Poeti në vendlindjen e munguar

Libra

Poeti në vendlindjen e munguar

Ramazan Çeka Nga Ramazan Çeka Më 18 tetor 2018 Në ora: 07:39
Promovimi në Shkodër

Biblioteka "Marin Barleti" në Shkodër ngjason me një zonjë të vjetër, por shumë të ditur e të kënduar që edhe sot e kësaj dite ringjall vetveten me prurjet e reja, që e pasurojnë fondin e saj, por mbi të gjitha e rinojnë shpirtin e saj. Kjo bibliotekë që mban emrin e njërit prej humanistëve më të shquar shqiptar në brezat e krijuesve shkodranë ka një hije solemne me një moshë e vlerë aleksandrine.

Më rrëmben gjithmonë imagjinata, kur kaloj para saj, apo kur e frekuentoj, apo marr pjesë në ndonjë veprimtari promovuese të autorëve, poetë e shkrimtarë, studiues e shkencëtarë, të vjetër e të rinj, që lënë gjurmë në jetën kulturore, artistike e sociale të qytetit tonë dhe të të gjithë Shqipërisë.

Rasti e solli që, para pak ditësh, në këtë bibliotekë, unë të isha pjesëmarrës edhe në një promovim krejtësisht të veçantë, krejtësisht ndryshe. Shkrimtari, publicisti, veprimtari i shquar i Çështes Kombëtare Shqiptare, e veçanërisht i Luftës për Çlirimin e Kosovës, Bedri Zenel Islami, biri i talentuar i Shkodrës, shkapërcen një vetmi misterioze akujsh dhe hedh sytë si Odisea i madh i Lashtësisë drejt Itakës së tij të dashur, Shkodrës.

Vëllimet me poezi "Vetmi akujsh" dhe "Itaka e munguar" u botuan nën kujdesin e Shtëpisë Botuese "NAIMI".

Bedri Zenel Islami ka një të kaluar të vështirë, por njëkohësisht edhe të iluminuar nga rrezet e dritës që Shkodra i lëshonte edhe kur dielli mbulohej nga retë. Kjo e kaluar atë e formoi si një djalë me karakter të fortë, të ditur e të talentuar, por edhe një antikonformist të paepur, veti që e kanë gdhendur ashpër, por njerëzisht qenien e tij si intelektual.

Akujt shkrihen dhe Itaka pret. Kohët kalojnë dhe Shkodra hap krahët e saj të mallit. Kjo ndodhi më 6 tetor, kur në tempullin e urtisë së dijes njerëzore, në Bibliotekën legjendare të Shkodrës, u mblodhën personalitete të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare, për t'i thënë këtij intelektuali të shquar "Mirë se erdhe", duke marrë prej tyre nderimet dhe vlerësimet e merituara.

Një ditë e bukur tetori, që na kujton muajin e kahershëm të letërsisë dhe arteve, angazhoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, nën drejtimin e shkrimtarëve Skender Temali e Zija Vukaj, që me nderimet e duhura të ftonin në promovimin e dy vëllimeve poetike të Bedri Islamit, njerëz të shquar, që janë nder jo vetëm për autorin, por edhe për Shkodrën e mbarë Shqipërinë.

Bedriu ndjehej i ngazëllyer e i kënaqur, me atë buzëqeshje të matur që e karakterizon, kur shihte përreth tij mjeshtra e personalitete të shquara të letrave shqipe si: Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Petrit Ruka, Arben Bllaci e Xhahid Bushati, kur i uronte mirëseardhjen profesorëve të nderuar Sabit Brokaj e Ahmet Osja, si dhe poetëve e gazetarëve të njohur Sefedin Çela, Bashkim Koçi e Dashnor Kaloçi.

Ndjehej i ngazëllyer e i lumtur kur përqafonte me mall mësuesin e tij e të të gjithë shkodranëve, prof. Fadil Krajen, ndjehej krenar kur takohej me figura të shquara të Botës Shqiptare si Ekrem Bardha e Nail Draga, ndjehej i mallëngjyer kur rrokte me dashuri nënën e tij e bashkë me të rininë e tij, shokët e paharruar të shkollës që, edhe pse tani në një moshë tjetër, në këtë sallë ishin gjimnazistë djalosharë.

Këtu, natyrisht nuk është vendi të bëhet analizë krijuese për dy librat që u promovuan, megjithatë rekomandimi ynë për lexuesin është që këto vëllime të merren në dorë e të lexohen, sepse mesazhet e tyre janë të thella, filozofike, aktuale e thellësisht shqiptare. Janë mesazhe që jeta dhe historia e sotme e shqiptarëve ka nevojë t'i njohë.

Gjatë këtij takimi kaq miqësor u fol gjatë për veprimtarinë arstistike, shoqërore e patriotike të autorit, u mbajtën kumtesa dhe u bënë vlerësime nga të pranishmit, gjithmonë duke iu shmangur ngjyrave akademike, pasi vetë ky aktivitet ishte një takim mes miqsh dhe artistësh.

"Duke lexuar librat poetikë në veprimtarinë e Bedriut, shprehet shkrimtari dhe studiuesi, Moikom Zeqo, mik i ngushtë i autorit, duhet të jemi krenar, sepse, ashtu siç është shprehur i madhi Fan Noli, rron e rron e s'vdes shqiptari"

Profesori i nderuar, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja e bëri vlerësimin e tij për autorin poetikisht, ashtu siç di ta bëjë vetëm ai:

"Kur të kam pranë, s'ngopem me ty, malli i pashuar m'buron në sy, gjiri i murosur pikon për ty qumështin e bardhë, dhe nga bedenat të thotë Rozafa "Mirëse ke ardhë!"

Me fjalë mirënjohje e përmallimi u shpreh edhe poeti, shkrimtari e skenaristi i shquar Pertit Ruka, dikur student në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.

"Jam krenar, tha ia, që nga ata dhjetra shokë që unë kam patur në jetë, kam edhe një mik të tillë shkodran, një vëlla të tillë, si Bedri Islami"

Emocione sollën në sallën e tejmbushur si asnjëherë interpretime të poezive të tia nga aktorët e mirënjohur të Teatrit "Migjeni" Agron Dizdari e Merita Smaja, që miqt e shumtë, të pranishëm i përlotën, sollën emocione, por edhe i bënë të ndjehen krenarë.

Rruga e krijimtarisë artistike dhe publicistike e këtij personaliteti ka qenë e gjatë, e vështirë, e mundishme, por edhe e suksesshme. Ajo shtrihet në kohë që nga rinia e tij, por fuqinë e pjekurinë i fitoi më vonë, pas viteve '90, kur bota shqiptare po kalonte sprova të mëdha brenda e jashtë kufinjve dhe pikërisht në vështirësitë e këtyre sprovave lindin edhe njerëzit e shquar, edhe veprat e tyre.

Një nga këto është edhe Bedri Zenel Islami, i lindur e përkundur në djepin e Shkodrës Nanë, i ushqyer me qumështin që buron nga bedenat e Rozafës dhe i brumosur e farkëtuar në zjarrin e pashuar të kauzës shqiptare.

Pas 18 librave të botuar nga pena e tij shkrin vetminë e akujve dhe vjen në "Itakën e munguar"

Suksese miku ynë i mirë!

Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat