Bashkëjetesa e dy Ridvanëve

Libra

Bashkëjetesa e dy Ridvanëve

Nga: Fatbardha Hasi Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 11:03
Fatbardha Hasi

Leximi i një libri të futë në një botë të veçantë dhe të shkëputë nga realiteti i përditshëm. Varësisht nga tematika, shtresimi i ngjarjeve, shpalosja e ideve, narracioni, figuracioni si dhe stili i shkrimtarit, bëjnë që disa libra të ngjallin kënaqësi dhe emocion gjatë leximit, e disa të tjerë të thumbojnë, mundojnë, e të fusin në një qorrsokak, ku e di si ke hyrë por, vështirë gjenë rrugën të dalësh. Romani për të cilin do të flasim i takon librave të parë që cekëm, pra, atyre që të kënaqin gjatë leximit.

Copëzat e fëmijërisë të shkapërderdhura në tregime, po që i mban të lidhura një vijë rrëfimore, janë ato që ndërtojnë romanin e shkrimtarit Ridvan Dibra, “Në kërkim të fëmijës së humbur”.

Që në titull Dibra krijon metaforë, në kërkim të fëmijës së humbur, ku ngrihet dilema rreth atij fëmije që ka humbur, dilemë kjo që shtron dy pyetje, kush është fëmija i humbur dhe kush është kërkuesi i tij?

Nga shpalimi i tekstit, shohim që kemi një autor-narrator-personazh, i cili i rrëfen copëza jete të ndodhura dikur në fëmijërinë e tij të hershshme, rreth dyzet apo dyzetepesë vjet më parë, në formë kujtimesh. Ngjarja zhvillohet në një kapërcyell mes fëmijërisë dhe burrërisë, ku narratori  zhvendoset herë në njërën anë, e herë në tjetrën dhe i shpalos rrëfenjëzat e tij. Gërshetimi i kohëve (e kaluara me të tashmen), detyrimisht shkallëzon ngjarjen në retrospektivë, pra, në fëmijërinë e autorit. Aty ndeshemi me një Ridi të vogël, i cili sapo ka mësuar shkrim-lexim dhe i ka hyrë sfidës së madhe (të papranueshme në realitet) për leximin e Stendalit, konkretisht pesëdhjetë faqe brenda ditës.

Preokupimet për mësimet dhe sfidat në jetën e Ridit të vogël janë mikrotemat që shkëputen nga tema e romanit, pra, fëmijëria e autorit. Sfidat për mësimin e notit, biçikletës, lojës së shahut, janë ato që përcjellin pothuajse çdo fëmijë, ashtu si Ridin e vogël. Ai i mëson  dhe ia arrin qëllimit. Por, janë ca sfida të tjera që ai nuk arrin t’i kapërcejë asnjëherë, si ajo e shkrimit me dorën e djathtë apo gjetja e mënyrës për të rrëfyer ëndrrën më të mirë apo edhe rifreskimi i kujtimeve me gjyshen.

Shikuar në mënyrë më të detajizuar, libri Në kërkim të fëmijës së humbur, nuk është thjesht vetëm një shpalosje e kujtimeve nga fëmijëria, ku, pak a shumë, secili lexues mund të gjejë copëza të fëmijërisë së tij brenda tekstit (unë veçoj tregimet “Vajzat”, “Tre të marrët”, “Arrat e Fanit”, “Lulevilet”, “Tri vjersha”, “Shah dhe damë”), ai fsheh brenda vetes gërshetime ngjarjesh, persona e sfida, të cilët ndikojnë në ndërtimin e personalitetit të Ridit të vogël.

Faktorët e jashtëm ndikojnë në krijimin e superegos edhe te Ridi sikur te çdo njeri. Përveç rrethit në të cilin ai jeton, theks të veçantë kanë dy persona me të cilët Ridi është në kontakt të vazhdueshëm, ata janë i ati dhe Ili. Është me rëndësi të veçantë mosha e personazhit, sepse pikërisht në atë moshë ngjizet personaliteti i njeriut dhe çdo këshillë, vërejtje e sugjerim absorbohen nga fëmija i moshës pesë vjeç e tutje.

E, si do të ishte ai Ridi i vogël i ndrojtur, frikacak dhe i mbyllur, sikur mos ta kishte një shok si Ilin, ekstrovert, i cili është gjithë kohën në veprim, e që shpërfill rregulla e ndalesa? Variabilitieti mes Ilit dhe Ridit është i dukshëm që në tregimet e para, ku përballë një Ridi introvert vendoset Ili shpërthyes, që e nxit në veprim me e pa dëshirë Ridvanin/narratorin. Sharjet, që ripërsëriten sa e sa herë në tekst, që Ili ia drejton Ridit, bëhen refren në veshin e lexuesit. Idiot, frigaç, qullash, spiun, epitete këto që, çdo herë lëndojnë shpirtin e brishtë të Ridit, por, ai, këto sharja ia kthen shokut të tij vetem me një, idiot je vet. (Të njëjtin epitet ia përsërit Ili Ridit, në moshën madhore, të burrëruar tashmë, kur ky i fundit refuzon mjeshtërisht kërkësen e tij, për ta kaluar prapë me not Bunën. Idiot se idiot ke mbet, shfryhet ai).

Vizita te shtëpia e shtrigave, përgjimi i vajzave përmes vrimës së tualetit, avantura për t’u larë te vija e eskavatorit, kalimi i Bunës me not, avantura në trenin e fabrikës së tullave, shikimi i filmit të parë nga çatia e shtëpisë, shitja e ferramacave, lufta me lakuriqet, kopjimi i çelësit të bibliotekës, së babait të Ridit, do ishin të pa përjetuara, për Ridvanin si fëmijë dhe për ne si lexues, sikur të mos ekzistonte një shok/personazh si Ili.

Është i dukshëm ndikimi i babait tek autori-narrator personazh. Ky i fundit, i është mirënjohës babait për mësimet e mësuara në fëmijërinë e hershme, pavarësisht sfidave që ka hasur dhe zhgënimin e tij nga babai, deri në atë masë sa i ngjallen mendime se mos i ati e dëshiron vdekjen e tij, kujtojmë tregimin Mësimi i notit. Këto janë mendime naive që, jo rrallë ngriten tek fëmijët. Një mospërfillje të madhe nga babai, Ridi e merr kur boton tri vjershat e para të tij, me ç’rast, i ati, jo vetëm që e nënçmon kur i bën pyetjen: Vet’ i ke ba?, por për më tepër, ai nuk e përgëzon dhe, i bën një pyetje edhe më therëse: E ke vjel’ shportën e fiqve?

 Pavarësisht kundërshtimeve që kishte me të atin, autori-narrator- personazh, ka një lidhje të veçantë me të. Vetem ai ka arritur që t’ia mësojë gjërat e vështira. Ridvani ndërton një ironi pikërisht me këtë fakt. Pamundësia që Ridvan Dibra të ngasë makinën, ka shkaktar kryesor babanë e tij (mund të pohojmë se babai s’ka ditur të vozitë makinën, e ky i fundit nuk ia ka besuar dikujt tjetër një mësim kaq të vështirë), pamundësia e tim ati për të m’i mësuar gjërat si dikur, përfundon Dibra justifikimin e tij.

Egojae Ridvanit fëmijë, vërehet që në fillim, sidomos te mospërfillja e ndalesave, të mos lexonte shumë dhe mungesa e vullnetit për të mësuar shkrimin me dorën e djathtë. Nëse tek e para autori-narrator-personazh e ka të pamundur të kuptojë se pse i ndalohen gjërat e vetëmësuara nga i ati, atëherë mësimin e shkrimit me dorën e djathtë e refuzon qëllimisht. Ai nuk pranon imponime të dhunshme. Për të është e papranueshme një kërkesë e tillë, kërkesë kjo e cila e vendos para një lloj gjyqi në fëmijërinë e tij. Te ky tregim, por edhe te disa tregime të tjera, autori ka dhënë pjesë nga jeta në komunizëm, mirëpo këto elemente janë të gërshetuara dhe vijnë te lexuesi në mënyrë aq të thjeshtë sa të ngrisin dyhimin a është poenta e rrëfimit pikërisht tek ajo pjesë e jetës. Kujtojmë këtu edhe tregimin, Arrat e Fanit, të cilit në fund i merret kopshti nga shteti, kur në Shqipëri bëhet reforma agrare, më pas tregimi Tri vjersha me nga tri strofa ku redaksia ia ndryshon përmbajtjen e vjershës Ridvanit. Ai shkruan:

 

Gjyshi im flokëbardhë,

Vjen e më tregon një përrallë

Një përrallë të bukur shumë

Që më vë natën në gjumë.

 

Kurse vjersha në revistën “Pioneri” i botohet më këtë përmbajtje:

 

Gjyshi im flokëbardhë,

Vjen e më tregon një përrallë

 Një përrall’ me partizanë,

 Që luftojnë porsi luanë...

 

Autori qëllimisht nuk jep informatë shtesë rreth kohës së komunizmit, sepse mënyra e stilit që ai ndjek dhe posmodernizmi si formacion të cilit ai i përmbahet nuk preferon një gjë të tillë, që ngjarja të pasurohet me informacione shtesë.

Ridvan Dibrës nuk i vijnë kujtimet nga fëmijëria rastësisht, ato përjetohen sërish nga ai në moshë madhore. Është një çast ose një ndodhi e realitetit të jetuar në të tashmen që e shtyn autorin t’i rikujtojë ngjarjet fëmijërore. Në fund të secilit tregim janë dhënë edhe arsyet të cilat e kanë shpënë autorin deri tek ato kujtime fëmijërie. Ai tërheq paralele mes realitetit e fëmijërisë, jo rrallë ironizon me realitetin që e rrethon, por edhe me punën e tij shkencore, kemi parasysh tregimin Tre të marrët, ku punën e tij shkencore e kërkimet për librin Një lojë me emrin postmodernizëm, e krahason me xhepat e Qerametit ku gjendej gjithçka.

Lufta vëllavrasëse vitit 1997, e nxit imagjinatën e autorit të kthehet në fëmijërinë e tij, ku ai kishte praktikuar një lojë me akrepa. Informacionin për faktin rreth akrepit e kishte lexuar diku në një libër. Topika ishte kështu: akrepi, kur i kanoset rreziku nga zjarri dhe s’ka rrugë shpëtimi, e sulmon veten me bishtin e tij, me ç’rast edhe vdes nga helmimi. Edhe lufta ndërshqiptare e asaj kohe, ishte e njëjta gjë, vetëm se këta të fundit nuk kishin një faktor të dytë i cili i shtynte të vetëvriteshin, siç kishte akrepi zjarrin.

Pra, siç u pa, loja e rrëfimit te ky roman zhvillohet mes Ridvanit fëmijë dhe Ridvanit të rritur. Ridvani i rritur kërkon Ridin fëmijë që i ka humbur. E, megjithatë, ai nuk ka humbur, por vetëm kotet herë pas here brenda Ridvanit të madh. Përvojat dhe preokupimet fëmijërore janë ato që e shqetësojnë edhe tash Ridvanin e rritur, vetëm se ka ndryshuar qëllimi dhe dimensioni i tyre në kohë. Tash mungon Ili, i cili e nxit Ridin në veprim, por, edhe në rastin kur ai shfaqet, Ridvani tashmë di të thotë jo, e të refuzojë (kujtojmë refuzimin për ta kapërcyer me not Bunën sërish) veti kjo e krijuar e të cilën në fëmijëri nuk e kishte.

Po të marrim parasysh heroin brenda veprës, atëherë, nuk mund të themi që Ridi shquhet si hero brenda veprës. Ai hero mund të ishte Ili. Pra, qëllimi i autorit te kjo vepër nuk ishte që të lavdërohet e të mburret me fëmijërinë e tij, sepse ai gjatë gjithë rrëfimit arrin të nivelizojë arritjet e tij me dështimet (nëse mund t’i quajmë dështime). Suksesit të mësimit të leximit para moshatarëve të tij, autori ia ka kundërvënë pamundësinë për të parë filmin e parë. Është pikërisht ai, Ili, i cili ia rrëfen filmin e parë. Përzgjedhjen si nxënës i dalluar dhe shpërblimit për të shkuar në kampin veror, ai ia ka kundërvë mungesat e tij të tjera, si pamundësia e rregullimit të shtratit, pamundësia për t’u ambientuar larg familjes dhe shoqërisë, problem ky që e përcjell për vite të tëra, sa ai detyrohet që të shkojë në kampin veror. Botimit të poezive të para, Ridvani ia kundërvë pamundësinë për të shkruar me dorën e djathtë, gjë që e humb dashurinë e mësueses dhe e fiton përqeshjen e moshatarëve që e adhuronin më parë për poezitë e botuara. Thënë shkurt, kemi një fëmijë i cili ka jetuar një një kohë të vështirë me sfida e preokupime të ndryshme, por, që ka qenë i njëjtë me moshatarët e tij, nuk ishte ai i veçanti, komandanti i grupit. Autori nuk e idealizon fëmijërinë e tij.

Duke pasur parasysh që, letërsia është përzierje e reales më fiksionin, e në shumë raste më shumë fiksion dhe imagjinaritet sesa realitet, copëzat e romanit Në kërkim të fëmijës së humbur, na vijnë të mbushura me ngjarje dhe elemente reale. Këtë pohim e përforcon edhe më tepër fakti kur në shumë tregime gjeta të fjetur edhe pjesë nga fëmijëria ime. Por, ka edhe  elemente të tjera brenda veprës që e pezullojnë vërtetësinë (si leximi i pesëdhjetë faqeve tekst brenda dite nga një fëmijë gjashtëvjeçar), por kjo bëhet e pranueshme kur kujtojmë faktin e përmendur më lartë nga vetë autori, që postmodernizmi përmban gjithçka brenda vetës, m’u si xhepat e Qerametit.

 Ky libër, i sjellë me një ligjerim të thjeshtë e të rrjedhshem, të rrëmben gjatë leximit, të çon detyrimisht në fëmijëri (të nxitë të gjurmosh nëpër copëza kujtimesh), të mahnitë më mbamendjen e autorit dhe të lë një shije të këndshme leximi pasi ta kesh përfunduar leximin.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat