra mund të quhej Libri i përkushtimeve, ato kanë një qasje tjetër, mbase më delikate në përshkrimin dhe nuancimin e subjekteve të tyre, si poezitë për gjuhën, fjalën, vendlindjen, portretin e vetvetes, Bregdetin Shqiptar, qytetin e Vushtrrisë dhe Prishtinën me peizazh dimri.

Stinë dimri në Prishtinë

metaforë në ujëvarë vargjesh

   ....

 stinë e parë në ecuri motesh,

melodi e krisur.

(Stinë dimri në Prishtinë)

Duke qenë tekste poetike pa paradigmën historike dhe miqësore e familjare, si ato të pjesës së parë të librit, këto janë vargje me qasje më refleksive polisemantike dhe më lirike, me ngjyresa më të plota, dhe madje edhe më të realizuara artistikisht.

 Ciklin e tretë të poezive të këtij vëllimi me titull Kur dëshirojmë e përbëjnë vargjet me përmbajtje, situata dhe tematikë më të përshtrirë dhe më heterogjene. Ato sjellin shqetësime të një rrjedhe më të gjerë jetësore, hapësinore dhe kohore, të cilën nuk e gjejmë në ciklin e parë dhe të dytë të këtij vëllimi. Mjafton të lexosh disa nga titujt e disa poezive të këtij vëllimi: Edhe sot, Gëzuar viti i ri 2017, Kujtimet i dua, Pranverë në kopshtin tim, Kur dëshirojmë, I dua agmitë  e hershme, Vargu im, Kur dhuroj libra, Libri shqip, Me yjet bisedoj, Në oazën e vetmisë, Për bardhësi jete, Pikturë e vjetër, E di mirëfilli, etj., për të parë sfondin e krijimtarisë së saj, e cila megjithëse edhe në këtë cikël të kësaj vepreje, vazhdon të ruajë referencën përkushtuese, në esencë sjell jo vetëm më shumë tema e preokupime se në dy ciklet e para, po mund të themi shpesh edhe me shumë vargje specifike që shkojnë kah vargjet antologjike, të cilat nuk i gjejmë kaq të dendura në poezitë e tjera:

...

nuk arrita të ta them kurrë

rrëfimin e plotë

për ëndrrën e vrarë nga shkreptimë e përralltë

me ligjërim të patrajtë

melodia e derdhur enigmë e heshtur

në sirtarin e dhembjeve

peng në rrjetë merimangash ngatërruar.

Në varg derdha tërë përmallimin e mbetur.

(Edhe sot)

apo:          

Në oazën e vetmisë

guximshëm bisedoj me ty 

dashuria ime e padjallëzuar

në kështjellë simfonie.

 (Në oazën e vetmisë)

si dhe në vargjet:

Në mur ende pikturë e vjetër

zbehur dukshëm ngjyrash në dritë syri

(Pikturë e vjetër)

Duke mbyllur këtë shkrim të shkurtër nga një lexim mjaft mbresëlënës, mund të ritheksoj se poezitë e vëllimit poetik Vargëzim mbi gjurmë të autores tashmë të njohur Naxhije Doçi, si për temat dhe motivet e lidhura kryesisht me aktivitetet e saja krijuese e jetësore dhe sidomos prej angazhimeve të saj në manifestimet e shumta që mbahen në Kosovë e më tej në botën shqiptare, si për gjuhën e pasur poetike dhe me shprehje të reja, metafora të pasura, simbole dhe epitete mrekullisht të gjetura paraqesin prurje origjinale në poezinë tonë. Të gjitha këto komponente në këtë vepër reflektojnë një tërësi poetike të realizuar me mjeshtri krijimi të vargut, me ndjeshmëri të thellë prej autoreje grua. Shumë nga temat e përkushtimet ndaj personaliteteve, ngjarjeve dhe madje edhe të qyteteve e vendbanimeve të tjera janë rezultat i pjesëmarrjes së saj aktive në rrethet krijuese të Kosovës dhe më gjerë. Prandaj, mund të themi se në tërësinë e saj, vepra e shkrimtares së njohur, publicistes dhe aktivistes së përkushtuar, më parë se një vëllim i zakonshëm poetik është një biografi më vete në vargje, sa personale aq edhe e botës që e rrethon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat