Kur e kaluara e etur i flet të sotmes dhe të nesërmes

Libra

Kur e kaluara e etur i flet të sotmes dhe të nesërmes

Nga: Gani Bajrami Më: 18 shtator 2017 Në ora: 09:09
Kopertina e librit

Shkrimtari dhe publicisti, Shefqet Rexhepi, në opusin e tij krijues ka radhitur këto ditë librin e tij të pestë me radhë, me titull “Frymë e etur kohe”, që është një përmbledhje intervistash me shkrimtarë, studiues dhe aktorë shqiptarë. Kohështrirja e intervistave, të përmbledhura në këtë libër, është kryesisht dekada e fundit e shekullit të kaluar dhe dekada e parë e shekullit që po e jetojmë.

Duke i lexuar  këto intervista del se autori Shefqet Rexhepi e kishte shumë të qartë se intervista është zhanër shumë i popullarizuar gazetaresk, e cila zhvillohet me një person të njohur rreth një teme apo disa temave  aktuale, por gjithashtu e kishte të qartë se intervista do të jetë e suksesshme varësisht nga aftësia e intervistuesit gjatë shtruarjes së pyetjeve, por edhe bashkëbiseduesit nga  përgjigjet e dhëna. Duke pasur parasysh këto fakte, Rexhepi me shumë sukses e sprovon veten në rolin e intervistuesit, prirë nga një përkushtim i veçantë, prandaj këto intervista thuajse bëjnë garë ndërmjet vete se cila do të jetë më e suksesshme, rrjedhimisht edhe më e lexueshme.

Si gazetar dhe redaktor shumëvjeçar i gazetës “Rilindja”, Shefqet Rexhepi e pati të qartë se të bësh pyetje është po aq vështirë sa të përgjigjesh, prandaj pyetjet e tij asnjëherë nuk janë vetëm sa për t’ u bërë. Nga pyetjet e tij del se ai kishte njohuri të gjera paraprake rreth temave  për të cilat bashkëbisedonte me të intervistuarit dhe rreth punës e veprimtarisë së tyre krijuese.

Libri “Frymë e etur kohe” hapet me intervistën me shkrimtarin e mirënjohur Din Mehmeti, i cili në intervistën e tij, pikërisht para 22 vjetëve, do të theksojë se poezia bëhet armë  kundër të keqes në jetë, kurse vitaliteti i saj e bën atë rezistente. Në vazhdim ai thotë se poetët janë disidentë, gjithnjë rrinë në opozitë, ndërsa paralajmëron se dikur do ta kemi të vështirë të dallojmë vlerat nga jovlerat. Pasojnë pastaj intervistat me shkrimtarët: Azem Shkreli, Rexhep       Hoxha, Muhamed Kërveshi, Visar Zhiti, Stefan Çapaliku, Anton Nikë Berisha dhe Agim Deva. Lë një mbresë të veçantë edhe intervista me arqipeshkvin e devotshëm dhe përkthyesin e Biblës, Simon Filipaj, i cili edhe pse i sëmurë, nuk përtoi për asnjë moment, si thekson autori i intervistës, të përgjigjej në pyetjet e shtruara. Janë aty edhe intervistat me studiuesit: Idriz Ajeti, Jahja Drançolli, Latif Mulaku, Bashkim Fehmiu, Nexhmi Rexha dhe Xhavit Aliçkaj, në të cilat shpalohen tema nga historiografia, gjuhësia dhe letërsia shqiptare, goditjet kundër Universitetit të Prishtinës etj.

Një kapitull i veçantë i librit përmban intervista me njerëzit e skenës teatrore dhe të kinematografisë, si: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Enver Petrovci, Ndriçim Xhepa, Kujtim Çashku, Xhevat Qorraj, Robert Ndrenika, Orhan Kurtuldu, Adriana Abdullahu, Drita Boshnjaku-Begolli, Arta Muçaj, Flutura Zeneli, Shkumbin Istrefi dhe Blerta Syla.

Kapitulli “Piktori Engjëll Berisha në tri pamje” përmban dy intervista dhe një impresion në vigjilje të hapjes në Prishtinë të Ekspozitës së 26-të të Arteve Figurative e Aplikative, në të cilën Engjëlli prezantohej me pikturën “Kupa me ballin e përgjakur” nga cikli i madhërishëm  i tij “Hija e Onufrit”, i cili sapo lëshonte shtat, ndërsa në vijim është intervista me piktoren Feriha Rada.                                    

Mbresa të veçanta të lënë edhe intervistat me studiuesit: Mark Krasniqi, Jahja Drançolli, Sherif  Maloku, Nexhat Daci, Bashkim Fehmiu, Nexhmi Rexha e Vjollca Konjufca. Në këto intervista lexuesit do të hetojnë se bashkëbiseduesit kanë njohuri të gjera, duke shpërfaqur kështu përballje të argumentuara ndaj mendimeve jo të argumentuara nga shkencëtarë të ndryshëm të mëhershëm, por edhe të kohës, që janë marrë me historiografi. Studiuesit nga Universiteti i Prishtinësjepnin kështu ndihmesë shkencore në ndriçimin e fakteve nga e kaluara dhe ajo aktuale e popullit shqiptar, atakuar aq shumë nga pseudoshkenca serbe.

Redaktori i librit “Frymë e etur kohe”, shkrimtari Ragip Sylaj, në parathënien e librit, vlerëson lart punën e madhe që ka bërë autori Rexhepi, duke nënvizuar se “dëshmi e përkushtimit të tij ndaj gazetarisë mbeten edhe intervistat me shkrimtarë, krijues të arteve skenike, figurative, muzikore dhe të sferave të kulturës e të dijeve të tjera, që i ka bërë dhe i ka botuar  në medie të ndryshme, pjesa dërmuese e të e të cilave janë përmbledhur në këtë libër”.

Intervistat e Rexhepit, të prezantuara në këtë libër, sjellin profilin krijues e shkencor  të bashkëbiseduesve, por edhe procesin hulumtues të autorit, përfshirë edhe elementet e tjera të një analize të gjithëmbarshme të atmosferës krijuese, shkencore e kulturore të kohës.

Po të analizohen pyetjet që autori i librit ua ka shtruar bashkëbiseduesve në etapa të ndryshme kohore, në fusha nga më të ndryshme shkencore e artistike del se ai si gazetar dhe redaktor i suksesshëm ka njohur mirë problemet e shkencës, artit dhe kulturës në përgjithësi, krijimtarinë letrare, teatrore, figurative, si dhe kontributin e artistëve në lëmin e arteve, por edhe punën hulumtuese e shkencore që zhvillohej në Kosovë dhe në mbarë trojet tona etnike.

Karakteristikë e veçantë e kësaj përmbledhjeje intervistash është se nëpërmjet këtyre intervistave shfaqet formimi i sigurt intelektual dhe serioziteti i madh që e shquajnë autorin e intervistave dhe të këtij libri me këto intervista. Lexuesi nuk ka se si mos ta fitojë përshtypjen e bazuar se autori thuaja në secilën intervistë del qartazi se e njeh mirë veprimtarinë  krijuese e shkencore të bashkëbiseduesve dhe e ka të formuar mendimin e tij kritik, si autor i intervistës, për krijuesin përkatës dhe për krijimtarinë e tij.

Në këtë libër duket sheshazi se nuk ka këtu intervista të rastësishme, që do ta kenë ngacmuar aty për aty autorin Rexhepi, por  ka intervista me tema e çështje që autorin si gazetar të përkushtuar e kanë ngacmuar në vazhdimësi, thjesht duke njohur mirë punën dhe veprimtarinë e të intervistuarit përkatës. Ky është fakt që ato intervista i bën shumë domethënëse, të kompletuara dhe shumë përmbajtjesore. Prandaj, duke i lexuar tani këto intervista fitohet përshtypja se Rexhepi shumë prej këtyre intervistave i ka bërë në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur.

Lexuesi i pasionuar mund të vërejë lehtë se shumë nga intervistat e autorit Rexhepi kanë karakteristikat e bashkëbisedimit intelektual të të barabartëve, intervistuesi dhe i intervistuari, për problemet e kohës dhe frymëmarrjen e gjerë intelektuale të të intervistuarve dhe të intervistuesit. Mënyra e tillë e intervistimit konsiderohet një e arritur për Rexhepin dhe për gazetarinë e Kosovës, e cila në këtë periudhë kishte vitet e arta të zhvillimit të saj. Kjo mënyrë e realizimit të intervistave do të duhej të ishte njëlloj modeli paksa i veçantë për shumë media të sotme, intervistat e të cilave ndonjëherë  lënë shumëçka për të dëshiruar, duke lënë shpeshherë përshtypjen  se ato bëhen pa ndonjë shkas dhe pa qëllim të caktuar, pra vetëm sa për të plotësuar hapësirën e mediave, apo me të vetmin qëllim për ta “afirmuar” një personalitet. Jo rrallë intervistat e këtilla vuajnë dhe nga cektësia.

Te intervistat e Shefqet Rexhepit, të prezantuara në këtë libër, shohim diçka krejt tjetër. Ka edhe raste kur pyetjet e tejkalojnë përgjigjen e ndonjë të intervistuari. Kjo gjë librin e bën jo vetëm të lexuar, por thënë shkurt edhe si një model se si duhet zhvilluar intervista përmbajtjesore dhe e angazhuar.

Prandaj, libri me intervista me krijues dhe studiues, “Frymë e etur kohe”, i Shefqet Rexhepit mund të merret edhe si një model për gazetarët e sotëm se si duhet zhvilluar intervista, por edhe si një burim për studiuesit për çështje të caktuara, pa harruar edhe të dhënat që ofrohen gjatë këtij bashkëbisedimi ndërmjet autorit dhe të intervistuarve.

Nisur nga titulli i librit e duke vazhduar edhe me titujt e intervistave, nëntitujt dhe mestitujt, pastaj gjuha e rrjedhshme që përshkon tërë librin, tregon për një përvojë të veçantë të autorit në lëmin e gazetarisë. Intervistat që kemi përpara janë shenjë se autori i librit nga etja, gjakimi dhe mbi të gjitha këmbëngulësia që çdo intervistë të mos i ngjajë asaj paraprake, pra të jetë një pemë më vete në këtë kopsht të gjerë, krijon një mozaik, i cili për nga shenjat kujton të kaluarën e etur për t’ i folur të sotmes dhe të nesërmes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat