Një libër i çmuar në shërbim të Çështjes Kombëtare - Bota Sot
Një libër i çmuar në shërbim të Çështjes Kombëtare

Libra

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Një libër i çmuar në shërbim të Çështjes Kombëtare

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 18:59
Prof.dr. Eshref Ymeri

Para më shumë se një muaji dhe pikërisht më 16 tetor, në Hotel Tirana, u bë prezantimi i librit me titull “Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare”. Libri ka një vëllim prej 344 faqesh. Autor i tij është intelektuali i njohur nacionalist, zotëria Sali Bollati, inxhinier-kimist.

Për dijeninë e lexuesve të nderuar, në faqen e fundit të kapakut të këti libri, jepen këto të dhëna jetëshkrimore për autorin e tij.

“Ka lindur në Paramithi të Çamërisë shqiptare më 1 korrik të vitit 1937. Pas vrasjes barbare të shtatë personave të familjes nga bandat shoviniste greke të Zervës më 27 qershor 1944, mbahet në burg po në Paramithi për 6 muaj. Dëbohet me dhunë, bashkë me mijëra shqiptarë çamë, kryesisht fëmijë, gra e pleq, nga trojet e veta etnike stërgjyshore dhe hyn në Shqipëri. Rritet në Shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Mbaron shkollën e mesme në Shkodër në vitin 1960. Diplomohet si inxhinier-kimist me master degree në Bratislavë të Çekosllovakisë dhe emërohet pedagog në Fakultetin e shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Përkthen dhe harton tekste akademike për metoda speciale të kimisë analitike. Pas studimit realizon një repart prodhimi pigmentesh pranë Ndërmarrjes kimike në Tiranë, edhe për eksport. Me nisjen e “qarkullimit të kuadrit”, transferohet dhe punon në Fier, në Elbasan, në Vlorë dhe në Tiranë. Në dhjetor të vitit 1991 është njëri nga nismëtarët e krijimit të Shoqatës patriotike atdhetare “Çamëria”. Njihet si pjesëmarrës në simpoziume dhe në veprimtari ndërkombëtare, si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Pas Hungarisë, Sllovakisë, Çekisë dhe Rumanisë, ftohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i akordohet edhe statusi i azilit politik. Punoi si specialist në Bashkinë e Nju Jorkut. Është martuar me Makbule Pronjon po nga Paramithia. Kanë dy vajza: Betulla dhe Albana. Zotëron gjuhët: anglisht, italisht, rusisht, sllovakisht, çekisht dhe greqisht”.

Të gëzon pa masë botimi i këtij libri i zotërisë së nderuar Sali Bollati, një atdhetar i shquar nacionalist, i lindur në trevën e dashur të Çamërisë, pjesë e pandarë e trungut tonë amtar, por, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të kombit shqiptar, e shkëputur me dhunë nga shovinizmi evropian për interesat e shovinizmit grekomadh. Libri lexohet me një kërshëri të jashtëzakonshme.

Bindja ime e plotë është se ky libër, pa mëdyshjen më të vogël, mund të vlerësohet si një “Enciklopedi e Çështjes Kombëtare të Çamërisë”. Autori i nderuar ka folur me gjuhën e fakteve, duke kaluar në “skaner” fatin tragjik të Çamërisë, i cili është pasojë e Tradhtisë së Madhe ndaj Kombit, tradhti kjo që u mbrujt me shumë kujdes nga tradhtari dhe mercenari i regjur i grekosllavizmit, Enver Hoxha, dhe, po me të njëjtin kujdes, u trashëgua nga pasuesit e tij, po kaq tradhtarë, në periudhën pas ndërrimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist, armik të Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Autori e ka vënë shum mirë në dukje se shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, në ushtrimin e terrorit gjakatar dhe në kryerjen e masakrave të natyrës së inkuizicionit mesjetar kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, në Shqipëri, në periudhën e sundimit komunist, kanë pasur si aleate besnike udhëheqjen antikombëtare komuniste, me në krye tradhtarin Enver Hoxha, kurse në periudhën e neokomunizmit që vazhdon deri në ditët tona, si aleate po kaq besnike, kanë mbarë klasën politike në pushtet, këtë argate me nam në shërbim të Athinës dhe të Beogradit që gëzojnë përkrahjen tërësore të brukselizmit.

Mendoj se ky libër është i nivelit akademik dhe, siç e përmenda më lart, mbart vlera enciklopedike të jashtëzakonshme njohëse. Ky libër, në të njëjtën kohë, shërben edhe si një shuplakë e fuqishme kundër tradhtisë së rëndë të bandës komuniste të kriminelit Enver Hoxha, të klasës neokomuniste në pushtet  gjatë këtyre gati tre dhjetëvjeçarëve, si edhe kundër historiografisë zyrtare komuniste dhe neokomuniste për qëndrimin antikombëtar ndaj Çështjes Kombëtare të Çamërisë.

Libri është një bilancë i krijimtarisë së pasur publicistike të autorit, i cili Çështjen Kombëtare të Çamërisë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë si yll karvani në formimin e vet të shkëlqyer si një intelektual nacionalist.

Artikujt e tij të shumtë, të botuar vite me radhë në faqet e internetit, janë një kontribut i shquar në shërbim të Çështjes Kombëtare të Çamërisë. Atij i dridhet zemra dhe i ngjethet trupi nga skenat e llahtarshme të krimeve të egërsirave greke kundër popullsisë së trevës së Çamërisë, skena këto, të cilat, kur ishte fëmijë shtatë vjeç, i ka parë me sytë e vet se si ia vranë dhe ia masakruan egërsisht shtatë pjesëtarë të familjes së tij.

Ky libër me vlera të shumta njohëse hedh dritë në një mënyrë tepër të ndjeshme ndaj njërës prej tragjedive më të rënda që shovinizmi evropian i shkaktoi kombit shqiptar, me përkrahjen e gjithanshme që i dha shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, në dëm të interesave tona kombëtare. Krimet e rënda të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke kundër popullsisë së trevës së Çamërisë në vitet 1944-1945, të cilat u kryen nën vëzhgimin e ushtarakëve anglezë, ishin skena përmbyllëse të krimit të shovinizmit evropianoperëndimor, pas vendimit të gjëmshëm që ai mori në Konferencën famëkeqe të Londrës të vitit 1913. Pikërisht për shkak të heshtjes tradhtare të Tiranës zyrtare para institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare për Çështjen Kombëtare të Çamërisë, shovinizmi grekokriminal, për ato krime të rënda, të shoqëruara me lumenj gjaku, vazhdon të mbetet i pandëshkruar deri në ditët tona.

Pas leximit të këtij libri, lexuesi me formim të admirueshëm nacionalist vjen në një përfundim fort domethënës: pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Tivari deri në Artë e Prevezë, kombi shqiptar do të vazhdojë të zvarritet përdhe, siç po vazhdon deri tani, pa mundur të ngrihet dot kurrë më këmbë. Kjo për arsye se kombit shqiptar i janë copëtuar gjymtyrët kryesore të trungut të tij amtar: trojet etnike shqiptare në Mal të Zi dhe në Kosovë përfaqësojnë kokën e kombit shqiptar, trojet etnike shqiptare në Maqedoni përfaqësojnë shpatullat e kombit shqiptar, trojet etnike shqiptare në Çamëri përfaqësojnë këmbët e kombit shqiptar. Prandaj Shqipëria Londineze, që prej vitit 1913, përfaqëson në vetvete “një copë kërcu”, pa degë dhe pa rrënjë, të cilin gjithkush e shkel me këmbë, që nga Athina, Beogradi dhe deri në Bruksel.

Mendoj se zotëria Sali Bollati, si një nacionalist i kultivuar dhe si një përfaqësues me dinjitet të lartë i kombit shqiptar, duhet falënderuar përzemërsisht për këtë libër mjaft të pasur me informacion për njërën nga trevat e shquara dhe mjaft të dashura të trungut tonë amtar, siç është Çamëria, një strehë e vërtetë kjo e perëndive pellazgoilire.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test