Edhe njerëzit kanë sezon çiftëzimi. Pak a shumë

Life style

Edhe njerëzit kanë sezon çiftëzimi. Pak a shumë

Më: 19 janar 2019 Në ora: 22:29
Foto ilustrim

Shumica e kafshëve kanë një stinë  të caktuar të vitit kur shtyhen drejt çiftëzimit. Një nga përparësitë e njerëzve, nga pikëpamja e mbijetesës, është se mund të çiftëzohen e të shumohen në çdo stinë.

Por po të shohësh statistikat, bie në sy që shumica e lindjeve ndodhin në një periudhë të caktuar të vitit. Pjesa më e madhe e njerëzve lindin midis qershorit dhe shtatorit. Data 16 shtator, në fakt, është dita kur ndodhin më shumë lindje.

Kjo tregon që periudha e preferuar e çiftëzimit mes njerëzve është gjatë kohës së pushimeve të dimrit. Por statistikat tregojnë se ka dhe një ”periudhë të dytë çiftëzimi”, fundi i pranverës dhe fillimi i verës, edhe pse nuk sjell aq shumë lindje sa e para. Nga e dinë studiuesit këtë? Sepse është periudha kur shiten më shumë prezervativë, regjistrohen më shumë pacientë me sëmundje seksualisht të transmetueshme, dhe kërkimet në Google me natyrë seksuale janë shumë më të shpeshta.

Por a lidhet kjo “periudhë çiftëzimi” vetëm me pikëpamjen psikologjike, për shkak se ndodh pikërisht kur njerëzit janë pushim apo kur ngroh koha? Apo kanë të bëjnë edhe me faktorë  biologjikë, siç ndodh me kafshët?

Në fakt, trupi i femrës së njeriut është biologjikisht i programuar që të jetë më i ngrohtë në pjesën qendrore, për të mbajtur fëmijën ngrohtë gjatë shtatzënisë. Kjo mendohet se është arsyeja që femrat i kanë këmbët e duart më të ftohta në dimër. Dhe kur koha sapo nis të ftohet, partnerët e ndiejnë më shumë nevojën për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit, ndaj dhe dëshira për marrëdhënie është më e fortë.

Statistikat tregojnë po ashtu se pikërisht gjatë kësaj kohe shtohet edhe dëshira për romancë. Romanet e dashurisë dhe filmat romantikë blihen dhe kërkohen më shumë pikërisht në këtë periudhë të vitit. Dhe po në këtë periudhë, njerëzit janë më të përqendruar te krijimi i lidhjeve romantike, si dhe e kthejnë më shumë vëmendjen te familjarët. Takimet me familjarët, të cilët pyesin e fusin hundët për jetën romantike të të afërmeve, e shtojnë edhe më shumë nevojën për romancë.

Por ndryshe nga ç’ndodh me kafshët, femra e njeriut mund të reagojë seksualisht pavarësisht kohës së vitit. Ovulimi i tyre nuk ndodh një herë në vit, por çdo 28 ditë. Biologët nuk kanë një përgjigje të saktë se pse njerëzit kanë këtë mekanizëm ovulimi kaq unik, që gjithsesi është përparësi ndaj specieve të tjera.

Por shkaqet e evolucionit që kanë çuar te krijimi i këtij cikli vazhdojnë të mbeten mister. Ndoshta nëpërmjet shkarkimit të përmuajshëm, femrat e njeriut u shpëtojnë më shumë infeksioneve, duke ruajtur kështu nivelin e fertilitetit më të lartë. Kjo bazohet te fakti që sëmundjet seksualisht të transmetueshme, të clat vazhdojnë të jenë problem edhe sot, në të shkuarën kanë pasur pasoja edhe më të rënda.

Ndërsa studiues të tjerë thonë se niveli i lartë i lindjeve gjatë qershorit mund të jetë shkaktuar thjesht prej kushteve klimatike, të cilat mund të ndikojnë pjellorinë te dy gjinitë. Por këto mbeten të gjitha të vështira për t’u vërtetuar, pasi asnjë studiues nuk mund të riprodhojë lehtë kushtet e plota klimatike në një laborator.

Femrat e gjitarëve të tjerë kanë një cikël estral, që i bën të kenë një sezon vjetor çiftëzimi, por njerëzit e kanë tërheqjen seksuale aktive gjatë gjithë vitit, ndaj shumë studiues e kundërshtojnë idenë që stinët e vitit mund të sjellin diçka ndryshe te njerëzit.

Këta studiues këmbëngulin që thjesht temperatura, fakti që moti ftohet, bën që njerëzit të rrinë më gjatë brenda në shtëpi e çiftet të kalojnë më shumë kohë bashkë. Megjithatë, njeriu është një nga krijesat më komplekse, që ndikohet nga një mori kushtesh shoqërore, biologjike e psikologjike, sidomos për sa i përket shtatzënisë, ndaj parashikime në këtë fushë  janë shumë të vështira për t’u bërë me saktësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat