Një libër, jo vetëm për dhimbjen nga vdekja pa rend

Libra

Një libër, jo vetëm për dhimbjen nga vdekja pa rend

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 17:01
Kopertina e librit

 Para një viti, Çun Lajçi, përjetoi atë që as hasmit mos i raftë me e provue. Pa i mbushur ende 34 vjeç, e bija e tij, Bubulina, shkoi në amshim. ëdo vdekje është e dhimbshme, por ajo pa rend, kur prindi e shtin në dhé femijën e vet, dhimbja është e fundbotshme. Duhet shumë forcë, vullnet e karakter që të mbahesh, të qëndrosh e të mos biesh. Ka ndodhur shpesh që në këso rastesh, prindërit nuk kanë arritur dot të mbahen dhe kanë rënë, fillimisht, moralisht, pastaj edhe fizikisht, deri sa janë bashkuar përfundimisht me krijesat e tyre në amshim. Vërtetë njeriu duron çka nuk duron as guri, as druri, por ka një kufi. Kufiri kalon nga fëmija dhe jeta e tij.

Çun Lajçi e kaloi këtë kufi. Se si, e di zemra e tij. Por e kaloi, jo për veten e vet, por për Bubulinën. E kaloi se i vuri vetes një detyrë, një mision: të jetojë për të rrëfyer se çfarë vajze ka patur dhe sa e pafajshme ishte ajo. “Rrno për me tregue” ishte titulli i një libri dhe amanet i at Zef Pllumit.

Këtë mision e shohim të realizuar, tashmë, në 310 faqet e librit të tij të ri, “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, ndërtuar mbi bazën e dialogut me të bijën që është në amshim. Dialogu me të vdekurit është një mjet i përdorur me mjeshtëri nga Çun Lajçi edhe në veprat e tij të mëparshme, për të përçuar mesazhe të rëndësishme për të sotmen, kryesisht, nëpërmjet gojës së të rënëve në luftë per mbrojtjen e tokave shqiptare. Por komunikimi me të bijën, Bubulinën, nuk bëhet thjesht për te përçuar mesazhe. Çështja është se ai nuk pajtohet me faktin që e bija nuk jeton më, ai e rrefuzon vdekjen e saj.

Ndaj bashkëbisedon me të si të ishte gjallë, e uron për festa, pa harruar t’i blejë rriska sheqeri, si atëherë kur ishte fëmijë, komunikon me të në facebook, bile edhe udhëton së bashku me të, në Ulqin, Tiranë, Shkup e Zvicërr. Në bashkëbisedimin e tij si baba, ai nuk lë epitet, krahasim e metaforë pa përdorur për të bijën: e bukura, e urta, e buta, e bekumja ime; mirashe, cikaloshe, bubë, pulëbardhe, çupulinë, Laskarinë, Marigonë, sugareshë, sirenë e lazdrueme bukurie, etj, etj.

Për ta shpëtuar Bubulinën e tij të shtrenjtë, Çun Lajçi shiti hisen që i la babai në bjeshkë, shiti makinën e tij dhe shpenzoi të gjitha fitimet nga xhirimet e filmave ku ai luajti si aktor. Kur nuk mjaftuan as këto, ai mori dy çanta me libra dhe u nis për t’i shitur në Amerikë, me shpresë se do të siguronte para për shërimin e sugareshës së vet. Por as librat nuk iu shitën, as veten nuk e shiti. Atëherë, ai detyrohet të bëjë atë që bën prindi për shpëtimin e krijesës së vet, kur sheh se i ka të gjitha shtigjet e mbyllura – shtrin dorën dhe iu lutet pasanikëve për pak lekë. Se fëmija të shtin të gjallë në dhé. Por pasanikët nuk kanë shpirt. As fytyrë. “Sirena e lazdrueme bukurie” e babait, transformohet e bëhet “mall i vramë”, “shkrum” në buzën e prindërve të vet, “zhig” në bebëzën e syrit të tyre.

“Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, është një libër për qëndresën e prindit ndaj goditjes më të rëndë të jetës – kur mortja e pamëshirshme ia merr krijesën e vet. Por ai është një libër edhe për rolin e intelektualit në shoqëri dhe qëndresën e tij përballë kastës pushtetore, e cila, për hir të interesave të veta egoiste, është gati që ta çojë në theqafje vendin dhe popullin e vet.

Sa ç’është i dhimbshëm për të bijën, Bubulinën, po aq i pamëshirshëm dhe i pakomrpomis është Çun Lajçi ndaj zvetënimit dhe bjerrjes morale të shoqërisë, në përgjithësi dhe të pushtetarëve, në veçanti. Këtë bjerrje morale ai e skanon në qëndrimin ndaj së bijës fatkeqe, ndaj vetes së tij, si intelektual dhe artist dhe ndaj fatit të atdheut e të trojeve amtare
Shoqëria dhe shteti i Kosovës e lanë Bubulinën në mëshirën e fatit. “Ajo ishte më shumë se engjëll që kërkonte ngrohtësi dhe kur s’pat kush ta ngrohte, Zoti e mori n’gjinin e vet që t’mos mërdhinte”, - shkruan Çun Lajçi, duke argumentuar lidhjen shkak-pasojë që çoi në vdekjen e saj. 
Në këtë kuptim, Bubulina ishte produkt dhe viktimë e shoqërisë kosovare. Ashtu siç është produkt dhe viktimë e saj edhe i ati, artisti dhe intelektuali Çun Lajçi, i cili, megjithëse tërë jetën ia kushtoi skenës, duke u munduar që “t’ua zbukurojë jetën njerëve përmes artit”, nuk u kuptua kurrë prej tyre. Jo vetëm kaq, por në momentin më të rëndë të jetës, atë të mortjes të së bijës, ai u braktis edhe prej atyre që hiqeshin si “shokë të besës”. Sepse fitimi, me çdo mjet e me çdo kusht, është leva që sot po i vë në lëvizje njerëzit. Krejt për tjetër gjë lufton ëun Lajçi: “Moti m’kishin thanë çel udhë/ me gishta zhbij therrat”.

Shkrimtari dhe poeti Çun Lajçi me dhembje e pezm të thellë konstaton se sot, “shqiptari s’qenka ma ai pleqnari i odave, që hollë e dredhte cigaren e ma hollë mendimin. S’qenka ai i kangës e i barutit t’martinës. I besës jo se jo. Burrni s’paska sa paska fjalë dhe t’gjitha t’kota. Rrejka e mashtrueka!”

“Asht e lëkurë” shfaqet e bija, Bubulina, e brejtur dhe e tretur nga sëmundja e rëndë. Asht e lëkurë, shfaqet edhe shoqëria kosovare, e brejtur nga interesat e ngushta të fitimit dhe e rrjepur nga ata që “mrizojnë n’pushtet”.

Në penën e mprehtë dhe vargun e rreptë të Çun Lajçit, pushtetarët e sotëm të Kosovës janë “pashallarët tanë e bajraktarët e rrejshëm”; ata “që na i lidhën duer e kamë n’oborr”; ata që “turrevrap e kapën shtetin”; ata që i “rrudhin” trojet amtare e dhenë e shtjerra i lanë pa kullota”, ata; që “për punësim lypin dreka, ndoshta edhe diçka tjetër”; “njerëzit e papërgjegjshëm” që sollën këtë kohë “rrencash, hajnash e lakmitarësh për pushtet”, që “shtetin nuk e kanë as n’shpatull t’pulës!”.

Duke i mbetur besnik kredos së tij, “lapsin fort po shtrëngoj mes gishtave, si malësori sakicën n’mal”, në kontrast të thellë me zhganin e pseudointelektualëve servilë, intelektuali i guximshëm Çun Lajçi nuk ngurron të përmendë emrat e “rrjepsëve t’atdheut”, përfshirë Presidentin e vendit “që ja çon Kosovën Vuçiçit në Bruksel” dhe Kryeministrin që, “pasi ndrron kapuçat”, “e ka marrë n’krah ëakorrin e çua e ka n’Podgoricë”. Për poetin e shkritmarin Çun Lajçi, tjetërsimi i ëakorrit nuk është gjë tjetër, veç një ogur i zi për Mitrovicën, Karaçevën…Thellësisht i indinjuar me kastën pushtetore të Kosovës, duke iu drejtuar së bijës së vdekur, Bubulinës, Çun Lajçi shpërthen në gaz të idhët, deri në sarkazëm: “për nji gja duhet t’jesh vërtet e lumtun, që kurrë ma s’ke me pasë të drejtë vote për shitësit e atdheut. Lumja ti që s’ke me ditë se sa t’paftyrëe e tradhëtarë paskan qenë. E luftë thojshin kemi ba!”

Image

Dikush mund të thotë se Çun Lajçi është i ashpër, radikal. A mund të quhet i ashpër e radikal mjeku që vendos të përdoret kimioterapia për pacientin e diagnostifikuar me gjendrra kancerozeë Për fat të keq, shoqëria kosovare është kapluar nga gjendrra të tilla, më e rrezikshmja prej të cilave, është kasta e saj sunduese. Çun Lajçi, me të gjithë qënien e tij, përpiqet ta shërojë atë. Duke kërkuar që t’u kthehemi referencave morale që na lanë trashëgim të parët tanë. Që të jemi më njerëzorë, më të dhembshur, më solidarë dhe jo indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Sepse është i bindur që një shoqëri e shëndoshë, më humane, di të mbrojë edhe Bubulinat e veta. Problemi është që ëun Lajça kemi pak. Por, siç theksonte Presidenti amerikan, A. Xhekson, edhe një njeri me kurajë, bën shumicën. është bekim për shoqërinë dhe popullin tonë që kemi një personalitet të këtyrë përmasave, siç është Çun Lajçi. Që do të thotë se ne përbëjmë shumicën, ndërsa kasta pushtetore dhe ata që ia krehin bishtin asaj, janë në pakicë dhe pa të ardhme.

Së fundi, njerëzit vdesin, kur harrohen. Bubulina nuk ka vdekur. Nëna Galë e kujton atë çdo ditë. Babai, ëun Lajçi, jo vetëm e kujton, por e përjetëson edhe në libër. Të gjithë sa jemi sot këtu, jemi mbledhur për ta kujtuar Bubulinën. Ajo është e gjallë midis nesh.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat