Këndvështrim tjetër për letërsinë e traditës - Bota Sot
Këndvështrim tjetër për letërsinë e traditës

Libra

Këndvështrim tjetër për letërsinë e traditës

Nga: prof. dr. Alfred Çapaliku Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:33
Kopertina e librit

Në një monografi prej mbi 300 faqe, publikuar këto ditë si libër nga shtëpia botuese “Naimi”, dr. Ermira Alija, pedagoge e Universitetit “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, jep kontributin e saj mbi fenomenin intrigues “Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë”. Përmes shtatë krerëve dhe të një eseje në vend të konkluzioneve, Ermira analizon qasjen filozofike të studiuesve dhe mendimin e kritikëve të specializuar për këtë problem kompleks, si dhe praktikimin letrar të qëllimores e të metafizikes nga Humanizmi gjer në Romantizmin e  letërsisë sonë. Aty  paraqiten qëndrimet dhe opinionet e krijuara mbi këto dukuri paralele, së bashku me trajtimet vetjake  mbi këto dy çështje sa të kapshme, aq edhe ikëse. 

Në kreun e parë  me titull “Konteksti filozofik e social i ndryshimit të qasjes ndaj letërsisë e lindja e diskutimit mbi letërsinë qëllimore”, mbështetur në thënien e E. Kantit mbi çlirimin e të bukurës nga interesi, si dhe në mendimet e Wincleman-it, Avicenës, Jubanit, Gurakuqit, Çabejt, Poradecit, Rugovës, Kadaresë etj., termin “letërsi qëllimore” studiuesja e shikon herë si konvencë të përdorimit e herë si relacion të brendshëm me një objekt të përcaktuar. Kjo marrëdhënie e autorit me artin e vet dhe nëpërmjet  tij me lexuesin është ilustruar me poetin Gavril Dara (i Riu), i cili këtë lexues nuk e pa kurrë me sy, meqë poema iu botua pas vdekjes. Nëse esteti rumun Adrian Marino flet për letërsi funksionale, shkrimtari Ernest Koliqi e dallon qëllimin e saj nga abuzimi me të, eruditi Krist Maloki mungesën e lëvizjes artistike individuale e klasifikon “politike”, kulturologu Mitrush Kuteli tregon karakterin e vetë-mjaftueshëm të letërsisë, kritiku Arshi Pipa jep postulatin “majat poetike qëndrojnë mbi retë ideologjike”, ndërsa studiuesi Sabri Hamiti paraqet sentencën “letërsia është shkrim që kërkon lirinë e vetvetes si dëshmi personale”.

Si pedagoge Ermira Alija ndien elementet didaktike në letërsinë shqipe të shekujve XVI-XX, ndërsa si kërkuese dallon bazamentet estetike të letërsisë gjatë këtij harku kohor, kur lindën edhe krijime që i mbetën besnike motivit qëllimor por edhe vepra që e tejkaluan atë. Në kreun e dytë,  titulluar “Metodologjia dhe baza teorike referuese, interpretime”, letërsinë qëllimore autorja e sheh jo si emërtim klasifikues, por funksional. Mbështetur në teorinë e Beardley dhe Wimsatt se “intencioni i autorit është tharmi i një pjese të letërsisë, por s’mund të jetë një standard mbi të cilin mund të kuptohet dhe të gjykohet puna”, ajo e pozicionon veten qartë rreth këtij problemi të sofistikuar: “duke i pohuar letërsisë si vlerë të parë estetiken nuk do të thotë se i mohojmë vlera të tjera... Qëllimshmëria, kur është e pleksur brenda strukturës së veprës, mund të mos jetë e vështirë të vërehet, por është e vështirë të përshkruhet e të përkufizohet”. Kështu, në kreun “Elemente letrarësie dhe vërtetësie te “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit, studiuesja  merr në shqyrtim veprën e njohur historiko - letrare të shkruar në latinisht dhe të menduar në gjuhën shqipe. Në prizmin e letërsisë qëllimore, ajo zbulon autonominë semantike që mban brenda vetes ky libër “Dolce et utile” e, njëkohësisht, metafizikën e lirisë dhe të atdheut.  

Në kreun e katërt, “Elemente letrarësie në shkrimin biblik”, gjatë ekskursionit qëllimor në letërsinë filobiblike nga Buzuku gjer te poezia e kushtimit, dr. Ermira Alija zbulon vlerat e gjuhës shqipe, ku brenda guackës formohet perla. Për të arritur gjer këtu ajo i referohet konstatimeve të vyera  dhe elegante të Fatbardha Hoxhës  se “Barleti dhe Buzuku e njihnin thellë etninë e tyre”, dhe  të Shaban Sinanit  se “Përkthyesit e ungjijve nuk deshën t’ia dinin që do të konkuronin në gjuhën e Virgjilit e të Horacit ... kjo ishte shprehje e një besimi të fuqishëm në verbin amtar”. Nga ana e saj, Alija thotë: “Letrarja del në pah kur tejkalohet misioni. Budi, Bogdani dhe autorët e tjerë të Qarkut të Veriut patën një qëllim më specifik; t’i jepnin librit vlerën e institucionit shpirtëror të shkruar”. Rindërtimi i përkthimit përmes tregimit të lirë të ngjarjeve dhe përshkrimit të personazheve apo krijimi i vargjeve personale si shtesë e origjinalit e kthen letërsinë qëllimore në qëllim përkthimor.   

Në kreun që mban për titull: “Çështje të letrarësisë, misticizmit, kozmogonisë, notave sociale”,  autorja qendërzohet në krijimtarinë përfaqësuese të Nezim Frakullës dhe raportin e saj me shqipen, duke e krahasuar atë me prurjet e autorëve të tjerë të letërsisë me shkrim oriental, ku vë në dukje letrarësinë si reflektim vetjak gjuhësor. Kurse, në kreun VII,  titulluar “Romantizmi si çështje letrarësie”, Ermira Alija u referohet Rexhep Qosjes dhe Robert Elsies. I pari përgjithëson: “Letërsia e Rilindjes lindi kur në jetën historike të kombit nuk ishin diferencuar plotësisht as sferat e jetës kulturore, as institucionet politike, shoqërore …”. I dyti veçon: “Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria ishte bërë realitet politik në veprat e Jeronim de Radës”. Nga ana e saj studiuesja procedon se në fillim të shekullit XX letërsinë nuk e bëjnë më rrymat letrare, por personalitetet letrare, duke çmitizuar apo anashkaluar ato tema që vetëm pak më parë i kishin shërbyer asaj; mbasi letërsia shkëputet dalëngadalë nga funksioni intencional. Kjo dukuri shënon fillimin e letërsisë moderne shqiptare. Më tej autorja sintetizon: “Në letërsi lind një artistike që është e vështirë të ndahet nga qëllimorja, por edhe që është e vështirë të identifikohet me të”. Tek nëntemat e këtij kapitulli: “Naim Frashëri, poeti më kompleks i ideologemës” dhe tek “Transhedentalizmi i Naimit, formë e modernitetit të poezisë”, studiuesja hedh idenë se “Naimi jeton gjatë, sepse ai nuk i përket asnjë lloj ideologjie të caktuar, përveç ideologjisë që krijon poetizmi i tij”. Këtë pikëpamje ajo e rimerr më pas duke konkluduar: “Nuk besojmë se ka përgjigje absolute nëse Naimi është më shumë poet apo profet”. Përgjigjja e pyetjes është e lidhur me funksionin e letërsisë, problem që shtrohet në mbarë studimin e autores,  si çështje që ka qenë gjithnjë relative dhe me gjasë vazhdimisht do të jetë e tillë.

Tema e trajtuar nga dr. Ermira Alija është e vështirë dhe jo fort e rrahur, por, me botimin e veprës “Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë” studimet tona filologjike tashmë pasurohen me një kontribut me vlerë për këtë argument.

Skeda e librit:

Autore: Dr. Ermira Alija

Titulli: Letërsia shqipe si metafizikë dhe transhendencë

Histori mendimi e përpjekje për interpretim në letërsinë shqiptare të traditës

Gjinia: Studim monografik

Recensues: Prof. Miaser Dibra

Prof. Alfred Çapaliku

Redaktor: Dr. Erzen Koperaj

Botues: “Naimi”, shtëpi botuese dhe studio letrare www.botimenaimi.com

ISBN: 978-9928-234-28-5

Copyright: Autor

Nr. i faqeve: 304

Çmimi: 1000 lekë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test