Vargëzime me sintagma të shtresuara poetikisht - Bota Sot
Vargëzime me sintagma të shtresuara poetikisht

Libra

E premte, 19 tetor 2018

Vargëzime me sintagma të shtresuara poetikisht

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 7 tetor 2018 Në ora: 13:04
Poezitë e prologut në këtë vepër janë çelës poetik i sistemit të strukturimit dhe të ndërtimit motivues të këtij vargëzim në librit “Fshehtësitë e heshtjes”

Pas botimit të dy veprave tjera letrare poetja e vyeshme pejane Ajete Pavatak  doli edhe me veprën e tretë me  poezi e cila mbanë titullin“Fshehtësia e heshtjes”. Kjo poete  me krijimtarinë e saj letrare, vitet e fundit, është një emër  e cila vjen para lexuesve,  një pasqyrim që meriton të shtrijë nivelin poetik, duke u shkallëzuar në disa anë, si në formë strukturë, tematikë, e pse jo edhe në figuracion dhe gjuhë poetike. Këtij strukturimi i prin një poezi që është prolog dhe një tjetër në fund që është epilogu i librit. Brenda kësaj strukture sistemohet e gjithë nuanca e vargëzimit poetik e poetes dhe gërshetohet me tematikën, motivet, shtrirjen, figuracionin e të tjera. 

Qysh në fillim duhet theksuar se strumbullar i këtij libri është elementi lirik i gërshetuar me nuancat e dashurisë për njeriun, prindërit, miqtë, atdheun, kombin, historinë, luftëtarët e trimat e lirisë, plagën e mërgimit, duke u kurorëzuar me jetën dhe me të gjitha nuancat e saj ndaj qenies, pra individit poetik. Të gjitha poezitë janë lirika të ndjeshme. “Poezia e vërtetë, fillimisht lind në shpirtin e individit, pastaj zbret në mbretërinë e muzave duke i përvetësuar vetëm ata që kanë lindur për pavdekësi”. Qëndrueshmëria dhe pavdekësia e mallit, dashurisë, sakrificës e mendimit qëndron si forcë e pamposhtur dhe e skalitur artistikisht nëpër vargjet e poezive. Ky konstatim rri përballë të gjitha tronditjeve dhe përplasjeve të njeriut, sidomos të individit nëpër fazat e jetës. Ato shpesh janë të pamëshirshme, duke mëtuar të jenë të pamposhtura, por ana figurative e lirikës së autores  Pavataj të cilën e çlirojnë  dhe e bëjnë të ëmbël, të shtrirë dhe të kapshme për lexuesin, ngase: Këto vargje të para të poezisë së prologut, janë një çelës poetik i sistemit të strukturimit dhe të ndërtimit motivues të këtij vargëzimi. Siç shihet, autorja,  ka imagjinatë, që e përdor për ta shfaqur atë në formë të poezisë. Mbi të vërtetat e individit, pra të subjektit lirik frymojnë qëllimet dhe mëtimet artistike të krijueses, që nëpër disa hallka të këtij zinxhiri frymojnë edhe elemente biografike, qofshin individuale, familjare, e pse jo edhe krahinore, kombëtare e më gjerë. Nga këtu del konstatimi se në shumicën e poezive shihen duke buruar buzëqeshje që dalin si shtjellime të frymëzimeve, por edhe lot, gjëma e vaje që janë jehona mallëngjyese të jetës dhe situatave të saj për heroin lirik krijues.

Portretizimi i egos së dashurisë shfaqet dendur në vargëzimet e poezive të veprës  me titullin“Fshehtësitë e heshtjes”

Në një mënyrë, autorja lidh fenomenet e kohës me yjet, me fatin, e pse jo edhe me pritjet e jetës. Këto shihen edhe në  vargje e poezive të saja ku  shpaloset dëshira e një shpirti kërkimtar, që gjendet diku në thellësitë e mistereve dhe të panjohurave të kuptimeve të thella e të pamëshirshme të jetës dhe të provokimeve të botës cilado qoftë ajo me të mirat e me të ligat e veta. Këto vargje janë reflektim i zërit të zemrës, ngaqë në thellësitë e tyre janë yjet, ëndërrimet e ëndrrat, shpirti, dashuria, natyra dhe njeriu në përgjithësi. Kjo del e mbështjellë me shqetësimin, që afron vetmia kur sytë kërkojnë dritën, që fati e ka fikur diku. Në çaste të tilla malli do të qëndrojë në ajër dhe do të rrijë i qetë ku nga atje do të numërojë kohët. Kur dielli del dhe çlirohet nga retë, malli do të fluturojë kryelartë nëpër ajër. Atëherë mbi të gjitha këto të papritura, qetësia lëshon aromë dhe një engjëll zbret mbi flokun e muzës poetike dhe ia lëmon atë. Qetësia mbushet me ajër dhe ofshamat rrjedhin teposhtë për të humbur në skutat e errëta të humnerës. Shpesh nga humnerat e errësirës ndizet dritë shpresëdhënëse e cila ndriçon rrugët e shkronjave që të çojnë në parajsën e ëndrrave të qetësisë qiellore, mbase edhe përrallore, poetike e artistike të gërshetuara.

Kjo poetikë ndrit kur dyzohet me përjetimet, frymëzimin dhe ndjenjën e subjektit lirik. Rrjedha e tillë depërton lehtë tek lexuesi dhe do të mbahet po ashtu lehtë në mend, sepse është e shprehur në poezi me katër vargje ku shumica e tyre kanë rimë të përputhur sipas skemës ABAB, por edhe tjetër fare. Këto forma kurorëzohen edhe me shumë sintagma poetike që janë të gjetura artistikisht, si për shembull: “stuhi valësh”, “dhuratë nate”, “nota kujtimesh”, “akulli i ngrohtë”, “vargje të ndryshkura”, “rreze dritë hëne”, “teatër hëne” e të tjera. Sintagma të këtilla poetike janë një simbiozë, e cila duke u gërshetuar në tërësinë e figuracionit shfaq figurat duke filluar nga simboli, metafora, antiteza, epitafi, e të tjera. Prandaj me të drejtë konstatohet se vargje të tilla me këto sintagma poetike dhe gërshetime figurash janë ndjenja shprehëse të subjektit lirik të poezisë së shfaqur këtu në përgjithësi. Portretizimi i egos së dashurisë shfaqet dendur në vargëzimet e poezive të veprës “Fshehtësitë e heshtjes”. Mbi këtë qëllim e synim në libër ndërtohen dromca që janë gërshetime të përjetuara, apo që në një mënyrë do të skaliten në mendjen e lexuesit duke depërtuar në thellësitë e ndjenjave.                                                                                                    

Vëllimi më i ri i saj me titullim “Fshehtësitë e heshtjes” është një dëshmi se në të ardhmen priten risi të tjera

Sipas frymëzimit ai është mëshirim i të gjitha mirësive, ndaj e meriton t’i shtrohen rrugët me lulet më të bukura, gjegjësisht me ato të cilat i adhuron. Edhe përtej misionit biblik ai ishte i dashur, kurse edhe kjo e dashuronte me gjithë qenien e veta. Karakteristikë e veçuar në shumë vargje janë edhe portretizimi lirik i shtrirë nëpër hallkat e ndjenjës së subjektit, pastaj vështrimi i shtresimit poetik i shprehur me anë të përjetimit me nota kujtimesh në pentagram ëndrrash që ikin së bashku me heshtjen e rrëfimit lirik. Shtyllë e gjithë kësaj është ngadhënjimi etik i të mirës mbi të keqen, i të bukurës mbi të shëmtuarën. Këto janë dëshira planetare të cilat përngjajnë me dritën e qiellit, të hënës e sidomos të diellit sepse këto vargje tërthorazi largohen nga të pavërtetat e hidhura të vuajtjeve të pareshtura të rëna mbi supet errëta gjithçka të thënë me fjalë, por që nuk thuhen me zemër.

Fatmirësisht ky nuk është pasqyrim i jetës sentimentale edhe kur pena frymëzuese ngjyroset me poret e jetës nostalgjike të mërgimit dhe të mërgimtarit si subjekt intim lirik. Edhe forma e akuzës është shtyllë e shprehjes në disa vargje të poezive. Vargje të tilla kanë model të shtruar edhe më parë në poetikën tonë. Kjo shihet në format me tematikë sociale që shtriheshin gjerë e gjatë nëpër kohët e hapësirat tona historike. Andaj, nuk është e tepërt as shpërfaqja e këtyre negocimeve nga autorja që diku përkojnë edhe me nominime ku trajtohet mjerimi, vuajtja, varfëria e të tjera. Poetja e vyeshme Ajete Pavataj me tri veprat e saja  ka grumbulluar disa forma dhe sintagma krijuese, që janë një dëshmi se ajo është duke hapur rrugën e vet poetike. Kjo rrugë ende ka disa çaste që duhet rishikuar dhe rikrijuar, por megjithatë është premtuese. Vëllimi më i ri i saj me i ri me titullim “Fshehtësitë e heshtjes” është një dëshmi se në të ardhmen priten risi të tjera, më të qëlluara e më të suksesshme të autores që do të jenë një pasuri për lexuesit dhe bibliotekat tona.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test