U promovua libri monografik “50 vjetori i brezit të vitit 1966/1967”

Libra

U promovua libri monografik “50 vjetori i brezit të vitit 1966/1967”

Nga: Sadri Rexhepi Më: 4 tetor 2017 Në ora: 20:08
Foto nga promovimi i librit, “50 vjetori i brezit të vitit 1966/1967”

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës u bë promovimi i librit  “50 vjetori gjeneratës së Shkollës Normale të Prishtinës të vitit 1966-1967” nga autorët Abaz Osmani, Sejdi Gashi dhe Idriz Gashi.

Fillimisht prezentuesja Kaltrina Osmani pasi i përshendeti të pranishmit për kohën shumë të çmueshme që kanë humbur për të marrë pjesë në këtë eviniment në promovimin e librit me titullin e sipërcekur, ajo në mënyrë të veçantë përshëndeti shkrimtarin e mirënjohur Rexhep Hoxha, të cilin e quajti doajen i letërsisë për fëmijë në Kosovë. Më pastaj ajo i përshëndeti edhe profesorët  tjerë që ishin prezentë, Shirin Hyseinin, Mitat Saitin, Bahri Bajramin, Zeqir Islamin, si dhe drejtorin e Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, i cili bëri të mundshme dhe liroi objektin e Institutit për t’u mbajtur promovimi i librit në fjalë.

Pastaj fjalën ia dha recensentit Sadri Rexhepi, i cili foli gjërë e gjatë për kohën në të cilën u rrit dhe u shkollua gjenerata e vitit 1966/67, aq më parë kur dihet se në krye të shtetit jugosllav e antishqiptar qëndronte antishqiptari i tërbuar Aleksandër Rankoviqi. Ai foli edhe për pengesat që hasnin nxënësit në ato rrethana shumë të vështira, në të cilat jetonte populli shqiptar që ishte përjashtuar nga të gjitha të drejtat elmentare njerëzore.  Ai foli edhe për pishtarët e arsimit e veçmas rëndësi të veçantë i kushtoi Ernest Koliqit, për të cilin tha se largëpamësia e tij kur në Kosovë i dërgoi 200 mësues ndikoi shumë pozitivisht në zhvillimin e shkollës shqipe, në veçanti dhe të arsimit, kulturës dhe shkencës në përgjithësi. Vetëm largëpamësia e Koliqit bëri që shqiptarët e Kosovës të shkollohen dhe të ecin me hapa të sigurtë drejt ardhmërisë kombëtare shqiptare.  Ai i përmendi edhe emrat e disa profesorëve kontributdhënës në Shkollën Normale nga e cila dolën shumë mësues nga të gjitha trevat e Kosovës, konributi i të cilëve ishte i madh në arsimimin e brezave të shumtë të Kosovës. Ai i përshëndeti  në mënyrë të veçantë Rexhep Hoxhën dhe Iljaz Rexhën për kontributin e dhënë letërsisë, shkencës dhe kulturës shqiptare.

Pastaj fjalën e mori autori i librit Abaz Osmani, i cili ndër të tjera tregoi për vështërsitë që ka hasur në mbledhjen e materialeve për grumbullimin e tyre, si dhe mbledhjen e fotove bukur të rralla, por shumë të rëndësishme për kompletimin e librit me pretendimin që libri monografik të jetë sa më komplet për lexuesin.

Ndërsa, Sadik Berisha, pasi përshëndeti të pranishmit i përgëzoi autorët dhe recensetin për përkujdesje që kanë treguar me qëllim që libri të dalë sa më i mirë dhe më i kompletuar.

Në diskutim morën pjesë edhe ish profesorët e gjeneratës së vitit 1966/1967, sikurse Rexhep Hoxha dhe Shirine Hyseini, të cilët thanë se përkundër përpjekjeve tona për edukimin e brezit të asaj kohe prapë se prapë kishin pengesa nga regjimi pushtues, komunist dhe diktatorial.

Gjithashtu në diskutimin e vet Flamur Shala pasi shkoqiti disa detaje për gjeneratën në fjalë, tregoi se babai i tij, Prof.Hazir Shala ishte intelektuali i parë në Kosovë që kishte shkruar një artikull të gjatë në gazetën e përditshme “Rilindja” me titull “Gjuha shqipe ka një trung, një ortografi”, i cili artikull tregonte se populli shqiptar kudo që ndodhej në trojet e veta ka një gjuhë dhe jo disa gjuhë, siç pretendonte politika serbe, me qëllim për t’i përçarë shqiptarët. Sipas Flamur Shalës, del se profesor Hazir Shala ishte njër ndër intelektualët e parë, i cili ka sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës. Ndërkaq, Ismet Gega, lexoi disa faqe i cili gjerësisht foli për jetën dhe veprimtarinë edukative, arsimore, patriotike dhe kombëtare të profesor Hazir Shalës.

Ndërsa, për vështirësitë me të cilat u përballë ajo gjeneratë foli edhe Shefqet Hoxha, i cili ndër të tjera tha se meritën për rritjen e arsimit në Kosovë dhe për arsimimin e gjeneratave të shumta dhe të kësaj gjenerate e kanë po këta profesorë që gjinden në mesin tonë, sikurse Rexhep Hoxha, Shirin Hyseini, Xhemajl Pllana, Mithat Saidi, Bahri Bajrami, Zeqir Islami po edhe ata që kanë vdekur si Beqir Kastrati, Hazir Shala, Zeqir Bajrami, Nexhat Ibrahimi etj.

Nga të dhënat që ofruan diskutuesit në këtë promovim të librit, del qartë se kontributi i profesorëve të sipërcekur është për t’u vlerësuar shumë lartë nga gjeneratat e tashme dhe ato që do të vijnë pas nesh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat