Promovohen tri vëllime poetike të Agim Deskut - Bota Sot
Promovohen tri vëllime poetike të Agim Deskut

Libra

Promovohen tri vëllime poetike të Agim Deskut

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 17:54
Promovohen tri vëllime poetike të Agim Deskut

“Anatemë e pathënë”, “Universi poetik” dhe “Fishtiane”, janë tre librat më të ri të Agim Deskut që Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës i përuroi sot në Bibliotekën Kombëtare.

Me këtë rast, autori Agim Desku, fitues i disa çmimeve letrare, u shpreh i lumtur për botimin e tri vëllimeve dhe falënderoi LSHK-në për bashkëpunimin.

Desku: Është kënaqësi e veçantë të të promovohen librat

“Është një kënaqësi shumë e veçantë të jesh në një ngjarje kaq të madhe kulturore, të promovohen tri libra, tri vëllime poetike. Unë e falënderoj Lidhjen e Shkrimtarëve, në veçanti kryetarin Shyqiri Galica”, ka thënë Desku.

E për librat dhe krijimtarinë e Deskut folën shkrimtarë e bashkëpunëtorë të tij.

Shkrimtari Sejdi Berisha, njëherësh bashkëpunëtor i  autorit, tha se Agim Desku me veprat e tij i ka dhënë kontribut vlerave të gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Ndërsa, krijimtarinë e Deskut e krahasoi me hallkat e floririt.

Berisha: Në vargjet e Deskut shkrihet krenaria, dhimbja e lumturia

“Nëse e ravijëzojmë krijimtarinë e tij në disa fjali, i ngjan hallkave të florinjta të jetës në të cilat si këngë shkrihet krenaria, dhimbja, lumturia, qëndresa, por edhe mosharresa dhe e kaluara historike, të cilat ai dëshiron t’ia afrojë lexuesit si fanar diturie edhe përmes vargut dhe librit”, ka thënë Berisha.

Shkrimtari Prend Buzhala tha se librat e Deskut kanë tituj diskurziv, që sipas tij, këta tituj shenjëzojnë kërkesa për vlerat universale dhe rinjohje kombëtare.

Buzhala: Librat e Deskut kërkojnë rinjohje të vlerave kombëtare

“Paradigmat e titujve të tillë duan të shenjëzojnë dy kërkesa, kërkesën e parë për vlerat universale dhe kërkesën e dytë për rinjohje të vlerave kombëtare, duke u identifikuar me muzën fishtiane të shkrimit. Kësaj radhe, po përqendrohemi te libri “Fishtiane” në të cilën thelbi i ligjërimit letrar është qenia e qenjësimi kombëtar e historik”, ka thënë Buzhala.

E në emër të shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë nga Gjermania, foli shkrimtari Neki Luli, i cili tha se sot i tuboi një dashuri e brendshme për ta përuruar brumin shprirtëror të Agim Deskut.

Luli: Krijimtaria e Deskut mbeti ngushtë e lidhur me tradita kombëtare

“Krijimtaria krijuese e Agim Deskut nëpër të gjitha etapat e zhvillimit të saj mbeti e lidhur ngushtë me tradita kombëtare, me jetën e popullit, me plagën e hapur dhe torturat që i përjetoi në vazhdimësi populli ynë deri në ditët e sotme”, ka thënë Luli.

Gjatë përurimit të këtyre librave, pati edhe një interpretim artistik nga aktori Çun Lajçi.

Përndryshe, Agim Desku është poet nga Klina i cili deri më tani ka botuar 12 vëllime poetike si dhe ka fituar çmime të ndryshme letrare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test