Publikohet libri: ''Çdo gjë e mirë e ka një fund'', nga Perparim Blakaj

Libra

Publikohet libri: ''Çdo gjë e mirë e ka një fund'', nga Perparim Blakaj

Nga: Perparim Blakaj Më: 26 tetor 2018 Në ora: 20:23
Kopertina e librit

Autori dhe studiuesi shqiptar Perparim Blakaj, ka publikuar tashmë librin e tij të dytë me radhë me poezi, Çdo gjë e mirë e ka një fund. Ky libër vie pas afro dy vitesh qëkur autori publikoi librin e parë Përtej syve, me të cilin dëbutoi dhe u vlerësua si një libër shumë i suksesshëm.

Autori shprehë dashurinë në mënyrë të hapur e disa herë në menyrë të pakuptueshme - të mbyllur e të fshehur, shprehë vuajtjen e tij me përultësi por u qëndron stoik qëndrimeve me një karakter të fuqishëm e të paluhatshëm. Ndonjëherë ''me pak fjalë''e kuptim shumë, e ndonjëherë në vende të ndryshme, ''nga qatia e vjetër e qytetit'' e nga dhoma katër me dy. Për kë? Kujti i drejtohet? I drejtohet Lules së tij, dashurisë e vuajtjes së tij, paqes e mëshirës shpirtërore, ''nën hijen e pendës'' që e do fort, me fjalë të buta, me fjalë të marrëzisë së tij, me gjëra të dashura e të përvuajtshme që janë të mbushura me pritje e pikëllim - asaj i drejtohet. Poezitë janë të pasuruara me ngjarje të vërteta nga jeta, gjë që e bëjnë librin një përjetim më të ndjeshëm, lehtë të kuptueshëm e i përafrueshëm me botën në përgjithësi e me personazhet e saj në veçanti.

Kësisoji, libri është vet jeta reale që ofron libri për ta kuptuar, vuajtje e pikëllim, pritje të panumërta por edhe një lumturi e përjetuar, një dashuri e madhe platonike që pritet të ndodhë e mbahet shpresë për jetë, jetë të përgjithmonshme.

''Në këtë libër Blakaj ka “derdhur” ndjenjat e veta për një personazhe që quhet Lule, e cila mund të jetë person dhe mund të ketë emër tjetër, për të cilën mund të ketë derdhur djersë dhe lodhur këmbët, shqyer këpucët dhe lodhur mendtë teksa i ka shkuar pas kohë të gjatë, për ta bindur që ta dashurojë edhe ajo njëjtë sikurse dashuron ky. Kërkesat e tij dhe refuzimet e saj shkojnë paralelisht në këtë libër. Po ashtu, si shumë djem të tjerë, Blakaj këtu orvatet të na bindë se ndjenja e tij për Lulen është e sinqertë, sikurse vetë ajo, teksa bukurinë e saj të dukshme e vesh me mbretëreshën e figurave - metaforën, kurse atë të brendshme me figurën e prozës - metoniminë.''

- kështu u shpreh redaktori i librit, Berat Dakaj (Armagedoni), nga Shtëpia Botuese Armagedoni.

Ai vazhdoi tutje duke thënë se: ''Si shumë shkrimtarë shqiptarë që krijimtarinë letrare e kanë filluar me poezi, edhe i riu Përparim Blakaj këtë rrugëtim e nis me një përmbledhje poezish botuar vjet dhe me këtë tjetrën botuar sivjet.'' Ndërsa duke u treguar më kritikë rreth autorit dhe librit të tij, tha se: ''Këtij poeti të ri, për t’u bërë më i mirë dhe më i pjekur poetikisht, i duhen gërshërët për t’i krasitur sythet e tepërt, të cilët e rëndojnë tepër pemën e tij letrare''.

Autori në një intervistë para ca kohësh, librin e ri e quajti, libër më i pjekur i punuar me përkushtim dhe se ai pret nga të tjerët ta vlerësojnë për përmbajtjen e tij. Kujtojmë se, Përparim Blakaj (1996-) ka lindur në Istog. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin Vrellë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog. Studimet i vazhdoi në Prishtinë, në Fakultetin e Edukimit. Përparimi shkruan poezi dhe kolumne për gazetat fizike dhe mediat elektronike shqipe. Është autor i shumë poezive, tregimeve, eseve, vështrimeve dhe kënd-vështrimeve edukative dhe arsimore. Vitin e kaluar ka botuar librin Përtej syve, sivjet këtë të përkrahur për botim nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës. Ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë me aktivitetet të ndryshme në Universitetin e Prishtinës, përkrah Parlamentit Studentor dhe është autori i hulumtimit rreth drogave në shkollat fillore të Prishtinës.

''Ralph Emerson bukur tha: "Bota i buzëqesh vetëm luleve". Edhe unë mes botës jam diku, mes shkurreve të gëzimit e pikëllimit, dhe nga aty, i buzëqeshi luleve e më së shumti Lules time'' - u shpreh ai, duke bërë kurioz edhe më tepër lexuesit se kush janë lulet të cilat autori i buzëqesh e kush Lulja e tij. Kjo po që mbetet misteri i librit.

Pozitive ishin edhe urimet dhe përkrahja për librin. Do të veçojmë dy nga disa kritikat e drejtuar librit. Haris Ademi, gazetar, e quajti: ''Një libër që ia vlen, një libër i shkruajtur me dashuri të pafund'',  ndërsa  Liridon Mulaj, autor nga Shqipëria, tha se: ''Më gëzon fakti se një tjetër ''Lule'' çeli në lëndinën e letërsisë shqipe.'' 

Libri Çdo gjë e mirë e ka një fund, mund ta blini në Shtëpinë Botuese Armagedoni ose me porosi nga bashkëpuntorët e autorit dhe së shpejti do të jetë edhe në libraritë kryesore në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Botimin e përkrahu MKRS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat