Ese të protestës dhe të shpresës

Libra

Ese të protestës dhe të shpresës

Nga: Shaban Murati Më: 17 tetor 2018 Në ora: 18:19
Kopertina e librit

Esetë janë ndër gjinitë më të vështira të publicistikës, por edhe më interesantet për t’u lexuar, sepse identifikojnë gazetarinë si një lloj arti. Ndaj libri me ese i gazetares së talentuar Delvina KËRLUKU, me titull “Im atë dhe këlyshët e Titos” ngjall natyrshëm një kureshtje të veçantë njohëse dhe estetike. Me një sy të mprehtë vëzhgimi profesional autorja qëmton atë tematikë, e cila jo vetëm përgjithëson, por edhe simbolizon karakteristikat tipike të zhvillimit aktual të shoqërisë në Maqedoninë e sotme. Si gazetare, intelektuale dhe qytetare, që i përket popullit shqiptar në Maqedoni, esetë e saj sjellin përpara lexuesit përjetimet dhe shqetësimet e saj dhe të popullit të saj për problemet e shumta dhe të mëdha, që përballohen në marrëdhëniet e përditëshme shoqërore, ekonomike, politike, linguistike, historike, akademike, juridike, etj. Pasqyrohet një panoramë realiste, që dëshmon një zhvillim dhe ecuri disproporcionale, të cilat e kanë burimin në ndërtimin e pabarabartë të marrëdhënieve ndëretnike në një shtet, që u krijua dhe mbahet pikërisht në sajë të ekuilibrit midis dy popujve përbërës, popullit maqedonas dhe popullit shqiptar.

Esetë e saj nuk kanë emocione nacionaliste dhe as hiperbolizim të ndjenjës dhe përkatësisë kombëtare, por shquhen për vështrimin mbi kohën, mbi njerzit dhe mbi konfliktet, për të bazuar analizat e saj tek e verteta dhe tek e drejta për të gjithë. Ato

kanë mprehtësinë e kapjes dhe të shtjellimit pothuaj artistik të fenomenit në dritën e realizmit dhe të kuadrit të mundshëm, ku duhej të ishin të zgjidhura çështjet. Duke hedhur pyetjen hamletiane: “Çdo të bëhet me ty populli im?” autorja ndërton boshtin e librit me ese mbi nevojën e njohjes dhe zgjidhjes së asaj pyetje madhore, që e bën të vuajë atë si autore dhe intelektuale dhe popullin e saj.

Spektri i plotë i tipizimeve të situatave në fusha të ndryshme të jetës, që nga ekonomia e deri tek gjuha amtare, shfaq natyrshëm një protestë sociale dhe intelektuale, e cila shpreh zërin dhe aspiratën e një populli të tërë. Esetë e saj shkojnë përtej protestës dhe ngjallin dhe inkurajojnë shpresën. Ajo nuk pajtohet me padrejtësitë, që sheh dhe përjeton, por kërkon zgjidhjen e tyre. Zgjidhjet, që ofron libri, janë në një sens realist, humanist e pozitiv, me një mendim të pjekur e të qartë se ndërtimi i një shoqërie dhe i një shteti të barabartë në Maqedoni për të dy popujt përbërës, është ndihmë jetike për vetë shtetin dhe popullin tjetër.

Autorja rrok një gamë të gjërë problemesh, të cilat jashtë çdo retorike, ftojnë për ndërgjegjësim qytetar. Ndërgjegjësim të vetë shqiptarëve për atë, që provojnë dhe vuajnë nga padrejtësitë, të cilat burojnë vetëm nga insitucionet e një historie dhe të një gjuhe tjetër.

Esetë e Delvina Kërlukut zbulojnë gjenezën e padrejtësive tek historia dhe pabarazia e të kaluarës jugosllave e titiste dhe vazhdimësia e kësaj trashëgimie, të kaluare të hidhur, e cila u sanksionua edhe me shtetin e ri të Maqedonisë. Një shtet i ri, që adoptoi mentalitetin jugosllav ndaj populliti shqiptar dhe që gabimisht mendoi se duke

menjanuar popullin shqiptart nga barazia që i takon, do të ndërtojë një shtet njënacional vetëm për vete. Ndaj autorja refuzon të pranojë shovinizmin e brendshëm të projektit “Shkupi 2014”, i ndërtuar mbi idolatri inekzistente në planin historik, por shtypëse në planin psikologjik aktual.

Meritë e librit të autores është se jep një analizë të ekuilibruar, duke kërkuar disa herë rrënjët e së keqes, jo vetëm tek pala tjetër dhe as vetëm tek monpolizimi i pushtetit nga pala tjetër. Ajo nuk pajtohet me kompleksin e nënshtrimit të popullit të saj ndaj realitetit, dhe ka një kritikë edhe për popullin e saj, i cili është pajtuar me krijimin e situatave diskriminuese nëpërmjet gjendjeve shpirtërore e mendimore fataliste. Autorja kritikon fshirjen e historisë me dorën dhe paratë tona. “Të mjerë janë ata, që bien preh e sistemit dhe e pushtetit, që i krijojnë vetë”, thekson me një filozofi proteste Delvina Kërluku. Është një konkluzion sa i vërtetë, aq edhe i pakëndshëm, që ia nxit asaj vete realiteti i gjërave në shoqërinë e sotme maqedonase. Për autoren është jashtë normales që shqiptarët të kontribuojnë dhe maqedonasit të ndërtojnë. Nga pikëpamja e së drejtës, që ajo ndërton esetë e saj, është e papranueshme që të ekzistojë një sistem selektiv i drejtësisë, në një kohë që të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit në një shtet demokratik, pavarësisht racës, gjuhës apo fesë. Është e papranueshme për autoren që shqiptarët të mos kenë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e shtetit, njësoj si gjuha maqedonase, dhe autorja refuzon psikologjinë e robit që nënshtrohet.

Delvina Kërluku shtron me forcë disa çeshtje të realitetit etnik, të cilat kërkojnë ndërgjegjësimin si të institucioneve të shtetit, ashtu dhe të vetë popullit shqiptar e të përfaqësuesve të tij. Ajo ngren me forcë çeshtjen e shqiptarëve ortodoksë të krahinës së Rekës, të cilët janë shqiptarë të asimiluar dhe të cilët po fitojnë ndërgjegjen e tyre kombëtare në vitet e demokracisë. Delvina Kërluku si kryetare e shoqatës “Josif Bageri” ka dhënë një kontribut të madh në sensibilizimin e opinionit shqiptar dhe maqedonas për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë. Në libër autorja shtron me forcë çështjen e të drejtës së shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë për Kishën Ortodokse Shqiptare në Maqedoni, një e drejtë për të cilën duhet ta ngrejnë zërin partitë politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre në qeveri, siç duhet ta ngrejë zërin e kësaj të drejte edhe Shqipëria dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Në këtë frymë është e lavdërueshme ngritja e çështjes së torbeshëve si shqiptarë të sllavizuar dhe të cilët gjithashtu janë zgjuar në kërkim të rrënjëve të tyre kombëtare dhe po u vënë fëmijve emra shqiptarë.

Në libër nuk mund të mos gjejnë pasqyrim çështjet të mëdha të marrëdhënieve ndëretnike si ajo e Lubotenit apo vendosja e kryqit të madh në Vodno në Shkup, të cilat japin penelata të profilit të një pushteti arrogant, që kërkon të imponohet me dhunë fizike dhe psikologjike mbi popullin shqiptar në Maqedoni. Duke i ballafaquar realitetet maqedonase me parametrat e drejtësisë, të lirisë dhe të demokracisë, të familjes europiane dhe të Bashkimit Europian, ku Maqedonia aspiron të hyjë, autorja shtron pyetjen migjeniane “fati ynë-deri kur”?.

Veçori e eseve të Delvina Kërlukut është kapja e tipikes në aktualitetin e shoqërise së sotme të Maqedonisë. Libri mund të konsiderohet si një lakmus për të kuptuar dhe për të skanuar Maqedoninë e sotme. Esetë janë shkruara me një frazë dinamike dhe energjike, plot gjallëri e metafora, dhe me një gjuhë të mprehtë dhe të kulturuar, të cilat i japin librit një peshë ideoemocionale të veçantë. Do ta quaja një sukses të autores që esetë e saj po ecin gjurmëve të rrugës së prozës së shkurtër dhe të publicistikës së mprehtë të Migjenit dhe të Nonda Bulkës.

Libri “Im atë dhe këlyshët e Titos” sjell një kontribut në literaturën publicistike dhe në mendimin intelektual të popullit shqiptar në Maqedoni. Por vlera e librit të Delvina Kërlukut shkon përtej dimensionit dhe interesave të mjedisit, ku ajo jeton, dhe zgjon një interes më të gjërë, përtej kufijve të shtetit të Maqedonisë. Është një libër i nevojshëm për t’u lexuar nga cilido, shqiptar, maqedonas apo europian, që kërkon të njohë dhe të kuptojë Maqedoninë e sotme.

Autori është ish ambasadori i parë i R. së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat