Lexuesit organizojnë mini-panair për shkëmbimin e librave

Libra

Lexuesit organizojnë mini-panair për shkëmbimin e librave

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 22:39
Foto ilustrim

Grupi i libradashësve "Maniakë t'leximit" më 17 nëntor organizon aktivitetin e radhës, përmes së cilit lexuesit do të kenë mundësi t'i shkëmbejnë librat që kanë lexuar me libra të tjerë.

Aktiviteti i titulluar "Libër i vjetër, libër i ri" do të mbahet më 17 nëntor në Kolegjin Europian, duke filluar nga ora 11:00 dhe organizatorët kanë njoftuar se pjesëmarrës mund të jetë kushdo që ka dëshirë dhe libra për të shkëmbyer.

Shkurta Januzi, organizatore e këtij aktiviteti dhe njëherësh anëtare e grupit "Maniakë t'leximit", ka njoftuar per media se përmes këtij aktiviteti po synojnë t'u japin mundësi lexuesve të marrin libra të ri pa harxhuar para.

“Arsyeja për organizimin e këtij aktiviteti është që t'u japim mundësinë të gjithë lexuesve që librat që i kanë lexuar, t’i shkëmbejnë me të tjera. Në një aktivitet të tillë një lexues mund të hasë në tituj për të cilët nuk ka dëgjuar më parë, apo edhe në botime të vjetra të cilat nuk qarkullojnë më nëpër librari. Në anën tjetër ky aktivitet ka për synim t'u ofrojë libradashësve mundësinë të posedojnë libra të rinj pa e rënduar xhepin e tyre", ka thënë Januzi për KosovaPress.

Ndërkohë, lexuesit e interesuar tashmë kanë filluar t'i publikojnë në grup fotografitë e librave që i kanë për shkëmbim. Në kuadër të këtij aktiviteti, organizatorët do të dhurojnë për lexuesit 24 libra nga fondi i grupit "Maniakë t'leximit", si dhe Libraria Dukagjini do të dhurojë 5 kupona me vlerë nga dhjetë euro për blerje librash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat