Naum Veqilharxhi, ideatori i alfabetit origjinal të gjuhës shqipe - Bota Sot
Naum Veqilharxhi, ideatori i alfabetit origjinal të gjuhës shqipe

Libra

E hënë, 22 tetor 2018

Naum Veqilharxhi, ideatori i alfabetit origjinal të gjuhës shqipe

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 14:47
Ideatori i alfabetit

Pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX dhe ideatori i alfabeti origjinal të gjuhës shqipe u përkujtua ditën e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me veprimtarinë me temë “220-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit” .

Në këtë veprimtari referuan rreth kësaj teme Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, dhe Rovena Vata nga Akademia e Studimeve Albanologjike.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha se Veqilharxhi është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. Për më tej Dr. Dorian Koçi bëri një ekspoze të gjerë të kushteve në të cilat filloi iluminimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar.

Koçi tha se,“punën e tij si atdhetar iluminist Naum Veqilharxhi e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Ideja kombëtare për së pari filloi nga zhvillimi i arsimit dhe një gjë e tillë nuk mund t’i atribuohet një njeriu, por plejadës së tërë. Gjithsesi Naum Veqilharxhi ishte ai që e filloi punën e tij në një “tokë djerrë”, dhe pas 20 viteve na dha një alfabet krejt të veçantë me të cilën mund të shkruhej gjuha shqipe”, tha mes të tjerash në fjalën e tij Dorian Koçi.

Për të pranishmit që merrnin pjesë në këtë aktivitet Rovena Vata, do të shtonte se Naum Veqilharxhi ishte njeriu që kërkonte arsimimin e përgjithshëm të popullsisë, që punoi fort për të njehsuar dy dialektet e shqipes dhe që punoi gjithashtu për pastrimin nga fjalët e huaja të fjalorit shqip. Veqilharxhi ishte vetëm 27 vjeç kur filloi punën me Evëtarin, dhe ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve pas kësaj veprimtarie do të pengonte përhapjen e helenizmit në trevat ku ata jetonin. Me veprimtarinë e tij Naum Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë. Sipas Rovena Vata, Naum Veqilharxhi me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.

“Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi kërkoi zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara”, tha në fjalën Rovena Vata.

Naum Veqilharxhi lindi në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës ,më datën 6 dhjetor 1797 . Më 1838 , vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune .Po në këtë periudhë ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçare për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.

Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, ”Evëtari”.

“Evëtari” i tij nuk gjeti zbatim të gjerë, por gjithsesi ishte puna më serioze deri në atë kohë për të pasur një alfabet ndryshe të gjuhës shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test