Gërshetim i bukurisë dhe ndjeshmërisë

Libra

Gërshetim i bukurisë dhe ndjeshmërisë

Nga: Baki Ymeri Më: 22 tetor 2018 Në ora: 14:07
Kopertina e librit

Anatominë e dashurisë e zbukurojnë poezitë e qëndisura me dantella fjalësh. Itaka e Sabile Bashës është Kosova, atdheu i sakrificës, tempulli i kryengritjes. Muza kosovare shkruan për rezistencën fenomenale të kombit shqiptar. Ajo hukat dëshirat duke i zgjuar nga letargjia. Shkruan për kohën shtatzënë me shputë të grisur në brigjet e pritjes. Citon Kavafisin duke e përkujtuar Kosovën: “Kur ta gjesh, më në fund, Itakën të varfër/ mos mendo se të ka mashtruar/ sepse je bërë i mençur, ke rrojtur një jetë të vrullshme”.

Ky është kuptimi i Itakës, kur “vijnë e shkojnë festat në lagjen time”, kur “motra qëndis flamurin/ për ditën e madhe”. Duke shkruar për forcën e fjalëve dhe funksionin e tyre terapeutik, poetesha rumune Carmen Firan parashtron pyetjen: Si mund ta gjejmë metaforën për t’i anashkaluar përkufizimet, për t’u çliruar nga frika, duke u pajtuar shpirtërisht me vetveten? Cili është roli i metaforës shëruese në jetën e përditshme dhe si mund ta bëjmë pronë inspirimesh të frytshme?

Fjalët e Sabile Bashës kanë magjinë terapeutike përmes hijeshisë dhe ndjeshmërisë së tyre, përmes elegancës me të cilën na fton në një aventurë ekzistenciale të veçantë dhe të guximshme, atë për të qenë ilaç i vetvetes përmes fjalëve dhe imagjinatës. Vargjet e muzës kosovare janë metafora që sfidojnë pritjen. Herë/herë të mahnit poezia ironike e shqetsimeve të ditëpërditshme, herë/herë fjalët e saj shkëlqejnë përmes nurit të mençurisë që e shërojnë unin tonë në kërkim të Itakës me fytyrë purpuri në natën e gjatë, në kërkim të bukurisë, historisë, besës dhe miqësisë.  

Mpleksje e konkretes me abstrakten

E gjithë poezia e këtij libri është në shenjë të meditacionit të kësaj poeteshe, e cila në mënyrë permanente preokupohet me proceset, aktet jetësore të të sotmes, pastaj me të kaluarën dhe me mitin. Meditimi poetik si i tillë ka një shtrirje të gjerë, sepse tangjeton me shumë probleme të jetës, me problemet aktuale, ato të historisë dhe të identitetit kolektiv, me çështjet e jetës intime dhe preokupimeve subjektive dhe me një varg çështjesh që lidhen me njeriun si individ dhe si pjesëtar të një kolektiviteti. Refleksi poetik frekuenton brenda një hapësire të gjerë çështjesh e problemesh, shfaqet dhe artikulohet në dy mënyra: si vizion poetik që është produkt i një abstraksioni të thellë dhe si vizion poetik konkret, i cili ka mjaft analogji dhe përkime me objektin dhe fenomenin e inspirimit. Nga rezultati i artikulimit poetik të inspirimeve shohim edhe dy mënyra të komunikimit të poeteshës me botën dhe jetën. Së pari, kjo poeteshë ka një predispozitë të theksuar për observimin e proceseve konkrete të jetës po aq sa edhe aftësi abstraksioni dhe përgjithësimi, kur kredhet në gjetjen e shkak/ pasojave të proceseve jetësore. Duke e lexuar poezinë e këtij libri shihet gërshetimi i këtyre dy prirjeve: shkrirjen e abstraktës me konkreten. (Ramadan Musliu)

Ëndërra të kuqe për pelegrinë

Pasi ia lexova librin (Anatamia e dashurisë), u takova me  Sabile Keçmezi-Bashën në ëndërr: kjo muzë e bukur kosovare e kishte vënë tezgën në një breg të universit, nga e shihje duke rrëshqitur mbi do rrasa të zverdhura, duke recituar: Mes meje dhe botës së blertë. E pyeta nëse sheh shpesh ëndërra të këtilla, të purpurta apo të kuqëremta. Mu përgjigj, sibilinikisht: Në katër anët e botës/ Dhe në Sheshin e blertë të Prishtinës/ Inflacioni do t’i hajë fjalët...Pastaj më udhëzoi të zgjedh me përngutshmëri metaforën, se pranvera një herë e ngjyros botën në mjegull!

Se është pranverë në shpirtin e poeteshës, këtë e pata kuptuar, por, për më tej...nuk shihja të ketë asgjë mbi tezgë. Por ç’ke prurë për shitje? – e pata pyetur, atëherë. Mer disa ëndërra/ për pelegrinë, më tha. U bëra tejet kurreshtare, sidomos kur intuoja faktin se të jesh pelegrin përmes një ëndërre të kuqe, nuk është një ngjarje e thjeshtë. As që ma ktheu përgjigjen ngase në ndërkohe buçiste një zë hyjnor, ashtu siç vetëm në ëndërr të është dhënë ta dëgjosh, duke më pëshpëritur me fëshfërimë kundërmimesh dhe duke më fërgëlluar me tringëllimat e saj transçedentale: Nata shkon duke çaluar trotoareve të historisë... Poetesha intervenoi duke më shpëtuar: Nëse dëshiron ta kuptosh mendimin tim, të rekomandoj disa mesazhe për hënën që do të bëhet nuse! Aaa, bërtita, e ngyzëlluar por edhe e mahnitur. Merre më në fund Yllin e Mëngjezit për nuse! Përgjigja e saj nuk ma shqetësoi kurreshtjen: Lehtë i kam shitur/ Edhe ato që nuk shiten...

E mbaj mend se zhaurimat e mëngjezit ndikuan që të shkrihen papritur nuancat e asaj ëndërre të ngjyrosur. Ende ndodhesha në atë gjëndje ndërmjet zgjimit dhe ëndërrës kur u dërgjuan do zhurrma te dera. Te dera ime të jenë, apo ende po më faniten në ëndërr. Nëse është ëndërr, vallë çfarë ngjyre mund të kenë? Dhe përsëri dëgjoj: Postjeri tre herë i ra derës/ Për të na treguar se nuk ka rrugë me dy kahje. U zgjova papritur me senzacionin se po më thirr dikush. Nga jashtë më shikonte nusja e gurtë. Po atëherë, libri që e mbaja pranë meje rrëshqiti duke u hapur në drejtim të përgjigjes. Sikur ta ditshim... (Monika Mureshan)

BIOBLIOGRAFI

Sabile Keçmezi Basha u lind më 24 Prill 1954 në Koretin të Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Dardanë. Më 1977 kreu Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Historisë. Kreu magjistraturën (1980) dhe doktoratën (1984) në Universitetin e Kosovës. Shkroi një mori shkrimesh shkencore, publicistike, trajtesa, shqyrtime etj. Mori pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë. Ishte redaktore përgjegjëse për hapësirën etnike shqiptare në revistën “Bota shqiptare”, që botohej në Tiranë (1991-1993). Qysh nga fëmijëria shkruan poezi e prozë për të rritur dhe për fëmijë. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve  të Kosovës. Në vitin 2001-2004 ishte deputete e Parlamentit të Kosovës. Aktualisht merret me probleme të historisë më të re. Që nga viti 1978 punon në Institutin e Historisë së Kosovës, ndërsa që nga viti 2005 është Ambasadore e Paqes. Bibliografi shkencore: Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë më 1945-1966 (1987), Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më 1945-1947 (1993), Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më 1945-1947 (2000),  Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981- 1989, (2003). Bibliografi letrare: Nusja e gurtë (poezi, “Rilindja”, 1989), Kohë epileptike (poezi, ”Jeta e Re”, 1996), Dy lule ka mami (poezi, 1993), ?ndërrat e trishta (poezi, 2000), Hadi (dramë, 2005), Malli për Itakën (poezi, 2008), Nata pa kornizë (roman, 2008),  Anatamonia iubirii / Anatomia e dashurisë (2009) etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat