Poemë për atdhetarin që jetën ia kushtoi arsimit, lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar

Libra

Poemë për atdhetarin që jetën ia kushtoi arsimit, lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 12 prill 2018 Në ora: 08:28
Nuhi Potoku “ Monografi në vargje “, kushtuar Ismail Thaçit, KLI”Arif Shala” –Prishtinë, 2018

Poeti llapjan Nuhi Potoku para lexuesve erdhi me librin e tij të  16-të “ Monografi në vargje “ (kushtuar Ismail Thaçit në 100 vjetorin e lindjes). Autori edhe me poemën kushtuar mësuesit e atdhetarit Ismail Thaçi dëshmon se është vrojtues i mirë i motiveve sidomos atij atdhetar, që përshkon pothuajse tërë poemën

Pas parathënies prezantohet faksimili i dekoratës nga Presidenti i Shqipërisë, prof Dr. Sali Berisha për Ismail Thaçin. Dhe nga kjo lexuesi menjëherë bëhet kureshtar ngase e sheh se poema i është kushtuar një personaliteti meritor të atdheut tonë.

Nëpërmjet kryepersonazhit dhe aktivitetit të tij autori, e qet në shesh veprimtarinë atdhetare të Ismail Thaçit dhe të shumë bashkëveprimtarëve të tjerë në hapjen e shkollave shqipe në Llap e më gjerë dhe në aktivitetin atdhetar. Autori ka arritur që përmes vargjeve të kësaj poeme të nxjerrë në dritë personalitetin e Ismail Thaçit që gjeneratat e reja të njohin veprimtarin patriotike të tij ngase ai një jetë ishte në shërim të atdheut.

Poema hapet  me një prolog  me vargjet :

U lind e u rrit një djalë i Shqipërisë

Në fshatin Zakut të Llapit

Prej oxhakut të prushit të burrërisë

Kjo poemë është e ndarë në disa pjesë dhe fillon me vargjet :

Në Zakut të Llapit, një vend burrash

U lind Ismail Thaçi në oxhak prej kullash

Trashëgim i të parëve si një flakadan

Prushi i lirisë ia ndezi fatin për vatan

Autori Potoku edhe këtë poemë si edhe poemat e më hershme kushtuar personaliteteve të njohura llapjanë, e ndërton duke u bazuar në ngjarjet, rrëfimet aktivitetin arsimor e luftarak për liri e pavarësi të vendit që  Ismaili ishte shumë aktiv për një kohë të gjatë dhe të gjitha këto autori  i veshë me pjesën artistike duke ruajtur origjinalitetin e këtyre ngjarjeve dhe të vetë personazhit, të cilin e ngrit në lartësinë meritore të tij.

Ja si thotë  poeti në vargjet e  poemës në pjesën që e titullon “Me pendë e pushkë “

A po shkon Ismail Thaçi

Në luftë me ra

Me pendë e pushkë

Të luftojë me shka

Shapin prej sheqerit me e nda

More shkije e shkina nuk i kemi motër e vëlla

Ismail Thaçi disa herë  gjatë viteve  1941-1944 së bashku me prof. Ymer Berishën, udhëtuan  për në Shqipëri, me qëllim të furnizimit të shkollave shqipe në Llap dhe Gallap me tekste dhe literaturë tjetër të nevojshme në gjuhën shqipe, ndërsa autori Potoku këtë e thotë kështu :

Lajm i mirë, lajm i mirë

Në tokat shqiptare

Edhe n’ Llap të Kosovës

Po vjen abetare

Se veprimtaria e Ismail Thaçit ishte e drejtë  kuptimplote  autori e thotë në vargjet e poemës kështu:

Në tri fronte fjala jote

Doli kuptimplote

Në vijën politike – për Shqipëri etnike

Në vijën arsimore – për gjuhën e kulturën kombëtare

Në vijën ushtarake – në të djathtën për Shqipëri natyrale

Ismail Thaçi ishte sekretar i OPU ”Besa Kombëtare”

Se ç’po mbahet

Kuvend në Arbëri

Prof Ymer Berisha  kryetar

Ismail Thaçi,sekretar i tij

Ai mori pjesë aktive në shumë beteja  si në Luftën e Drenicës, ashtu edhe  si pjesëtar i njësive të armatosura të  KNDSH. Ismaili me aktivitetin e tij të pandalshëm gjatë asaj kohe ishte edhe si urë lidhëse  në mes Llapit, Gollakut, Shalës së Bajgorës, Artakollit dhe Drenicës

Djemtë e Llapit shkuan

Në luftë në Drenicë

Për të sunduar plisat

Jo me mbet nën kapicë

Meqë Ismaili nuk u pajtua me pushtetin e atëhershëm ai u detyrua të jetoi në ilegalitet dhe të zhvilloi aktivitetin e tij bashkë me grupin që e udhëhiqte dhe nëpër disa fshatra të Llapit gjeti strehim dhe përkrahje nga popullata e këtushme.

Po e kërkon pushteti

Mësues Ismail Thaçin

Jo nuk e jep Llapi

Drejtorin e parë në Llap

Të arsimit shqiptar

Nuk ua jep Llapi njeriun e pendës e të pushkës

Derisa të qetësohen valët

Të tërbuara të arushës

Një pjesë të mirë të poemës autori ua kushton trimërisë dhe trimave llapjan të të gjitha kohëve duke filluar nga Demë Ahmeti e deri te Zahir Pajaziti dhe lufta e lavdishme të UÇK

Përse Ismail Thaçi

Të lartë e ke krenarinë

Sa shumë e shumë bëri

Llapi për Etninë

Në epilogun e poemës për Ismail Thaçin autori thotë :

Ismail Thaçi në këtë moment

Para vdekjes e ka një testament

Për shqiptarët kudo që janë

Ti lënë ndarjet e ta synojnë mesin

Shqipërinë Etnike ta përshëndesin.

Në këtë libër  recensenti prof.dr .Flamur Shala në parathënien e librit shkruan për figurën e mësuesit e atdhetarit Ismail Thaçi ku  në fund të shkrimit sjellë një pjesë  nga libri  për Ismail Thaçin  :

“ Ismail Thaçi  ishte një personalitet i veçantë i lëvizjes sonë kombëtare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Ai me punën dhe veprimtarinë e tij la gjurmë  të pashlyeshme në historinë, arsimin dhe kulturën tonë, duke u kthyer në simbol të rezistencës, të atdhetarit të madh e të papërkulur të lirisë, të mësuesit të dashur e të çmuar.

Ishte intelektual i tipit perëndimor – drejtues dhe edukator i shkëlqyeshëm, nismëtar i hapjes së shkollave  në gjuhën shqipe  në Kosovë, organizator i mrekullueshëm, nacionalist i përbetuar, personalitet që kishte ideal bashkimin  e trojeve etnike  dhe formimin e Shqipërisë në kufijtë e sajë etnikë. Ismaili mbeti model shembullor për ta ndjekur rrugën e tij, veçanërisht te ata të cilët merreshin me arsimimin dhe edukimin e brezave  të rinj të kombit tonë. ”

Më pas kemi edhe poezitë e Rrustem Hysenit dhe Behxhet Thaçit, pastaj vijnë tri shkrime ( një biografi të shkurtër të Ismail Thaçit, një shkrim për hapjen e shkollave shqipe në Llap më 1941, që përgjegjës i arsimit  në këtë trevë ishte Ismaili, si dhe kalimi i Ismailit me shokë në Drenicë ) të marra nga monografia “Një jetë kushtuar atdheut” të autorëve Azem Hajdini - Xani & Behxhet Thaçi

Libri “ Monografi në vargje ” përmbyllet me poezinë “ Lavdi mësuesit ”

Lavdi mësuesit Ismail

Për biografinë jetësore

Një jetë të tërë popullit shqiptar

Shqipërisë Etnike ia kushtove

………………….

…………………..

Lavdi për Ismail Thaçin

Me duhi edhe në Tiranë

Një jetë ia kushtoi mësuesi

Shqipërisë nënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat