Poliglotia amerikane thur vargje për Shqipërinë: Me shpirt jam shqiptare

Libra

Poliglotia amerikane thur vargje për Shqipërinë: Me shpirt jam shqiptare

Nga: Skifter Këlliçi Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 14:36
Kerri Huperi

Në vitin 1959 mbeta i mahnitur kur Ervin Levini, student gjermano-lindor, më tregoi vargje të Gëtes, që i kishte përkthyer në shqip. Madje, edhe disa poezi të tijat, të shkruara po në gjuhën tonë. Më pëlqyen dhe e nxita të shkruante të tjera. “Tepër e vështirë,- më tha,- këto qenë vetëm disa poezi që i hodha spontanisht në letër”.

Kam njohur edhe të huaj të tjerë që e kanë mësuar shqipen në mënyrë të përkryer, që kanë qenë të dhënë edhe pas poezisë, por që nuk kanë pasur guxim të shkruajnë poezi në gjuhën tonë. Bën përjashtim Kate Xukaro, italiane, me origjinë arbëreshe, poezitë e së cilës në dialektin arbëresh dhe shqip janë bërë të njohura prej kohësh nga lexuesi ynë.

Dhe ja, kohët e fundit, në një nga mjediset e kolegjit “Monroe”, në Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi promovimin e librit poetik “Piktura në fjalë”, të Kerri Huperit, (Carrie Hooper), poliglote amerikane, që ka qenë më parë profesoreshe e italishtes dhe sot gjermanishtes në kolegjin e Elmirës, qytet në veri të Nju Jorkut, libër botuar nga “Buzuku”, shtëpi botuese në Prishtinë, e drejtuar nga kritiku i njohur Abdullah Zeneli. Dhe shkruar në shqip!

Nuk dua të zgjatem në hollësi të këtij promovimi, që, siç është shkruar edhe në shtypin tonë, kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht të ngrohtë, ku shkrimtarë të kësaj shoqate, shqiptarë dhe kosovarë, vunë në dukje vlerat e vëllimit poetik të Kerri Huperit, të shkruar në gjuhën tonë amtare, ndër të cilët, Andan Mehmeti, Raimonda Moisiu, dr.Yllka Filipi, Pandeli Simsia, Shabaze Grajevci…

Por ajo që besoj i bën përshtypje dhe lexuesit të këtyre radhëve, është se, përse duke qenë amerikane, duke njohur disa gjuhë të huaja, aq sa të jetë edhe profesoreshë e dy prej tyre, për më tepër e verbër, Kerri Huperi pëlqeu që ndjenjat e saj t’i shprehë poetikisht në gjuhën shqipe. Veç të tjerash, si arriti ta mësonte kaq mirë atë…

Ngaqë nuk munda të merrja pjesë, të takohem dhe të bëj një intervistë me të, pas këtij promovimi, ditët e fundit, nga Bostoni, ku jetoj, pata me të një bisedë të gjatë telefonike në Elmira, vendlindjen e saj, mbresa të së cilës po i përmbledh në këtë shkrim…

…Ngre telefonin, formoj numrin e saj... Pas pak dëgjoj një zë të ngrohtë sopranoje në gjuhën tonë. Më duket se po bisedoj me një shqiptare. Sepse fjalët që dalin nga goja e saj, kanë shqiptim të mahnitshëm, po të marrim parasysh se të huaj, që kanë mësuar shqipen, nuk mund të shqiptojnë mirë bashkëtingëlloret dh, gj, q, th, zanoren ë…, se nuk përdorin gjithnjë saktë shumësin, kaq të ndërlikuar të emrave si: kalë-kuaj, plak-pleq, lumë-lumenj, gjarpër-gjarpërinj, kungull-kunguj… pra, krejt ndryshe nga shumësi i gjuhëve të tjera,(mjafton të përmendim shumësin në anglishte, ku pas emrave shtohet vetëm bashkëtingëllorja s), zgjedhimin e foljeve dhe mënyrat e saj - dëftore, lidhore, dëshirore, habitore, kjo e fundit, dukuri krejt e veçantë e saj; punoj - punokam, paskam punuar, paskësha punuar…

Në biseda më të, vërej se ajo nuk bën gabime gjuhësore. Kjo ndodh edhe kur lexoj e-mailet që më dërgon. Së pari, e pyes se çfarë e shtyu të mësonte gjuhën tonë, kaq origjinale midis gjuhëve të tjera europiane.

Më përgjigjet se emrin Shqipëri, shqiptar, emrin e kryeqytetit tonë, Tirana, e kishte mësuar që në shkollën fillore. Por në vitin 2008 në kursin e italishtes që drejtonte në kolegjin e Elmirës, ku dhe banon, ajo midis studentëve të tjerë kishte pasur edhe një student shqiptar nga Tirana.

“E pyeta, më shpjegon ajo, se si bëhej pyetje në gjuhën shqipe, për të ditur në atë çast orën e saktë. ‘Sa është ora?’,- m’u përgjigj. Ishin fjalët e para që dëgjoja në gjuhën shqipe. M’u dukën shumë tingëlluese dhe të bukura. Dhe kështu nga kjo pyetje, u nxita të mësoja shqipen, krejt e veçantë nga gjuhët e tjera që kisha mësuar: gjermanishten, gjuhë për të cilën kam marrë titullin ‘master’, dhe e jap në kolegjin e Elmirës, italishten, siç përmenda më sipër, suedishten, të cilën e kam perfeksionuar edhe gjatë viteve 2000-‘01, kur mbarova studime të mëtejshme për kanto në Universitetin Mbretëror të Stokholmit. Studiova pastaj spanjishten, dhe më pak - rusishten, frëngjishten, finlandishten”. Me këmbëngulje, por edhe kënaqësi, më 2008-n nisa të ndiqja disa kurse të shqipes në një kolegj në Arizona dhe më 2010-n, pra, pas dy vjetësh, arrita të mësoja mirë gjuhën tuaj të mrekullueshme dhe më pas ta përmirësoja edhe më shumë, duke lexuar libra në shqip, biseduar me shokë shqiptarë dhe duke dëgjuar radio gjithashtu në shqip”.

Pastaj Kerri nis e më rrëfen se e pati të vështirë të kuptonte shqiptarët, që i flisnin në dialektin verior dhe që përdornin fjalë krahinore. Por përsëri në takime, sidomos me shqiptarë nga Kosova, arriti të mësonte dhe të kuptonte mirë veçoritë e gegërishtes së bukur. Duke biseduar me të, solla ndërmend një bashkëstudente sovjetike, që në vitet 1957-‘59 mësonte me mua gjuhën shqipe. Meqë jam nga Tirana, por me nënën që ishte shkodrane, ajo më lutej t’i flisja vetëm në nëndialektin tiranas dhe shkodran, që kështu të kuptonte edhe studentë ose shqiptarë të tjerë, që i flitnin në këto nëndialekte. Dhe kështu nisi të kuptonte mirë edhe gegërishten.

“Veç këtyre,- më thotë Kerri,- nisa të dëgjoja edhe kaseta me përralla shqiptare, që më lanë përshtypje të thellë.

Pastaj ajo vazhdon të më thotë pastaj, si nisi të lexonte edhe vepra të autorëve shqiptarë, të Naim Frashërit, Fan Nolit, Migjenit, “Historinë e letërsisë shqipe” të albanologut të njohur Robert Elsie. “Lexova pastaj dy romane të Kadaresë, në anglisht, vazhdon të me thotë ajo, ‘Kronikë në gur’ dhe ‘Dimri i madh’. Madje, në një bisedë telefonike i shpreha atij mbresat që kishin lënë ato. Kam lexuar gjithashtu më pas vepra të Konicës, Agollit dhe autorëve të tjerë”.

Thashë më sipër se, që në fjalët e para që shqiptoi në telefon, më la përshtypje zëri i saj, si i një sopranoje. Nuk kisha gabuar. Ajo më shpjegon se ka filluar të këndojë, të luajë në piano dhe madje të kompozojë që e vogël dhe është diplomuar më 1997-n për Kanto në Universitetin e Mensfildit, në Pensilvani, se është pjesëtare e Ansamblit “Bashkimi Kombëtar” dhe ka marrë pjesë në koncerte dhe veprimtari të tjera artistike, të organizuara në Kishën Shën Elia, në Xhemstaun në Nju Jork, në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, të dyja ortodokse, në Kishën Katolike të Shën Palit në Detroit, si dhe në veprimtari të tjera muzikore të shoqatave shqiptare, edhe në Toronto…

“Në prill të vitit 2012,- më thotë ajo,- mora pjesë në kremtimet e 100-vjetorit të themelimit të Shoqatës “Vatra”, ku këndova dy këngë, himnin e Amerikës dhe një këngë me titull ‘O popull i dashur!’, melodinë dhe tekstin e së cilës në gjuhën shqipe i shkrova vetë. Në disa koncerte kam kënduar edhe himnin e Shqipërisë dhe jam gëzuar kur shqiptarët kanë pëlqyer interpretimin tim. Me këtë rast theksoj se ndjek muzikë shqiptare dhe më pëlqejnë këngë të kënduara nga Tefta Tashko, Gaqo Çako, Inva Mula, Vaçe Zela…”.

“Gëzim i madh për mua,- vazhdon ajo,- kanë qenë intervistat në kanale të radiove dhe televizione në gjuhën shqipe, në Amerikë dhe Kanada, me gazeta shqiptare në Nju Jork, si ‘Dielli’, ku kam botuar edhe krijime të mia poetike në gjuhën shqipe; me revistën ‘Kuvendi’, në Miçigan, programin televiziv ‘Me shqiptarët e Amerikës’, në Nju Jork, me Radio Kosovën… dhe së fundi me këtë intervistë në gazetën ‘Panorama’, në Tiranë”.

Duke përfunduar e pyes, “pasi shkrove dhe poezi të tjera në gjuhën shqipe, vendose t’i përmblidhje dhe t’i botoje në një vëllim?”.

“Po,- më përgjigjet. Poezitë e mia janë shkruar nga dashuria që kam për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për historinë e tyre të lavdishme në shekuj”.

Shfletoj vëllimin e saj “Pikturë në fjalë”. Nuk është këtu rasti që të bëj analizë të këtij vëllimi. Por, e frymëzuar nga poezitë e Rilindësve, po në frymën dhe traditën e tyre, ajo shkruan poezi patriotike, në njërën prej të cilave janë dhe vargje të tilla:

“O popull i dashur,/Në zemër të kam, /Një fëmijë e Shqipërisë, /Me shpirt dhe zemër jam. /Sa e dua vendin tuaj, /Me malet e lumenjtë e tij, /Me natyrën e tij magjepsëse, /Ah, sa madhështi!”.

Ja dhe vargje të një poezie tjetër me temë qytetare:

“Po bie bora e parë, /Një butësi e pastër, /Pemët dhe rrugët, /Me batanije mbështjellë. /Si një kartolinë, /Për Krishtlindje, /Duket bota. /Fëmija brenda nesh gëzohet..”.

Nuk di sepse duke lexuar këtë poezi, m’u ndërmendën ditët dimërore tiranase, vërtet të mbështjella me batanijen e dëborës, kaq e rrallë për banorët e kryeqytetit tonë, ku jam lindur dhe jam rritur, topat e dëborës që i gjuanim njëri-tjetrit, kur ishim të vegjël, por edhe të rritur… Dhe këto poezi janë shkruar nga një amerikane e verbër, që shprehet me krenari:

“Me gjak jam amerikane, por me shpirt jam shqiptare”.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat