Marrëdhënia midis prindërve dhe mënyra se si kjo ndikon te fëmija - Bota Sot
Marrëdhënia midis prindërve dhe mënyra se si kjo ndikon te fëmija

Life style

Marrëdhënia midis prindërve dhe mënyra se si kjo ndikon te fëmija

Nga: Eriselda Dervishi Më: 22 prill 2019 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Ardhja e një fëmije në jetë është një ngjarje e shënuar për prindërit e rinj, por ndryshimi total i rutinave, orareve të gjumit, përkujdesja e madhe që i nevojitet një fëmije në veçanti në vitet e para si dhe probleme të tjera të jetës së përditshme krijojnë një situatë stresuese në marrëdhënien bashkëshortore edhe nëse ajo ka qenë shumë e mirë më parë.

Si pasojë e këtij ndryshimi prindërit e rinj janë të tensionuar, të frustruar dhe shpesh kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.

Disa nga ne nuk arrijnë ta kuptojnë ndikimin negativ që kjo situatë mund të ketë te fëmija dhe në aftësinë tonë për të përmbushur impenjimet prindërore në mënyrën e duhur. Duke qenë se dëshira jonë është të jemi prindër të mirë, atëherë mirë është të dimë jo vetëm të sillemi në marrëdhënie me fëmijën, por si duhet të sillemi dhe në marrëdhënien bashkëshortore duke qenë se kjo gjë ka një ndikim thelbësorë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës tonë.

Është shumë e rëndësishme që të kujtojmë që bebet vijnë në jetë krejtësisht të pambrojtur dhe të “zbuluar” ndaj çdo situate. Duke qenë se mburojat emocionale te fëmijët e vegjël nuk janë krijuar akoma ata e kanë shumë të lehtë te perceptojnë në mënyrë intensive emocionale se çfarë po ndodh rreth tyre. Ata jo vetëm që përjetojnë ndjenjat e tyre me intensitet, por dhe ndjenjat tuaja dhe mënyrën se si ju ndjeheni në marrëdhënien në çift. Ata ndjejnë “energjinë” në shtëpi. Duhen vite që te fëmijët të krijohet mburoja emocionale që do e ndihmojë fëmijën që të mos i përjetojë me aq intensitet emocionet.

Problemet në çift nuk mund t’i fshehim nga fëmijët, por është gjithashtu fakt që jeta nuk mund të jetë gjithmonë e kulluar dhe probleme ka përditë. Këto probleme na bëjnë të jemi të tensionuar dhe nervoz me partnerët tanë dhe shpesh nervoziteti dhe tensioni shpërthen në debate të ashpra, në fjalë dhe veprime të papërshtatshme.

Me gjithë pasojat negative që mund të ketë një marrëdhënie konfliktuale në çift që u përmendën më sipër, kjo nuk nënkupton që midis partnerëve të mos ketë aspak debat, por që ky debat të zhvillohet në mënyrë konstruktive.

Gjatë debatit e rëndësishme është të evidentohen faktet dhe jo të përdoren fjalë fyese ndaj partnerit, të evitohet zëri i lartë dhe fjalët me ngjyrime emocionale negative. Të mundohen që gjatë debatit të shprehin emocionet pozitive dhe dashurinë që ndjejnë duke e zhvilluar bisedën në mënyrë konstruktive dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. E rëndësishme gjithashtu është dhe kush është fokusi i debatit, diskutimet që bëhen për fëmijën nuk duhet të zhvillohen në praninë e tij, pasi kjo do të ishte e dëmshme për të.

Si ndikon konkretisht te fëmija raporti që partnerët kanë me njëri-tjetrin?

Ndikimi pozitiv

Niveli në të cilin prindërit në mënyrë të sinqertë dhe të dukshme duan dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin, mënyra se si ata të dy janë të përfshirë në botën e fëmijës së tyre dhe në sensin që ai po zhvillon për veten si qenie njerëzore, kjo ka një ndikim të fuqishëm gjithashtu në ndjenjën e sigurisë dhe parashikueshmërisë së gjërave që fëmija do të ketë.

Në mënyrë indirekte një marrëdhënie e mirë midis partnerëve, një mjedis ku ata shprehin atë që ndjejnë dhe i zgjidhin në mënyrë konstruktive konfliktet që kanë, ku plotësojnë nevojat atashuese të njëri-tjetrit, ku ka dashuri, mirëkuptim dhe qetësi shpirtërore do të ishte ideal për të ushtruar me kapacitet të plotë rolin dhe funksionin prindëror.

Ndikimi negativ

Kërkimet kanë treguar se fëmijët që i nënshtrohen për një kohë të gjatë mosmarrëveshjeve prindërore si pasojë shfaqin një mori problemesh në zhvillim si: atashim të pasigurt me prindërit, vetëvlerësim të ulët, çrregullime në sjellje, sjellje antisocial, vështirësi në marrëdhënien me bashkëmoshatarët dhe figurat autoritare, depresion, ankth, problematika në arritjet akademike.

Ndikimi indirekt shfaqet në marrëdhënien: nënë-fëmijë dhe baba-fëmijë

Kërkimet kanë nxjerr si rezultat se prindërit me martesa në të cilat niveli i konfliktit është i lart kanë tendencën të jenë më pak të ngrohtë dhe empatik ndaj fëmijëve të tyre. Ata janë më të çrregullt dhe të ashpër në disiplinimin e fëmijëve dhe përdorin teknika disiplinuese të cilat nxisin ndjenja faji dhe ankthi te fëmijët.

Prindërit që vijnë nga një martesë konfliktuale janë më shpesh pre e depresionit, depresioni në vetvete është shkak i një sërë disfunksionesh familjare.

Pse çiftet edhe duke ditur efekt negative të konfliktit përsëri kanë konflikte me njëri-tjetrin?

Është shumë e vështirë për një nënë të re të arrijë të kontrollojë mërzitjen dhe “shpërthimin e nervave” në momentin kur nuk mund të plotësojë nevojat bazike, duke mos folur pastaj për nevojat profesionale, nevojat për ndërveprim social, për të realizuar shpirtin artistik,për tu argëtuar duke lënë mënjan këtu dhe faktin që partneri nuk është më po aq i disponueshëm sa më parë. Për pasojë na vjen natyrshëm të fajësojmë partnerin për faktin që nuk po na ndihmon në detyrën e prindërimit

Një faktor tjetër që ndikon në rritjen e nivelit të mosmarrëveshjeve është dhe ndryshimi i kaheve të forcës që ndodh pas lindjes: deri në momentin e lindjes së fëmijës gruaja ka pasur një rol inferior në familje, pas lindjes ajo merr më shumë pushtet dhe forcë si personi që i ka dhënë jetë fëmijës, si personi që kujdeset për plotësimin e nevojave të fëmijës, si personi që ka lidhjen më të fort dhe direkte me fëmijën, fenomen ky që nga disa burra nuk pritet mirë.

Si duhet t’i menaxhojmë konfliktet?

• Të shprehim nevojat e njëri-tjetrit, pa akumuluar emocionet negative të cilat do të çonin në shpërthime të mundshme konflikti

• Të ndahen deri diku detyrat dhe të përfshihet babai në botën e fëmijës

• Të komunikojmë dhe të kemi parasysh që kjo është vetëm një periudhë kalimtare

• Të marrim frymë thellë dhe të numërojmë deri në 10 para se të themi diçka që e dimë që do të lëndonte partnerin

• Të mundohemi të kalojmë sadopak kohë me partnerin, kur kjo është e mundur

• Të bëhen gjeste dhe veprime që ti tregojnë partnerit rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin

• Në moment debati të mundohemi të ruajmë qetësinë dhe të flasim me argumente

• Të dëgjojmë arsyet e partnerit

• Të jemi empatik

• Të mundohemi të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për problemin

• Të mundohemi t’i evitojmë debatet para fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...