Azem Baliaj poet i dhimbjes e dashurisë njerëzore

Libra

Azem Baliaj poet i dhimbjes e dashurisë njerëzore

Nga: Tahir Bezhani Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 21:33
Azem Baliaj; ”Papiruse dashurie”,poezi SHB. “Fishta” Lezhë.

Njeriu i letrave shqipe të kohës së sotme,z. Azem Baliaj,nuk është emër i panjohur për lexuesit gjithandej trojeve shqiptare. Jo për sasinë e veprave të botuara,sa për cilësinë e vargut poetik,thellësinë e ndjenjës shpirtërore ,që me aq mjeshtëri ,e thur tematiken poetike dhe  ua përcjell gjeneratave, dashamirëve të artit letrar. Duke lexuar vargun e poetit Azem Baliaj, lexuesi jo vetëm se ndien një rrënqethje nga pesha  shumë shtresore e vargut, por gjen një hapësirë, një gamë mendimesh që përplasen frymëzimeve të shpirtit  poetik, në të gjitha kohët. Në këtë kuptim, edhe leximi i poezive të autorit të librit ”Papiruse dashurie”,mendoj se duhet bërë me një kujdes  të veçantë, për ta “fituar” shumëkuptimësinë nga thellësia poetike e autorit.

Për ata krijues, miq e shokë të cilët e njohin poetin Azem Baliaj, prejardhjen, të kaluarën dhe të tashmen   e tij, mirë e dinë se poeti ai, gjithë lëngun e mjaltuar  poetik e skenik e ka nga vendlindja, nga Tropoja, çerdhe e poetëve me nam në letërsinë shqipe. Që në moshën e re, me rrokopatjet djaloshare, asaj lugine të Valbonës, atyre Alpeve me vlera botërore, ka “vjedhur” gjithë pasurinë e duhur për art letrar, i cili  e dëshmoi para vendasve dhe opinionit brenda e jashtë vendit të tij, kudo. Karrerën e filloi në skena të hapura e të improvizuara si aktor, ku luajti shume role në drama,komedi e skeçe te ndryshme. Kurdoherë i mirëpritur dhe i respektuar nga publiku . Humori i mprehtë,i lëmuar me satirë,e ka bërë të dashur për dashamirët e artit skenik.       `

Image

Në librin më të ri me poezi,”Papiruse dashurie”,poeti Azem Baliaj, ani se  jeton në Lezhë që shumë vite,në asnjë mënyrë nuk iu ka ç’kapur shpirti i tij nga vendlindja e dashur, Tropojë. Për këtë arsye,poeti u kushton(sot) vargje, mësuesve, shokëve e shoqeve të klasës, gjithë atyre me të cilët ka kaluar pjesën e jetës. Mbresë i ka lënë mësuesja, e cila ia ka mësuar germën e parë të gjuhës së nënës. Përkushtimet i burojnë nga një ndjenjë e thellë dhimbje e dashurie, duke përfytyruar secilin mik e shok, si dje si sot. Më vargje i drejtohet të ndjerës mësuese, Margarita Fishtës : “nesër,me shtatë mars/do vij te varri yt,/me një tufë lule/si në festen e Abetares/Do ta bëj pak zhurmë/dhe alfabetin e shqip/ do ta them përmendësh/ashtu si ti dëshiroje.”

Në vazhdën e përkushtimeve për më të dashurit e vet,me vargje brilante i drejtohet prindërve,motrës së vetme, nipave e djalit,Fisnikut,të cilët i gjejmë të mbështjellë me pëlhurën e mallit të tij të përjetshëm.

Në poezitë përkushtuese,për t’ia përsëritur  meritën  historike Malësisë së Gjakovës, nuk le anash pa e shprehur frymëzimin për derën e Sadik Selmanit të Grisë ,për bujarinë dhe fisnikërinë e tyre me traditë të përhershme. Poezia me titull”Blini i Grisë”,i drejtohet trashëgimtarit të kësaj familje,poetit Zeqir Lushaj. Ja pak rreshta të kësaj poezie: “Mikpritja në breza u përjetësua/”Kulla asht e Zotit dhe mikut”,/Blini i Grisë muzës time iu kujtua/sms,për birin fisnik të fisnikut.” Mendoj se kjo poezi ka një peshë të veçantë  e gjithëpërfshirëse, në aspektin e traditës sonë kombëtare. Ka edhe poezi tjera  me këtë përmbajtje

Poezitë përkushtuese, një frymëzim i veçantë meditativ....

Në librin me poezi “Papiruse dashurie” të poetit Azem Baliaj, gjejmë krijuesin e mendimit universal të jetës . Një lirik modern,  i ndikuar  krenarisht nga poetët e mëdhenj, si Fishta, Mjeda; nga Reshpja e Gjeta, nga Podrimja, Dini  e Shkreli etj. Lirikat e rrjedhshme me rimën e përsosur, ndjeshmëria për  njeriun, për atdheun, për çdo hall të jetës njerëzore, e bënë poetin të jetë  pakës sa i veçantë nga  të veçantët,më të dashur e atraktiv për lexuesit në përgjithësi.

Duke lexuar librin me poezi”Papiruse dashurie”,të autorit me një talent të rrallë krijues,z. Azem Baliaj,që nga faqja e parë e deri në mbarim gjejmë poezi kushtuar personaliteteve të jetës letrare nga të gjitha kohët,nga e gjithë gjeografia  jonë shqiptare.  Autori  nga mendja e penda e tij e mprehtë,iu përkushtohet edhe figurave madhore në shumë fusha të jetës, si  të arsimit,  muzikës, artit  filmik, të cilët  kanë lanë gjurmët e vlera historike, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Të tillë ka shumë,cekim disa nga ta: Naim Frashëri, Gjergj Fishta,Havzi Nela,  Ndoc Gjetja,Ali Podrimja,Azem Shkreli,Din Mehmeti,Dritëro Agolli, Bilall Xhaferi, At Zef Pllumbi, Rexho Mulliqi, rapsodit Dervish Shaqa, Fatime Sokoli, aktorit Bekim Fehmiu, Marie Logoreci, Sandër Prosi, e shumë e shumë të tjerë.Me këto lloj poezish përkushtuese, autori Azem Baliaj,mjeshtërisht ka shprehur gjithë  respektin ndaj atyre figurave madhore të artit e kulturës sonë,të cilët në ditë e kohë të vështira,punuan pandërprerje për të frymëzuar masat e gjëra të popullit,me qëllimin e vetëm, të ecjes sonë me kohën,me popuj tjerë.

Me fjalë të zgjedhura nga thellësia shpirtërore, ka ngritur lart, në paharresë, madhështinë e tyre. Vjershërimi në këtë mënyrë i  z. Baliaj, mendoj se është një thesar shpirtëror e njerëzor ndaj atyre që dhanë shumë për kombin tonë, pra një moralitet poetik i shprehur me shumë respekt. Jo vetëm kaq, poeti Baliaj, me gjuhën poetike, ka qëndisur bukur hartën e trojeve tona, duke gdhendur e bashkuar në një libër, figurat emblematike të kulturës sonë.

Në këtë përmbledhje me poezi,libri i katërt me radhë i autorit Azem Baliaj, gjejmë dhimbje,dashuri,mall të cilin e ka shkaktuar ndarja e trojeve tona për afër 60 vite. Gurët e ndarjes,kanë kallë zemrat e familjeve të një gjaku kohë të gjatë. Poeti, edhe në këtë aspekt,si tropojan i Malësisë së Gjakovës, të cilin nostalgjia nuk e ka lënë kurrë të qetë,pëlcet në vargje fuqishëm,”edhe në radhën e qumështit flisja me ty...”

Me zjarr malli të pashuar, autori hedh flakë nga shpirti përmes poezisë,”Pengu i babës”,duke kujtuar fjalët e tij dhe dhimbjen  e madhe “mbarëkombëtare të copëtimit të hartës së moçme,në Londër me 1913...”

Në këtë poezi lexojmë vargje antologjike : “Në Çabrat,o bir,më thoshte baba,/shpirti të “bën”fotografi edhe në qëllofsh, larg qoftë, pa sy! Dhe ja,viti 2010,pas 63 vitesh, oh/shpirti mallshëm m’u lumturua/unë si baba dikur,/në Çabrat ...tuj “fotografuar”! Të kësaj natyre me lot e mall janë një mori poezish, si ajo “Reportazh poetik”,për Din Mehmetin,”Korigjimi” për Ali Podrimën,”Në Gjakovë”,ku thotë ”Zoti ynë, përditë jam në Gjakovë!....” etj.

Marrë në tërësi,libri më i ri me poezi i z. Azem Baliaj,”Papiruse dashurie”,ka të gjitha komponentët ngritës të artit poetik,të poezisë shqipe në tërësi,nga vijnë porosi të forta universale,ideore e artistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat