Fati nëpër rrjedhat e historisë ka diktuar e bartur njerëzimin në vorbullën e shtigjeve nga më të ndryshmet. Vetë jeta e shqiptarëve ka ndodhitë e saja, të cilat karakterizojnë në ndarjet e dhembjeve të gjata. Këto dhembje në shumë periudha historike kanë orientuar rrugët e fatin e jetës pa mbështetjen e faktorit kahedhënës. Faktori njeri e faktori luftë, gjithmonë ka dominuar në logjikën e të shtypurit për zgjidhje e rrugë më të lehta për të shpëtuar gjenin e tij. Pastërtia e këtij njeriu ka bartur me vete, dashurinë, traditën, të cilës i ka qëndruar besnikërisht për disa kohë. Kështu, edhe arbneshët e Zarës, pas dëbimit të tyre nga sundimi e lufta turke, qenë të detyruar të lëshojnë vendlindjen e tyre: Briskun, Shestanin, Krajën, Larjën e Muriqit. Ata më shumë se dy shekuj i përballuan asimilimit gjuhësor e nacional në tokën kroate. Arsimimi dhe ruajtja e traditës së vendlindjes, ruajti edhe tiparet e tyre nacionale për shumë kohë. Mirëpo, zhvillimi shoqëror dhe progresi në botën e civilizuar bëri që abneshët e Zarës, të shpërndahen në kryeqendrën kroate në Zagreb dhe qendra tjera Evropiane, duke reflektuar dituri dhe emancipim njerëzor.
Kështu, intelektualët e Zarës u bënë të njohur në shumë vende të Evropës dhe botës, ata me aftësitë e tyre arritën të bëjnë emër në shumë fusha të kulturës e shkencave të tjera. Sylejman Morina në librin “Arbneshi nuk harrohet”, ka trajtuar e ndërlidhur ngjarje e kujtime nga më të rëndësishmet në fokusim se ato, në vete bartin,krijojnë e ruajnë periudha nga më të ndryshmet. Lidhja e autorit me arbneshët e Zarës daton qysh nga rinia e hershme e tij. Ai në vitin 1994 në revistën “Dituria” nr. 2, të Gjimnazit “Ismail Qemali”, pati botuar shkrimin më titull ”Miroa i Kikicës”, në të cilin që atëherë, ai kishte ruajtur kujtime dhe fotografi me të. Në këto lidhje të gjata me frymë e respekt për jetën dhe karakterin e arbneshëve të Zarës, ai ka kultivuar vazhdimisht kujtime dhe ka arritur të ruajë nëpër shkrimet e tija personalitetet e dalluara. Libri i Sylejman Morinës “Arbneshi nuk harrohet”, është ndër librat e rrallë në kulturën tonë që me dashuri dhe elegancë ka krijuar lidhje të afërta me arbneshët e Zarës. Njohja, më tërësinë e Arbneshit, ka bërë që ai të krijojë edhe njohjet në mes tyre.
Këto njohje e rinjohje për vetë intelektualët arbnesh kanë zgjuar kureshtje, sepse largimi dhe moskomunikimi i tremes veti ka bërë që ata të mos njihen në mes vete, është fjala për një shtresë të intelektualëve, të cilët kanë krijuar vlera të mëdha kulturore e shkencore në shumë fusha të jetës shoqërore e njerëzore. Komunikimi i vazhdueshëm e bënë edhe vetë autorin më kurioz në njohjen e arbneshëve të Arbanasit të Zarës. Ata tanimë veç kishin arritur në krijojnë personalitetin e tyre në shumë fusha. Mënyra e komunikimit në dekadën e parë të këtij fillim shekulli lehtësoi punën hulumtuese dhe kështu autori kishte ruajtur pamjet e Arbanasit dhe të qytetit të Zarës. Kujtimet dhe pamjet e rikthyen Sylejmanin në retrospektivën e ditëve të hershme të tija, ai sikur ringjalli ditët e kujtimet në bashkëbisedime me arbneshët. Intervistat e para që bëri ai, i krijuan mundësi edhe më të mira për të shpalosur rrënjët e arbneshëve. Vetë intervistuesit gjithnjë kanë artikuluar kujtime, ngjarje nga periudhat e ndryshme. Në publicistikën shqiptare njiheshin vetëm disa emra të njohur, si: Josip Rela, Shime Deshpali, Aleksandër Stipçeviq, Budimir Peroviq (Miroa i Kikicës) e ndonjë tjetër, veprat e të cilëve ishin botuar më herët në Prishtinë. Mirëpo, lidhjet e reja që krijon Sylejman Morina, me shumë personalitete akademike,sportive,artistike, letrare dhe të lëmenjve tjerë, ato ngjallin kureshtjen
për lexuesin shqiptar dhe për vetë arbanasit e Zarës. Të gjitha intervistat me evokim kujtimesh, ai i ka botuar në shtypin shqiptar si në: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë Lindore, tani ato vijnë të bashkëlidhura në librin e botuar“Arbneshi nuk harrohet”. Nga njëri shkrim në tjetrin radhiten të arriturat e arbneshëve të Zarës, ato janë rezultate të lakmueshme shkencore, kulturore e sportive etj. Hulumtimi dhe njohja nga njëri tek tjetri personalitet është mënyrë efikase për të arritur deri tek artikujt e Sylës, të cilët të ofrojnë informacione nga më të ndryshmet. Kontaktet e para, pas Luftës së Kosovës të vitit 1999, e rikthejnë autorin në kujtimet e hershme, të cilat i kishte ruajtur në mendjen e tij. Kontaktet e para ai i bënë me familjen e Budimir Peroviqit( Miroa e Kikcës). Rikthimi i shkrimeve, të krijon mundësin edhe për hulumtime e njohje të tjera. Kontaktet me Bernad Kotllarin, janë shumë të rëndësishme, bashkëpunimi me të krijon një lidhje më funksionale dhe në këto korrespondime, autori i librit zgjeron njohjet. Libri “Arbneshi nuk harrohet”, të zgjon kureshtjen e depërtimeve të shumta, sepse sa më shumë të depërtosh në leximin e faqeve të librit, aq më shumë shtohet nami dhe krenaria për arbneshët e Zarës. Intelektualët e njohur i njihte opinioni i gjerë, njëkohësisht edhe shumë të tjerë kishin bërë emër, jo vetëm në Kroaci, por edhe në qendra të tjera të Evropës, ata me aftësi e profesionalizëm përfaqësonin kulturën kroate. Këta intelektualë me kulturë e horizont të gjerë janë asimiluar në aspektin gjuhësor, mirëpo, në aspketin e origjinës së tyre, ata me krenari ruajnë prejardhjen e tyre arbëreshe- shqiptare.
Nga të gjitha shkrimet e Sylejmanit, lexuesi arrin të merr njohuri të reja, sepse mënyra e të gjitha shkrimeve, qofshin ato intervista, apo në formë reportazhi, eseje, të gjitha këto shpalojnë nostalgji, dashuri për të kaluarën e tyre, Nëpër të gjitha labirintet e jetës arbneshët, përkundër numrit të tyre simbolik në krahasim me popullatën kroate, ata i kanë dhënë kulturës kroate shumë. Mirëpo, është me rëndësi të dihet se ata asnjëherë nuk janë përbuzur e nëpërkëmbur nga shteti Kroat, ata me vlerat e tyre kanë arritur deri në titujt akademik, si Pal Deshpali, Aleksandër Stipçeviq,Enio Stipçeviq, Hrvoje Mazija apo në diplomaci: Josip Gjergja, Bozhidar Kallmeta dhe në fusha të tjera shkencore, duke kontribuar edhe në shumë fushë veprimtari tjera. Rezultatet e tyre kanë reflektuar edhe në Kosovë e trevat shqiptare, si p.sh. Josip Gjergja në basketboll.. Në të gjitha këto fushë veprimtari politike, shkencore e kulturore, arbneshët kanë mbrojtur ngjyrat e Kroacisë.
Atdheu amë dhe gjeneza e tyre
Atdheu asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e tij ashtu sa e kanë merituar arbneshët e Zarës. Ata ishin të vetëdijshëm se, ishin në vend të huaj dhe nuk ishin të vetëmjaftueshëm. Ndonëse, shpesh herë bën përpjekje të tregojnë identitetin e tyre dhe të veçantën e tyre. Përkujdesi i njeriut për të kaluarën e tij gjithmonë është i nevojshëm. Arbneshët falë; Relës, familjes Deshpali, Stipçeviqit, Budimir Peroviqit,Kruno Kërstiqit e ndonjë tjetri, të cilët me krijimtarinë e tyre artistike kanë kultivuar, gjuhën shqipe dhe kanë aktualizuar të kaluarën e rrënjëve të tyre. Mirëpo, shteti shqiptar asnjëherë nuk ka nxitur as ndihmuar aktivitetet e tyre kulturore e kombëtare, edhe pse shteti Kroat, sidomos pas pavarësisë ka qenë shumë i hapur dhe pozitiv me çështjen e dy shteve shqiptare. Arbneshët për Zarën janë një begati, kudo shihen gjurmët e lëna nga arbneshët në këtë qytet e më gjerë. Kroatët e kanë konsideruar si pasuri e begati të tyre
Arbneshin, sepse ata në të gjitha format kanë kontribuar për këtë shtet. Të gjitha këto elemente janë të dukshme, duke pasur parasysh faktin se autori i librit me përkushtim e dashuri ka arritur t`i bashkojë të gjitha këto fushë veprimtari dhe personalitete të dalluara. Lexuesi arbnesh, pa marrë parasysh, ku jeton e vepron, ai mëson më shumë për suksesin e tij nëpërmes këtij libri. Kurse, lexuesi i hapësirës shqiptare, ndjen krenari për këtë çerdhe në ruajtje të etnisë së tyre, si dhe në kultivimin e vlerave burimore, përmes trashëgimisë e brumosjes intelektuale .
Nga të gjitha këto që u cekën më lart, shtrohet çështja, i mjafton arbneshit të Zarës ky trajtim në nivelin kombëtar?., gjithsesi përgjigjja nuk është e kënaqshme, sepse nuk të ofron të mundshmen e standardizimit të përkrahjes e ndihmës së nevojshme nëpër kohë. Të gjitha parashtrimet në librin “Arbneshi nuk harrohet”, krijojnë rrethanën e aktualizimit të hapjes së dyerve për njohje reciproke të kulturës shqiptare dhe asaj kroate, në përmasën më të avancuar. Krejt kjo është e ditur,e mundshme, sepse Universiteti i Zagrebit, në të gjitha ndërrimet politike ka qenë në përkrahje të inteligjencies shqiptare. Kështu, që kërkohet një vullnet e dije më institucionale nga dy shtetet shqiptare, të cilat mund të krijojnë mundësi e hapësirë më konkretizuese, reciproke për të ardhmen e popullit kroat dhe shqiptar. Të gjitha këto pikë vështrime e mesazhe, dalin nga tërësia e librit, duke konsideruar si kontribut, angazhimin e përkushtimin Sylejman Morinës në vjeljen dhe radhitjen e këtij materiali, sa të nevojshëm, po aq edhe historik e shoqëror.
Konkretizimi, hulumtimi si dhe dhënia e ideve nga personazhet e librit, krijojnë mundësinë e depërtimeve në ideshmëri të mëtejme për të njohur faqe të nevojshme të kulturës së tyre, të atij nënqielli . Në këto qasje e diskurse Sylejman Morina me sukses ka arritur të perceptojë në këto njohje, të cilat krijojnë perspektivën e kulturës në mes popujve me histori të begatshme.
Vepra“Arbneshi nuk harrohet”, si tërësi të krijon mundësinë e njohjes, me këtë realitet që ka ruajtur rrënjët e veta, duke kontribuar më shumë për kulturën kroate me refleksione për të mirën njerëzore, e cila bartë e trashëgon në ruajtjen e gjenit të tij, si kulturë, civilizim dhe si karakter stabilizues kudo që jeton e vepron. Në të gjitha këto parashtrime Sylejman Morina ka ngritur ura të mirëfillta për kulturën shqiptare dhe atë kroate e më gjerë. Libri“Arbneshi nuk harrohet”, në majin e 2018, është përuruar në Zarë, në prani të komunitetit arbnesh dhe të shumë personaliteteve shkencore të vendit e më gjerë. Në një mënyrë apo tjetër, kjo vepër ka filluar të bëjë jetën e vet edhe në Bibliotekën e qytetit të Zarës, dega në Arbnesh. Si e këtillë ajo rrezaton bukur ndër arbneshët, kudo që jetojnë e veprojnë ata.