Në Gjilan, përurohet libri me aforizma i autorit Halim Hasani - Bota Sot
Në Gjilan, përurohet libri me aforizma i autorit Halim Hasani

Libra

E shtunë, 17 nëntor 2018

Në Gjilan, përurohet libri me aforizma i autorit Halim Hasani

Nga: Sevdail Hyseni Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 08:04
Përurimi i librit

Gjatë vikendit të parë të nëntorit, të këtij viti, në Hotelin “Kristal” të Gjilanit, është përuruar libri “600 Aforizma”, i autorit nga Lugina e Preshevës, mjeshtrit të aforizmit shqiptar, Halim Hasani.

Në këtë përurim libri me aforizma, ishin të pranishëm shumë adhurues të fjalës së shkruar artistike nga Gjilani dhe Bujanoci me rrethinë, talentet e reja të Shoqatës për Kulturë “Akademia Stoa” dhe familjarë të autorit, tashmë të njohur Halim Hasani.

Për rolin dhe rëndësinë e librit folën: Hysen Këqiku, redaktor dhe Sevdail Hyseni, recensent, si dhe nga talentet e reja të Akademisë “Stoa”, u lexuan disa aforizma të autorit Hasani.

Kritiku letrar Hysen Këqiku, redaktor i librit dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Kurora”, nga Gjilani, duke folur për librin më të ri të Halim Hasanit “600 Aforizma”, ai, nuk la pa përmendur se këto aforizma, janë vazhdim i suksesit të tij të shkëlqyeshëm të botimit të aforizmit shqiptar, duke rritur numrin me afër 3000 sish, të cilat për peshën që kanë këto thënie të një logjike të kulluar, është shumë sukses i madh, i cili do admirim  të veçantë.

Sipas tij, Halim Hasani këtë libër e ka rrumbullaksuar me 9 cikle, të cilat paraqesin një rrjedhë të këndshme dhe një gradacion të mrekullueshëm edhe në aspektin e shtrirjes emocionale dhe në atë logjike.

“Ky libër, “600 aforizma”, është i mirë. Autori siç shihet në ciklet e zgjedhura, ka marrë fusha të ndryshme duke i vënë në spikamë ato me të cilat njeriu ballafaqohet në jetën e përditshme. Spikatja e dukurive të ndryshme në aforizma për Halim Hasanin sikur është bërë përditshmëri. Jo vetëm kaq por një luftëtar shumë i përpiktë në përdorimin e figurave, të cilat i zgjedh si armë të fuqishme e të magjishme në artin e tij letrar aforistik”, u shpreh Këqiku.

Mjeshtri i lashtësisë historike Hipokrati, shton më tej, redaktori i librit Hysen Këqiku, me përkushtimin  e tij si krijues dhe përdorues i aforizmave, ka mbetur i nderuar dhe i respektuar edhe në betimin e mjekëve, i cili quhet “Betimi i Hipokratit”. Ky mjek ka qenë aq i dhënë pas aforizmave sa që për pacientët e ka përdor aforizmin për të dhënë diagnoza mjekësore.

Si për Hipokratin ashtu edhe për Hasanin mund të flasim me të njëjtën konsideratë të shprehjeve sepse siç ka qenë përditshmëri për të parin diagnozat mjekësore, ashtu edhe për të dytin është njësoj mjet i përditshëm, i cili qorton, kritikon dhe shëron dukuritë e ndryshme kudo që shfaqen ato, duke vënë në vend të duhur thumbin (pa helm) aforistik. 

Ndërkaq, recensenti i librit, Sevdail Hyseni, publicist dhe drejtues i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Bujanoci,  tha se kritika letrare e ka mirëpritur mirë këtë libër me aforizma dhe shtoi se ky zhanër deficitar i mendimit filozofik shqiptar, njeh pak krijues, si Halim Hasani, i cili më shumë se dy dekada e gjysmë e kultivoji aforizmin, duke çuar në 3000 sish botimin  e tij.

Për  25 vjet rresht, që nga viti 1993, Halim Hasani, të publikoj, jo më pak se tetë libra me aforizma, duke shkrirë inspirimin, përvojën jetësore, nëpër këto mendime të larta filozofike.

Libri i parë i tij, mban titullin “Aforizma të kohës” (1993), pastaj libri tjetër “200 Aforizma” (2005), për të vazhduar me “Aforizma bashkëkohorë” (2008), “Aforizma” (2010), “Fjali pa mahi” (2013), “1021 Aforizma” (2012) dhe “Aforizma 2400” (2016) dhe “600 Aforizma” (2018).

Halim Hasani, vazhdon ta kultivoj, afirmoj dhe promovoj Aforizmin, këtë gjini letrare e cila e ka burimin te urtit popullore, të sajuara nëpër shekuj, duke u munduar që në aforizmat e tij, të ngërthej një mësim, një porosi, një këshillë të urtë, si dhe të jap një mesazh të qartë me vlera të mëdha njerëzore.

Nëpër këto aforizma, autori, ka përdorur ironinë, alegorinë, metaforën, krahasimin, të cilat i bëjnë ato më të këndshëm për lexim dhe më të gjata në komentim. Nëpër këto aforizma, gjithashtu, lexuesit gjejnë eksperiencën e jetës dhe sfidat e saj, do të gjejnë mjaft sekuenca jetësore, ku vetë do të shohin sa kënaqësi dhe krenari fshihet pas këtyre thënieve filozofike, të cilat në vete përmbajnë: fisnikëri, humanitet dhe sa njerëzore dhe madhështore është porosia e tyre. Duke lexuar, aforizmat e këtyre librave, gjithsesi se do të ndjeni çlodhje fizike e shpirtërore nga problemet e përditshme, duke u relaksuar dhe motivuar për veprime të reja.

Në fund, autori i librit Halim Hasani, përshëndeti të pranishmit, duke falënderuar redaktorin dhe recensentin, si dhe gjithë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan për të botuar këtë libër, që sipas tij, aforizmi nuk shkruhet lehtë pa inspirim.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test