Promovohet libri “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit” - Bota Sot
Promovohet libri “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit”

Libra

Promovohet libri “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit”

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 11:16
Pamje nga promovimi i librit

(E plotësuar) - I jashtëzakonshëm është vlerësuar kontributi i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli me rastin e promovimit të librit të tij "15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit", një përmbledhje e një periudhe të jetës së autorit, ku përmes eksperiencave të veta synon motivimin e të tjerëve në rrugën drejt suksesit.

Përmes shembujve të ndryshëm Pacolli shpalosi edhe përmbajtjen e këtij libri, me ç’rast tha se ky është një libër që duhet të lexohet disa herë, deri sa lexuesi të jetojë në realitetin e tij.

Mes rreshtash Pacolli, foli edhe për ballafaqimet që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij, teksa theksoi se nuk ka dështim jetë.

Pacolli: Çdo herë që e lexoni këtë libër do të zbuloni diçka të re

“Unë do të doja të kaloja me ju edhe shumë-shumë kohë, sepse kam edhe shumë shembuj për të mirë për t’iu dhënë. Por të koncentrohemi tek libri. Janë 15 parimet e suksesit. Mos mendoni se ju e lexuat atë libër dhe arritët sukses menjëherë. Jo, nuk garanton ky libër, sepse do të ishte një bestseller. Por atë lexojeni shumë herë. Çdo herë që e lexoni do të zbuloni diçka, por jo në libër. Do të zbuloni nga veprimet tuaja, sepse ju do të filloni të jetoni me atë realitet. Ju filloni të përgatiteni fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht për sfidat tuaja... Merreni këtë libër, lexojeni”, u shpreh Pacolli.

Pacolli foli edhe për sfidat që njeriu has përgjatë rrugës, e për këtë rrëfeu se si vet ka hasur në shumë zhurmë me rastin e paraqitjes së tij për herë të parë publike si politikan në Kosovë. E për këtë, ai tha se përkundër zhurmës, askush nuk mundi ta ndalojë, pasi që me punë ka dëshmuar se gjithë ato reagime kanë qenë asgjë më shumë sesa të pavërteta.

Pacolli: Me ardhjen time në skenën politike të Kosovës u bë shumë zhurmë, por nuk ndalova

“Më tepër bënë zhurmë një lis që rrëzohet sesa një kodër që ndërtohet. Kjo është gjithë ajo zhurmë që u bë me ardhjen time në skenën politike të Kosovës. Ardhja ime në skenën politike në Kosovë nuk kishte për qëllim përfitime politike. Ajo u pa me vite. Ashtu siç ishin të gjithë të zhurmshëm të gjithë në vitin 2006-2007. Ishin të zhurmshëm edhe në titujt e gazetave se ka ardhë një agjent nga Rusia, një serbofil dhe donë të marrë nga Kosova atë ... siç u pa edhe kjo nuk u vërtetua. Ishte sikur ajo zhurma e lisit që u rrëzua”, tha ai.

Drejtori i kolegjit AAB, Lulzim Tafa, lartësoi veprën e Behgjet Pacollit, duke thënë se vet Pacolli është sinonimi i çdo suksesi.  Ndërsa për librin tha se është çelësi i të menduarit për realizim synimesh.

E rruga drejt suksesit, sipas Tafës nuk është e lehtë, porse është vet Pacolli që dëshmon se për ata që punojnë nuk ka dështime në jetë.

Tafa: Behgjet Pacolli, sinonim i suksesit

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa tjerët zgjohen e punojnë. I tillë mendoj se është Pacolli. Natyrisht se Pacolli nuk e kishte rrugën e lehtë, e ka thënë edhe vet ai, por shumë kohë më parë e ka thënë edhe Dante Aligieri, i cili thoshte se nuk ka rrugë të lavdishme të shtruara me lule. Rrugët e suksesit janë gjithmonë të vështira. Për punën e tij, Pacolli ka marrë shumë mirënjohje, lëvdata dhe kritika të padrejta nga armata dembelësh. Meqë jemi te suksesi, sinonim i të cilit është vet Pacolli, më lejoni të citoj David .., i cili thotë: ‘njeri i suksesshëm është ai njeri që ngre një ndërtesë me tulla që hidhen në drejtim të tij’”, u shpreh Tafa.

Ndërsa Mimoza Thaçi, lartësoi lartë figurën dhe veprat e Behgjet Pacollit, duke thënë se ndjehet e nderuar që jeton në kohën e tij, sipas saj, në kohën e Presidentit më të mirë në botë.

Sipas saj, Pacolli meriton të gjitha lavdet pasi që ai ka zgjedhur të bëjë për njerëzit atë që çdokush do të dëshironte që të tjerët të bëjnë për ta.

Duke folur për librin, ajo theksoi se për shumë njerëz, "15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit", mund të shërbejnë si pikë-kthesa më e madhe në jetën e tyre. 

Thaçi: Behgjet Pacolli është presidenti më i mirë në botë

“Jam e nderuar kur jam afër presidentit më të mirë në botë. Unë e quaj presidenti më i mirë në botë... Me të vërtetë ne jemi me fat që jemi në këtë kohë dhe dua që secili i ri të kuptojë se çfarë njeriu kemi afër nesh, i cili ka lënë gjithçka anash vetëm që të jetë në mesin tonë, dhe të na ndihmojë neve më aftësitë dhe mundësitë e tij në çdo fushë të jetës. Unë me të vërtetë jam e nderuar sepse kur njeriu ka një qëllim, atëherë lëvizë qielli dhe toka që ai njeri ta realizojë atë qëllim. Dhe secili prej jush, ndoshta sot do të jetë pikë-kthesa më e madhe për ndonjërin nga ju sepse do të fillojë të mendoj se çfarë thotë mendja e tij çdo ditë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ky libër i promovuar sot, vlen të lexohet disa herë radhazi, pasi që sipas saj, Behgjet Pacolli përmes këtyre 15 parimeve ka përshpejtuar dhe lehtësuar  arritjen e suksesit për të gjithë ata që synojnë të realizojnë ëndrrat e tyre.

Pacolli u përgjigj në pyetje të ndryshme që të pranishmit kishin për të, teksa krejt në fund u shpërndau atyre  edhe librin e tij.

***

Në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB po mbahet promovimi i librit "15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera