Kadare favorit për Nobelin 2017

Libra

Kadare favorit për Nobelin 2017

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 20:24
Ismail Kadare

Gazeta kryesore suedeze “Dagens Nyheter”: KADARE KA SHANSE TË FITOJË NOBELIN STOKHOLM: Sezoni i vitit 2017 hapet të hënën me shpalljen e çmimit Nobel në mjekësi, ndjekur nga çmimi në fizikë ditën e martën dhe çmimi i kimisë ditën e mërkurën. Çmimi i paqes do të jepet në datën 6 tetor.

Ndërsa data për çmimin në letërsi zbulohet disa ditë përpara, por si traditë, jepet të enjteve, pra, datat 5 dhe 12 tetor, shihen si të mundshme. Edhe për çmimin në letërsi, Akademia e Suedisë e mban të fshehtë listën e kandidatëve, duke i dhënë mundësi vëzhguesve dhe kritikëve të letërsisë të spekulojnë pa kufi. Shumë emra shfaqen sërish vit pas viti në këtë lojë spekulimesh: Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atwood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, vetëm për të përmendur disa. Amos Oz i Izraelit dhe David Grossman, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës përmenden po ashtu shpesh. Por rrethet letrare të Stockholm-it bien dakord për një gjë: me shumë mundësi, Akademia do të bëjë zgjedhje konsensuale dhe konservative, pas zgjedhjes së legjendës së muzikës pop dhe kompozitorit Bob Dylan, e cila habiti dhe e ndau botën.

“Ajo çfarë ndodhi vjet ishte vërtet e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romancier apo eseist mashkull, me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë krejt i kundërti i Bob Dylan,” parashikon Bjorn Wiman, redaktor i kulturës në të përditshmen kryesore suedeze Dagens Nyheter. Ai mendon se Antonio Lobo Antunes i Portugalisë dhe Kadare i Shqipërisë kanë mundësi të mira për të fituar. Këtë vit, secili Çmim Nobel vjen me një shpërblim prej nëntë milion koronash (1,1 milion dollarë ose 940,500 Euro) i cili mund të ndahet nëse zgjidhen disa laureatë për të njëjtën disiplinë.

Laureatët i marrin çmimet në banketet formale që mbahen në Stockholm dhe Oslo, në datën 10 dhjetor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat