“Dhe sot je ylli më i shndërritshëm në qiellin tim”. Letër për një nënë që fluturoi lart

Life style

“Dhe sot je ylli më i shndërritshëm në qiellin tim”. Letër për një nënë që fluturoi lart

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 08:22
Foto ilustrim

Ndodh që secili prej nesh të humbasë një njeri të dashur herët a vonë. Ndodh të ndjeni atë dhimbje të shurdhër dhe të heshtur që shkakton mungesa. Ndodh që ju nuk mund ta zëvendësoni atë boshllëk me asgjë ose askënd.

Kur dikush që e duam na lë shkakton dhimbje. Dhe nuk ka asnjë shkallë që përcakton intensitetin e saj, është e fortë dhe kaq.

Por kur ikën një nënë, një ndjenjë hutimi, brishtësie, bashkohet me vuajtjen e vetmisë së thellë.

Eshtë sikur të ishim edhe një herë të vegjël dhe të humbur. Pa forca. Pa shtëpi. Pa atë fole, atë shkëmb. Jetimë të një dashurie të madhe.

Kështu u ndjeva disa vjet më parë. Edhe pse nuk isha më fëmijë. Pavarësisht se kisha shtëpinë time, familjen time. Të tjera dashuri.

Kështu ndjehem ende kur dëgjoj këtë emër me pak rrokje, por me kuptimin më të fortë nga të gjitha fjalët: Mama.

Një emër që tani rezonon, vetëm në dhomat e kujtesës dhe zemrës sime.

Sot dua ta shqiptoj përsëri. Dua ta bëj me ju.

Dua të shkruaj këtë letër që ime më nuk do ta lexojë asnjëherë.

Ose ndoshta po. Do ia jap erës që fryn dhe që ndoshta do ia shpjerë asaj. Do ua jap zemrave të ngjashme me timen.

“Kjo letër është për ty nënë. Unë e shkruaj prej gëzimit që po të dedikoj përsëri diçka, ashtu si atëherë kur isha fëmijë të kushtova një vizatim, një poezi. Një buzëqeshje. Sepse unë mendoj se nuk të kam thënë akoma gjithçka. Sepse unë mendoj se gjithçka nuk do të më mjaftojë një jetë, për të ta thënë.

Të shkruaj për të të thënë që “Të dua”, gjë që dikur nuk e thoja pak prej drojës, pak prej atij sikletit të çuditshëm që më kapte, por edhe ai plot me dashuri. Admirim. Respekt.

Të them përsëri “faleminderit”. Faleminderit për gjithçka ke bërë për mua, për gjithçka më ke mësuar, për gruan që jam bërë, për nënën që mund të jem. Faleminderit për dhuratën. Për dashurinë.

Po të shkruaj për të rifilluar dialogun që nuk u ndërpre kurrë. Ne flasim. Në mënyra të tjera. Përmes një kujtese, një mësimi tënd që unë e vë në praktikë. Këshillat që unë imagjinoj se do të më jepje nëse do të ishe ende këtu.

Asnjëherë nuk kam pushuar së kërkuari këshilla prej teje, duke imagjinuar të gjeja përgjigjet në ato pak shenja ditore që më sjellin ty në mendje.

E di mama, më ndodh të buzëqesh duke menduar për qortimin tënd kur sillem pak si e pandërgjegjshme, kur nuk vë kapelë leshi. Kur e lë supën të derdhet.

Më ndodh të qaj. Kur ndjej më fort nevojën për një përqafim të sigurt. Të sinqertë. Tëndin.

Më ndodh të reflektoj mbi ato grindje që kishim dhe që sot kur jam bërë nënë edhe unë, i kuptoj më mirë. Më fal mami. Që nuk të kuptoja.

Më ndodh të ndjej aromën tënde në ditët me shi dhe në ato lulet e verdha që aq shumë i doje…

Në biskotat që më përgatisje dhe që kurrë nuk i kam bërë dot aq të mira sa ti.

Po tund kokën duke buzëqeshur, apo jo mama?

Të shoh. Të shoh gjithmonë në shprehjet e tua më të bukura.

Kështu ndodh… më ndodh të të gjej në ato këngët e vjetra që këndoje teksa mbushje shtëpinë me praninë tënde, zërin tënd të hareshëm. Jetën tënde.

Në ata filmat e vjetër që i doje shumë dhe që sot i shoh ende, për t’u ndjerë më pranë teje.

Dhe më ndodh të të gjej gjithmonë mbrëmjeve. Kur të gjithë flejnë dhe është heshtje. Kur mendoj ditën që kam kaluar.

Kur shoh qiellin dhe kërkoj yjet. Kur të kërkoj mes yjeve.

Sepse që kur ke ikur, mami, nuk ka më net të ftohta dhe të errëta.

Sepse në qiellin tim ti je ylli më i bukur…

Vazhdo mama.

Sot ashtu si dje të ndriçosh rrugën time. Të bësh dritë në qiellin tim.

Vazhdo të më duash mami.

Ashtu si vetëm ti di të bësh”.

-Alice Iz

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat