Sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për prezervativë dhe prej cilave vende i blejnë?

Life style

Sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për prezervativë dhe prej cilave vende i blejnë?

Më: 26 prill 2019 Në ora: 18:49
Prezervativi

Me mijëra euro shpenzohen për çdo vit nga kosovarët për të blerë prezervativë. Vetëm në pesë vitet e fundit për këto produkte, ata kanë shpenzuar mbi 800 mijë euro. Sasia më e madhe e tyre vjen nga Kina, pasuar nga Gjermania dhe India. Por, shumica e meshkujve nuk është se preferojnë t’i përdorin, derisa në fund pasojat i vuajnë femrat.

Në bazë të statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës, kosovarët që nga 2015’ta kanë shpenzuar mbi 800 mijë euro për prezervativë.

Gjatë këtyre viteve, në vend kanë hyrë prezervativë në sasi prej mbi 30 mijë kilogramë.

Sipas këtyre të dhënave, viti në të cilin janë importuar më së shumti kondoma po del të ketë qenë 2016’ta. Vetëm gjatë këtij viti, banorët e shtetit më të varfër në rajon kanë shpenzuar mbi 220 mijë euro për këto mjete.

Ndërkohë, vetëm për katër muajt e parë të 2019’ës, vendi ka importuar prezervativë në shumë prej 47, 437  eurosh.

E si shumë prej produkteve të tjera, edhe prezervativët importohen më së shumti nga Kina. Pas Kinës, për import të këtyre produkteve renditet Gjermania, India dhe Tajlanda. 

Vetëm prej këtyre shteteve kanë hyrë prezervativë në vlerë rreth 600 mijë euro.

Të tjera vende prej të cilave kosovarët i blejnë këto mjete kontraceptive janë edhe: Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Tajlanda, Malejzia, Holanda, Hungaria, Belgjika, Ukraina dhe Serbia.

Por, pavarësisht se çdo vit shpenzohen mbi 200 mijë euro për këtë qëllim, kosovarët duket se nuk i kanë fort në qejf prezervativët.

Shumica e tyre përveç që nuk i përdorin vetë, refuzojnë që edhe partnerja ta bëj një gjë të tillë. Madje, nuk përtojnë që të përdorin edhe dhunën në qoftë se ato veprojnë përkundër dëshirës së tyre.

E si arsyetim nga meshkujt, kur pyeten se pse nuk dëshirojnë të përdorin kontraceptiv, merret kënaqësia seksuale. E në fund, pasojat e këtyre veprimeve të meshkujve, i vuajnë femrat. Nga shtatzënia e padëshiruar, ato detyrohen që të abortojnë.

A.J nga Prizreni është 32 vjeçare dhe është hera e tretë që aborton. Ajo tregon se deri te aborti ka ardhur nga shtatzënia e padëshiruar.

“Është hera e tretë që abortoi. Në të tri herat nuk kemi përdorë mjete kontraceptive, edhe kam mbetë shtatëzanë pa dëshirën time. Pavarësisht se kam insistu që me përdorë, ka pas raste kur edhe më ka rreh veç pse i kam thanë”, shprehet ajo.

E se gratë shpesh detyrohen në seks  pa kontraceptivë, kjo vërehet edhe në statistikat e një raporti të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës mbi ndikimin e dhunës në shëndetin riprodhues të grave.

Sipas këtij raporti, shumica e grave e dinë që kanë të drejtë të vendosin nëse dëshirojnë të përdorin kontraceptivë apo jo (78%), mirëpo ato nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë përderisa jetojnë në marrëdhënie abuzive.

“46% thanë se partnerët e tyre “shpesh” i detyrojnë ato në seks pa kontraceptivë dhe 43% detyrohen të bëjnë më shumë fëmijë se sa kishin dëshiruar. Disa gra gjithashtu tregojnë se si familja e burrit u ka shkelur të drejtën për të vendosur kur dhe sa shpesh të riprodhojnë, duke bërë vazhdimisht trysni në to që të kenë më shumë fëmijë sidomos fëmijë të gjinisë mashkullore”, thuhet në raportin e RrGGK-së.

E pavarësisht se shumica refuzojnë t’i përdorin, prezervativët nuk është se kushtojnë shtrenjtë.

Në barnatore thonë se çmimi sillet nga 50 deri në 2 euro, derisa thonë se numri i kondomave të shitura arrin deri në 30’të në ditë.

“Varet tash se shifrat nuk janë të njëjta çdo ditë. Ama mesatarja e kondomave që shiten është prej 15-20. Ka raste kur ky numër arrin deri në 30’të e më shumë”, tregon një prej farmacisteve.

E për tua lehtësuar furnizimin me kontraceptivë qytetarëve të Kosovës, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi kishte dhuruar në formë të donacioneve, kontraceptivë.

Mirëpo, udhëheqësja e këtij fondi, Diona Bogola, kishte kërkuar hetim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, pas dyshimeve se donacionet e dhuruara nga fondi i saj, mund të jenë keqpërdorur.

Bogola i ishte drejtuar, përmes një emaili zyrtar, sekretarit të MSH-së, Gani Shabanit, dhe ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, duke shprehur shqetësimin e saj për keqpërdorimin e mundshëm të barnave esenciale, përkatësisht kontraceptivëve, të cilat ishin destinuar për tu shpërndarë falas, si masë mbrojtëse për femrat.

Bogola kishte thënë se kondomët kanë humbur nga rezervat e regjistruara, dhe se nuk janë dokumentuar fare, se ku janë shpërndarë.

Madje, sipas saj, prezervativët që ishin dhënë si donacion, janë gjetur nëpër barnatore, si mall për tu shitur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat