Vepër e mendimit dhe e mesazhit të thellë njerëzor e filozofik...

Libra

Vepër e mendimit dhe e mesazhit të thellë njerëzor e filozofik...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 09:53
Vepra e tridhjetë e nëntë letrare nga të gjitha fushat e përkthyer në gjuhen greke

Opusit krijues dhe letrar të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha autorit të tridhjetë e nëntë veprave letrare nga të gjitha fushat, dramaturgut, autorit të monografive, prozatorit, eseistit. Është fitues edhe i shumë çmimeve të  tjera letrare dhe publicistike të fituara në manifestimet kulturore të mbajtura në botën shqiptare dhe ma larg. Veprimtaria letrare e këtij shkrimtari këto ditë iu shtua edhe libri më i ri me poezi, me titullin “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, por tash i përkthyer në gjuhën greke. Në këtë vepër, të cilën e përktheu krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur, Iliaz Bobaj, i cili jeton dhe vepron në Greqi. Bobaj me këtë përkthim të kësaj vepre ka shprushur vlerat më pikante poetike, shpirtërore, filozofike dhe njerëzore të autorit, Sejdi Berisha, i cili deri me tash ka botuar tridhjetë e nëntë vepra letrare nga fusha të ndryshme: poezi, prozë, eseistikë, monografi, dramë, kritikë letrare etj.

Vetë titulli i këtij librit më të ri me poezi, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, ka sjellë bagazhin dhe ndijimin më sublim të peshës shpirtërore dhe poetike të autorit, ku prezanton aktualitetin, historinë, dhembjen, lumturinë dhe madhështinë e njeriut, por edhe zërin e tokës, atdheut, të kombit mbase edhe të njerëzimit nëpër kohëra e periudha. Poezia dhe vargu i këtij krijuesi, që gjithnjë është karakteristik, me vlera të veçanta dhe të shumëfishta jo vetëm letrare, në këtë vepër na del si një strall që rrumbullakon cilësinë estetë-letrare por edhe mesazhin e mendimit filozofik, i cili është i mbrusur me metaforën, satirën dhe me klithmën,  jo vetëm sa për ta ndritur dhe nderuar mendjen, lirinë dhe madhështinë e njeriut, por, gjithnjë troket në derën e arsyes për ta “gjetur” ndërgjegjen dhe vetëdijesimin për rrugëtimin e historisë dhe të dhembjes, të cilat gjëra vrasin, lëndojnë dhe ngrehin zërin për të ndritur, zbardhur, përqafuar dhe përjetësuar gjithçka që qëndron në “hije” e që nuk është bërë lapidar jete, fjale e dëshmie, me të cilat duhet krenuar por edhe ecur më drejtë dhe më kokë lartë përpara. 

Autori, ndoshta këtë vepër e ka sjellë me një titull me “therjen” e mallit dhe me alegorinë e ngulfatur të kohës, sepse, “Kthim në shtëpinë që nuk ekziston”, është diçka që të kthen në kohën e trakullimave shpirtërore por edhe historike, jo vetëm të individit por edhe të komunitetit, mbase edhe të kombit, atdheut dhe të njerëzores, për këtë edhe ligjëron. Kështu, edhe vendlindja, edhe shtëpia e stërgjyshit, gjyshit dhe e babait, janë vule e jetës, e kujtimeve dhe e respektit por edhe e mbrojtjes së dinjitetit familjar dhe kombëtar, që tani shndërrohet në shumëçka, në histori ndoshta të lënduar, në dhembje e mall, që qortojnë thekshëm dhe pa pardon. Këtë e forcojnë edhe më shumë edhe vargjet që i ngjajnë një pikture të përhershme, e cila pasqyron koloritin historik të rrugëtimit. Një këndim i tillë, jo vetëm se dhemb, jo vetëm se poezinë e bën mbretëreshë të jetës dhe përjetimit shpirtëror, por edhe lexuesin e “ngatërron” me vetveten dhe me jetën e historinë...

Këndimi poetik, nuk është thjeshtë vetëm këndim ...

Image
Sejdi Berisha shkrimtar, poet, dramaturgut, autor i monografive, prozatorit, eseistit dhe fitues i shumë çmimeve të fituara në manifestimet kulturore

Duke e lexuar veprën e  shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha lirisht mund të thuhet,  se ndijimi shpirtëror i shprehur përmes këndimit poetik, nuk është vetëm këndim i thjeshtë apo vetëm varg poezie. Përkundrazi, tek vargu fuqishëm e hasim jo vetëm madhështinë dhe filozofinë e shpirtit krijues, por edhe qasjen e veçantë ndaj jetës, ndaj asaj që njeriun e bën në të njëjtën kohë edhe të lumtur edhe madhështor edhe atëherë kur ka mall e dhembje.

Këta, nëse mund të thuhet faktorë, reflektojnë edhe nivelin e mendimit dhe të fuqisë së vargut, të vetë poezisë dhe të zjarrmisë së shpirtit, dhe kështu, pesha dhe mesazhi poetik, gjithnjë njerëzishëm qëndrojnë vertikalisht, si një lapidar përjetësie.  Krahas kësaj, autori jetën e konsideron si diçka më shumë se komplekse, si diçka që kurrë nuk kuptohet dhe as nuk përjetohet deri në fund. Andaj, ai edhe lidhur me këtë ja se si shprehet: “Mishërimi i melankolisë si pjesë e lumturisë, e dhembjes, e dëshpërimit por edhe e së bukurës dhe madhështore,... pastaj, harmonia dhe absurdi i ndijimit shpirtëror bashkë, sikur jetës m’i bëjnë kala në cilën vështirë hyhet në të, e nga ajo ndoshta nuk dilet asnjëherë...”! Edhe ky qëndrim e mendim, padyshim se edhe më shumë bëhet peshë e vlerave të librit, që  dëshmojnë se vargu është pjesë e shpirtit të poetit dhe si provokim i mendimit të thellë njerëzor, filozofik dhe poetik...!

Libri i ëndrrave kurrë nuk shkruhet deri në fund ...

Për krijimtarinë poetike të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, ja se çfarë thotë në mes tjerash, edhe shkrimtari, kritiku dhe studiuesi, Prend Buzhala: “Duke qenë poet, dramaturg, prozator, eseist, autor monografish të shumta, megjithatë Sejdi Berisha, mbetet poet që iu ka përkushtuar vargut poetik për një kohë të gjatë. Këndim-shkrimet paralele (poezi-eseistikë) shpesh e shpesh janë ri këndime eseistike ose poezi e eseistizuar. Poeti ia vë vetes për obligim të flasë për mëkatet që i bën kjo kohë, që i shkakton vetë kjo hapësirë. Nuk është e habitshme pse në këso rastesh fjala e poetit vishet me revoltë a me klithmë të brendshme, me meditim të pezmatuar a me thënien lirike të acaruar, por të kontrolluar rreptësishtë nga shkurtësia e vargut a nga prerjet e saj të shkoqura...”!

Ndërsa, krijuesi, shkrimtari dhe përkthyesi, Iliaz Bobaj, në bazë të tërë kësaj që u thekua, me respekt, pedanteri dhe profesionalizëm por edhe me ndijim të lartë krijues e poetik, ka bërë përzgjedhjen e poezive të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, për t’ia prezantuar edhe opinionit dhe lexuesit edhe në gjuhën greke. Iliaz Bobaj, si krijues letrar ka kontribuar dhe po kontribuon në afirmimin e vlerave letrare shqiptare në Greqi, por edhe në afirmimin e krijimtarisë letrare të autorëve shqiptarë, për çfarë, deri me tash ka bërë përkthimin e shumë veprave por edhe të shkrimeve të tjera. Mendoj se e pikasin edhe më mirë personalitetin krijues të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, edhe këto të dhëna dhe dëshmi për punën, krijimtarinë dhe sukseset e tij: Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.  Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ky krijues me krijimet e veta është i përfshirë edhe në “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe” dhe në librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtarë” e të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat