Liri dhe kaos për poezinë - Bota Sot
Liri dhe kaos për poezinë

Libra

E shtunë, 20 tetor 2018

Liri dhe kaos për poezinë

Nga: Ejup Ajdini Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 14:24
Ejup Ajdini

Se ç’mu kujtua një thënie e Robert Ellsit ”Liri dhe kaos për poezinë”, për të cilën edhe fillova të mendoj, veçmas për poezinë tonë në dekadat e fundit, sepse,  me daljen në skenë  të facebook - ut, duket sikur lindi një epokë e re e letërsisë, veçmas e poezisë. Për t’u çuditur!... Kanë dalë shumë poetë e poetesha, të cilët krijojnë vjersha pakufi e pa kritere estetike. Tejet entuziast për vargjet e tyre  plot ëndrra dashurie dhe ca burra të krisur që e “rrisin” veten duke krijuar “Poezi Patriotike”, të cilët, figurat stilistike i përdorin vend e pavend, vetëm e vetëm që dikush, veçmas ata që nuk e njohin poezinë, t’i thirrin për “patriot”. Sa të mjerë!... Për ta bërë trimin e vet sa më madhështor, trimin që s’e ka takuar asnjëherë, thotë: “gjaku i trimit rridhte nga rrënjët e lisit, deri te gjethet lartë”. Ja, duket qartë mashtrimi stilistik i “poetit” megaloman. Nuk është një rast, por janë të shumtë. Të mjerët, para internetit rrinë të ndezur flakë dhe duke kaluar nga njëri portal në tjetrin, që të bëjnë sa më shumë miq e shokë, duke dashur që kësisoj të shoqërohen sa më shumë midis tyre, për ta quajtur njëri tjetrin krijues shumë të frytshëm, për të cilën edhe nuk flenë me orë të tëra gjatë natës... Por, shikuar nga syri thjesht kritik, tek ata gjejmë vetëm lojë fjalësh dhe arti poetik as që ndjehet diku. Të gjitha poezitë e tyre janë pa mesazh të caktuar, apo të gjitha kanë një mesazh të vetëm. Ata shkruajnë për ndjenjat e zbehta të çastit, të cilat edhe vetë autori nuk i ndjen më shumë se disa orë. Pastaj, sa herë që hyjnë në biseda të dashurit e facebook-ut, i shkruajnë nga një poezi njëri tjetrit. Sa herë që hyjnë në internet, fjala e parë nisë duke shkruar “poezi”: “E di që je larg e dashur, / po unë pa ty s’mund të rri”, / pasi unë të dua pakufi” etj. Ata veprojnë me pasionin e çastit, por shpesh me qëndrime hipokrite, pasi nuk janë në gjendje të vetëdijshme ta ndjejnë mosdijen dhe mashtrimin e tyre. Sa të mjerë! Herë paraqiten “bosë”, herë hallexhinj, herë kërkojnë botën e imagjinatave dhe në fund askush s’i kupton, bile edhe ata veten s’e kuptojnë, nuk e kuptojnë, pasi janë të mjerë, sepse e kërkojnë diçka që nuk e kanë humbur, pa as që e kanë pasur ndonjëherë. 

E gjithë kjo çon nga bastardimi i vargut poetik. Ata shiten se gjoja i mundon zjarri i pasionit për dashurinë, apo për një hero. Ata nuk dinë të përcjellin të bukurën artistike përmes mesazhit poetik. Pa hezituar mundohen të bëjnë lojën e fjalëve të bukura, që shpesh edhe i ngatërrojnë figurat stilistike dhe kuptimet e tyre. Shpesh e ngatërrojnë të bukurën me të shëmtuarën, të shëmtuarën me simpatiken dhe të ulëtën me të madhërishmen  si kategori të veçanta estetike dhe kësisoj krijohet një estetikë bastarde në artin tonë letrar. Shpeshherë e bastardojnë kodin etik të fjalës poetike dhe në këtë mënyrë të të shkruarit, fjala humb kaptimin, pasi gjithçka mundohen ta realizojnë përmes kombinatorikës së fjalëve, duke krijuar një “pemë me lule”, pa emër e mbiemër, pa lile e pa fryte.

Arti poetik kërkon në radhë të parë largpamësi, pastaj vëzhgim të thellë nga lexuesi, pasi arti kërkon të jetë i përjetshëm dhe të depërtojë e të përjetohet te shumë lexues, të cilët patjetër duhet të kenë vlera të larta shpirtërore dhe shije të hollë estetike, që do ta kuptojnë dhe do ta ndjejnë artin e tyre të preferuar. Prandaj, nuk mundet që çdokush ta shpallë veten poet, apo krijues i zhanreve tjera letrare e artistike në tërësi, veçmas, kur duken qartë mangësitë e mëdha të vlerave krijuese artistike. Këto mangësi të mëdha e venë në dilemë edhe poetin e vërtetë, e bëjnë të kompleksuar, pasi nisën të mbetet i vetmuar në hapësirat e këtij mediokriteti poetik të portaleve dhe të facebook-ut të ditëve tona.

Për të qenë një krijues me standarde të mirëfillta letrare, duhet të cilësohet me disa veçori krijuese, siç mund të jenë: stili i veçantë krijues, përdorimi  në rregull i figurave stilistike, pa u lodhur se ç’do fliste rrethi injorant, pastaj të ecë drejt rrugës së tij evolutive, pse jo edhe drejt një revolucionariteti kulturor, që të tjerët ta përcjellin dhe mbi të gjitha duhet pasur kujdes me mesazhin që përcakton një art poetik. Menjë fjalë, çdo krijim artistik, qoftë poetik, apo edhe i zhanreve tjera, nëse i mungon mesazhi, atëherë lirshëm themi se aty kemi lojë fjalësh, lojë ngjyrash dhe lojë tingujsh, por vetëm art të mirëfilltë nuk kemi. Atëherë, ky lloj “arti” le të quhet arti i njerëzve entuziast i portaleve tona  në internet.   

Portalet dhe faceboku tani më janë bërë vendtakimi i turmave të ndryshme popullore. Çdokush tenton të bind turmat se dikushi është dikush. Aty përdoren të gjitha format e dukshme e të padukshme, pastaj edhe misterioze, vetëm e vetëm që të bëhen të pëlqyeshëm nga dikush, apo edhe nga shumëkush. Tani vlerat e turmave maten në internet, me të vetmin mjet, duke e shtypur sustën dhe del një fjalë e huaj - LIKE, apo siç e përdorim ne, “ llajke”. Te kjo kategori kalemxhinjsh fjala “llajke” është ankthi më i madh i tyre, pasi brengosen thellësisht se sa llajke do marre për një poezi, për një skeç, për një selfie etj. Në këtë rast, “krijuesit” e tillë jetojnë të tërbuar nëse në facebook kanë marrë pak llajke. Të mjerët i ka kapluar ankthi i llajkave dhe nuk nisen drejt artit të vërtetë, të ecin drejt koncepteve dhe vlerave të reja letrare e estetike.

Në të kundërtën e kësaj që thamë deri tani, pjesa tjetër e turmave krekoset se ka marrë shumë llajke, pa e ditur të mjerët se ajo turmë s’ka fare shije estetike rreth artit poetik. Pastaj një pjesë e madhe e turmave pa e lexuar fare vetëm e shtypin sustën që determinon fjalën LIKE. Pse këta të mjerë u gëzohen llajkave?!..  Më e keqja është se të paditurit, që fare nuk e dinë poetikën e artit, të bëjnë elozhe të rrejshme duke të thënë: bravo, shumë e bukur, superiore, fantastike, gjeniale etj. dhe kësisoj përcaktohen vlerat e artit në  facebook. Kësisoj, nuk i shkon fare mendja të mjerit “poet” se asnjë vështrim kritik nuk është bërë nga ndonjë redaktor apo recensent serioz për vlerat poetike të vjershave të tij. E gjithë kjo tani shndërrohet në krijimtari megalomane, bashkë me “poetin” megaloman dhe kjo megalomani e mbështjellë me filozofi snobiste është shndërruar në sëmundje skizofrenike te një pjesë e dukshme e kalemxhinjve tanë. Kjo sëmundje ka arritur deri aty saqë, “autori” i mbledh vjershat e tija të botuara në facebook, apo nga portalet mashtruese dhe i boton ato në një libër “poetik”, por redaktor e recensent nuk i bëhet kush. Për momentin, për redaktor apo recensent e vë një shok apo një mik të rastit, i cili nuk di të bëje recension dhe në vend të recensionit, i mjeri “ poet” i shënon shkarravinat dhe elozhet e llojllojshme që kanë shkruar, apo janë tallur dikush në facebook. A është mendje kjo? Këtë nuk e bëjnë edhe fëmijët, pasi sadopak edhe ata i vret një ndërgjegje... Po çka i vret “poetët“ megaloman?!...Me siguri ata do t’i vrasë vetëm interneti, plagjiatura, smira, demagogjia, rrena, mashtrimi dhe do mbijetojnë të mbështjellë me idiotësinë e llojit të vet. Të tillët do të shkruajnë broçkulla dhe do jetojnë  pa e ditur se ç’është në të vërtetë arti poetik.

Poeti i mirëfilltë, në radhë të parë, i ndrydh ndjenjat dhe shpirtin e tij poetik gjatë gjithë kohës dhe gjithë jetës së tij. Ai nuk vuan dhe nuk e ndrydh trupin për llajke, çmime e dekorata, por ai është pararojë e shpirtit të tij dhe e rrethit ku jeton. Ai nuk rri pa gjumë për elozhe që t’i bëjnë rrethi i tij injorant, por rri pa gjumë nga emocionet, ndjenjat, fisnikëria dhe shija e thellë estetike që ka për artin. Ai lind, krijohet dhe vdes poet dhe jo si shakaxhi i kohës dhe i lagjes së vet, me epshe e vrapime ogurzeza. Ai ka kujdes të madh në mos ngatërrimin e koncepteve të jetës dhe filozofisë së kohës, kur jeton dhe vepron ai. Ata i ruhen shtrigave të kohës që të mos bien në filozofinë vulgare të krijimtarisë jetësore, pasi ka ndodhur shpesh që, për shkak të dobësive krijuese, disa krijues janë zhytur thellë në fushën e sharjeve, mllefit, arrogancës dhe kësisoj përfundojnë në vorbullën e madhe të snobizmit patriarkal krijues, pa e ditur se i kanë shërbyer tradhtisë mashtruese të kohës së vetë..

Marrë në përgjithësi, shoqëria e turmave krijon poet që njohin vetëm ndikimin e instinkteve dhe, pasi nuk kanë vend në shoqërinë elitare, ata krekosen vetëm midis turmave, sepse turmat e “hanë” gjithçka që u përgatitet. Turmat gjithmonë kanë qenë anonime dhe bashkë me “poetët” e tyre anonim vdesin në anonimitet, gjithmonë të ngushëlluar midis veti. 

Nga e gjithë kjo del se, poetët e mirëfilltë të mos e lejojnë veten të bëhen pre e turmave, me të cilin do të kënaqet turma e tyre, apo lagja e tyre. Edhe pse kohët dhe politikat e këqija i shtrydhin njerëzit e mirë dhe se poetët e mirëfilltë nuk përkrahen nga forcat pushtetshme me të vetmin qëllim që ata të mos bëhen avangardë shoqërore. Përkundrazi përkrahen poetët mediokër, të cilët u bëjnë elozhe kastave shoqërore, me të cilët më lehtë pushtohen dhe mbahen në kontroll shtresat e ndryshme popullore. Kësisoj, duke u përkrahur mediokritetet krijuese, pengohen krijuesit e mirëfilltë dhe aftësitë e tyre të shpërblyer nga natyra, që të mos bëjnë ndikim në ndriçimin e fenomeneve të errëta, pasi shoqëria, asisoj kërkon rrugë më të shpejta drejt lirisë së vërtetë, artit të mirëfilltë dhe jetës më të bukur shoqërore në përgjithësi.

Kjo flet për një krizë dhe një rrezik  të “padukshëm” të kohës sonë. Mirëpo, arti i mirëfilltë nuk ndalet dhe gjithmonë do të mbetet triumfues. Poetët e mirëfilltë të të gjitha kohërave dhe të të gjitha vendeve të botës, vazhdimisht të penguar nga kastat e ndryshme politike e shtetërore, gjithmonë kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja, shpeshherë edhe jetën e tyre dhe asnjëherë nuk kanë pranuar të jetojnë në bashkëjetesë me turmat e mediokriteteve krijuese, pasi nuk u ka pëlqyer të jetojnë si “derra të kënaqur”, siç thoshte Migjeni. Moto kryesore gjithmonë  e kanë pasur ndjenjën shpirtërore të njeriut, drejtësinë shoqërore dhe artin e mirëfilltë krijues. Përmes kësaj të fundit janë munduar që të shërojnë plagët e ndryshme shoqërore nëpër  etapa dhe formacione të ndryshme historike, e jo për t’u reklamuar me shkrimet e tyre të dyshimta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test