Lulevargu… lule dhe varg, varg dhe lule!

Libra

Lulevargu… lule dhe varg, varg dhe lule!

Nga: Xhahid Bushati Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 17:39
Libri më të ri “Lulevargu

1.… edhe një libër i ri  që titullohet “Lulevargu”, me poezi të ndjera, të vërteta, me befasi të këndshme e të panumërta, nga dorëshkrimet e çmuara të poetit me një zë të veçantë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj Abdullah Thaçi, mikut tim të mirë, fisnik, njerëzor e të paharruar! Për këtë akt në shërbim të kulturës shqipe e të leximeve edukative në adresë të fëmijëve, të ekipit përgatitës të këtij botimi të vlefshëm me në krye z. Berat Batiu, ka respektin tim më të thellë.

Botimi i këtij libri nuk është aq i thjeshtë sa duket. Me përmbajtjen lëndore që ka “Lulevargu” vjen të pasurojë dhe të thellojë më tej profilin poetik e artististik të poetit Abdullah Thaçi, vjen për të dritësuar e pasuruar ngjyrat e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, për t’i dhënë një dimension të ri asaj në drejtim të njohjes dhe zbulimit të të rejave ende të pazbuluara të botës fëminore. Ajo që më bën  përshtypje për shumëçka, është dhe një poezi, që unë do ta quaja testament i autorit. Poezia titullohet “Ku jetoj”.

Në librat e mëparshëm, veçanërisht të fillimit, poeti Thaçi, me krenari dhe  kredo poetike, ka përmendur shpesh Vendlindjen e tij të dashur. Sipas perceptimit dhe ndjeshmërisë sime, ato vargje kanë ngrohtësi e dashuri zemre dhe shpirti. Janë sa bekim aq dhe adhurim. Në këtë kontekst ky kod për autorin është shënjuar edhe si element biografik i tij. Por tek poezia “Ku jetoj” përjetimi i autorit ka vlerën e amanetit, të dashurisë, të mallit dhe të njohjes e shpirtëzimit gjer në detaj. Vendlindja paraqitet plot ngjyra mrekullisht poetike. Të lë mbresë  rrëfimi, dhe karakteristikat e vendit të lindjes. Në çdo strofë, përmes enumeracionit, është qëndisur me ojna shpirti, duke e skalitur në vlera përjetësie. (Po e japim të plotë:)

“Ku kam lindur – ku jetoj?

S’e ditkeni? Punë e madhe.

Jo, jo! Më mirë po ju tregoj,

Në një fshat me shumë livadhe.

 

Me shumë ara krejt pjellore

Dhe me bahçet radhë-radhë,

Në veri – pyjet përrallore,

I ndan veç Drini i Bardhë.

 

Pas diellit, bjeshkë të larta,

Ku vera ringjall çdo stan,

Dukagjinçe shkrihet mjalti

I gjuhës së të parëve tanë.

 

Me njëqind kore gazmore,

Nëpër lisa, nëpër lluga,

Me pak kulla shekullore,

Allafrënga veshur rruga.

 

Ku jetoj e ku do të mbes,

Krahëhapur para derës,

Eja vogëlush, po të pres,

Të ma zgjosh zogun e verës.

 

T’ia dëgjoj këngën e ikur,

Nga fyelli me degë shelgu,

Njëmijë vjet hënën e mbytur,

Nuk e nxori kush nga pellgu.

2.

“Lulevargu”, kjo kompozitë e bukur dalë nga shpirti i poetit, “frymon” butësisht në të gjithë hapësirat e librit dhe i ngjan një pllaje erëkëndshme me lule pafund, që tashmë janë kthyer në vargje. Janë vargje që vijnë nga burimi i pastër dhe i pashterrur i poetit, nga ku krijimtaria e tij poetike mori jetë dhe ngjizi gjithë thesarin e tij poetik të paçmuar, para të cilit përulem me emocion dhe respekt të thellë.

Për mua që kam kohë që e studioj poezinë e poetit Abdullah Thaçi, që komunikoj me të gjithëherë, e gjatë leximeve dhe rileximeve zbuloj thellësinë dhe veçanësitë e saj. Ky libër i ri është për mua një moment gëzimi për vlerat që zbuloj e që më shpërfaqen faqe pas faqeje me një bukuri e pjekuri të rrallë. Ky libër përbën një njohje të mëtejshme të universit të Thaçit, i cili për vlerat që mbart rri denjësisht në panteonin e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj dhe e nderon atë.

“Lulevargu” është një libër që vjen ndryshe nga tipologjia e zakonshme e krijimtarisë së Thaçit. Personaliteti i poetit shfaqet në të gjitha dimensionet e librit, si: në problematikën dhe tematikën e trajtuar, në figurat artistike të përdorura, në strukturimin e poezisë deri edhe në detajimin e strofave të veçanta,   në krijimin e imazhit aq befasues dhe të mrekullueshëm, etj.

Thaçi, si testament të tij diturie e mënçurie, la veprat e tij, vargjet e tij. Po citoj një strofë nga poezia e tij “Atdheu im”:

“Atdheu im do të jetë

Harta e riarnuar,

Nën qiellin e bruztë

Ku pingërojnë shqiponjat.”

3.

Motivet dhe bota fëminore të perceptuara dhe të shestuara nga poeti  vijnë në një mënyrë të tillë të na shpalosin njëkohësisht edhe ‘metodikën’ e laboratorit të tij krijues, përmes të cilit kristalizohet personaliteti i tij artistik me mjetet dhe arsenalin leksikografo-pamor, ku arkitektohet poezia thaçiane.

Në fakt motivet dhe bota fëminore në tekstin e këtij libri paraqesin interes. Janë motive që nuk i ndeshim në librat poetikë të mëparshëm të autorit. Krahas freskisë e njomështisë së motiveve, befasive mes strofave a në fund të tyre kanë më së shumti një theks pohues dhe kjo përbën një nga më të veçantat e “Lulevarg-ut”. Gjejmë aty, motive të gjalla, të qëndrueshme, të patjetërsueshme, shëndritëse e shpesh sureale.

Kam specifikuar disa elementë të veçantë që e karakterizojnë këtë vepër, me qëllimin e mirë për të nxjerrë në dritë vlerat e saj të dobishme dhe edukative. Po i rendis si më poshtë:

-Filozofia dhe poetika e Thaçit mbështetet fuqimisht në gurrën e urtë popullore, në melodinë dhe kadencën e saj. Ajo është magjja ku krijimtaria merr tharmin dhe e shpërfaq në poezi, si porosi, urti, këshillë dhe mesazh. Kjo është mënyra e komunikimit që ka zgjedhur Thaçi këtë herë, e cila i ka rezultuar e suksesshme. “S’kanë çka humbin, çka fitojnë”, “Në daç për qafë, në daç për bark”, “Pi me karar tjetër herë”, “Tërë bota në kripë u mbyt”, “Na mbetën ekranet, si vreshti pa rrush”, “Ai që e gremisi, do ta nxjerr prapë”, “S’ka dasma pa nuse, as nuse pa dhëndërr”, “S’ka fole, as nuk çel zogj”, etj., etj.

-Elementët e një humori fin, gjithherë zënë vend në realitetin e përditshëm të fëmijëve, ndaj edhe Thaçi i përdor këto elemente te poezitë e tij “Macja tredimensionale”, “A është terri i zi?”, “Në shkollën fillore të fshatit pasdore”, “Dy lepujt”, etj., të cilat besoj, se gjatë leximit kanë shkaktuar buzëqeshje e kënaqësi te fëmijët.

-Poezia si fabul në natyrën e përrallës dhe metafora si zhvillim i fabulës përbëjnë një tipar tjetër strukturor të poezisë ku mund të përmendim “Si u sëmur deti”, “U rrëzuan shirat”, “Sa këmbë i ka lepuri”, “Mulliri i vjetër”, etj.

-Poezitë-peizazh plot ngjyra romantike, me një lirizëm të bukur, ku uni i autorit shkrihet me natyrën dhe të mrekullon me lirikën e tij.

-Karakteristika të poezisë së Thaçit janë distiku, paralelizmi figurativ, përsëritja e vargjeve si lajtmotiv dhe theks logjik, pyetjet si kurreshti fëmijërore, etj., etj.

-Poezitë “Pesë guaca sytë si gaca”, “Dy qytete – xixa jete”, “Fat peshku”, “Djalit kurbetqar”, “Jo mirë, tha çupa”, “Përrallë e gjatë”, “Nëna gjirin plot”, “Si u dogj mjegulla”, “Breshka”, etj., për mendimin tim janë xhevahiret e këtij libri.

* * *

Në përfundim, mendoj se, vëllimi poetik “Lulevargu” i poetit për fëmijë e të rinj Abdullah Thaçi, krahas dukurive që analizova më sipër, është edhe një arritje e re në fushën e prozodisë, gjë që kërkon studim më vete.

Poeti ndjek kujdesshëm përditshmërinë e realitetit, i cili vjen në poezi  përmes toneve dhe ngjyrave realiste. Në këtë kontekst Thaçi është sa vëzhgues i hollë i realitetit, po aq edhe vëzhgues i hollë i botës dhe psikikës fëmijërore. Kjo është arsyeja që na paraqitet si gjysh, prind, edukator i mirë, dijetar e mentar. Mendoj, që këto janë arsyet, pa mohuar asnjërën poezi, që një pjesë e motiveve të këtij libri kanë guximin krijues në mënyrën e të trajtuarit. E kam fjalën për atë grupim poezish që në thelbin e tyre i përkasin zhanrit fantastiko-shkencor. Por, si ky grupim fantastiko-shkencor, ashtu edhe e gjithë lënda poetike e librit ka si klorofilë magjinë që “çel” në çdo stinë te “Lulevargu”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat