Prindër, rritjuani mendjen fëmijëve sa më shumë!

Life style

Prindër, rritjuani mendjen fëmijëve sa më shumë!

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 23:11
Ilustrim

Të gjithëve, në ndonjë rrethanë e moment të caktuar na ka rastisur ta dëgjojmë shprehjen “aman, mos se i rritet mendja”, “mos ia rrit mendjen se pastaj ia sheh sherrin”, e të tjera të ngjashme. Domethënia pas kësaj shprehjeje është qëllim-mirë, sepse “mendjemadh”, “i rritur n’mendje” çdoherë është përdorur për një person që e mbivlerëson veten duke i nënvlerësuar të tjerët dhe sillet me krekosje e arrogancë me ata që e rrethojnë. Por, pediatrja e njohur Lira Gjika i ka dhënë një kontekst krejt të ndryshëm kësaj shprehjeje duke përçuar përmes saj një mesazh shumë domethënës për të gjithë prindërit. Lexojeni tekstin e saj të plotë më poshtë:

“Shprehja e tmerrshme, e cila më ka shoqëruar për gjatë gjithë adoleshencës sime ishte: “të mos më rritej mendja”. Nuk e kam kuptuar kurrë këtë “friken tonë kolektive” nga mendja e madhe dhe nuk do ta kuptojë asnjëherë pse ky mbiemër ka marrë ngarkesë negative në gjuhen tonë. Mendjemadh do të thotë mendje e madhe, pra një njeri i lexuar dhe i zhvilluar, mirëpo në traditën tonë mbiemri “mendjemadh” tregon një njeri të keq.

Kësaj katrahure gjuhësore i duhet prerë “ushqimi”, pra injorancës si në gjuhë dhe në edukim. Prindër mos kini frikë t’ua rrisni mendjen fëmijëve tuaj, djem apo vajza qofshin. Prindër, sidomos me vajzat jini të kujdesshëm, mos i lini ato të kenë frikë nga mendja e tyre, ta rrisin atë sa më shumë, nëpërmjet dijes dhe respektit për veten. Mësojuni rëndësinë e vetes atëherë kur mësohet, në fëmijëri, që të mos mbeten skllave të meshkujve edhe pse më të suksesshme si në shkollë edhe në punë edhe në jetë. Prindër mos i lini ato kukulla të vetes së tyre.”

Ndoshta do të kish qenë më mirë që shprehja “mendjemadh” të përdoret për dikë që ka një mendje të mbushur me dije, që ka horizonte të zgjeruara e që asnjëherë nuk ka rreshtur së kërkuari dituri për ta pasuruar e zbukuruar mendjen! E “mendjemadhit” që e kemi njohur deri tani më mirë do të ishte t’i themi “mendjevogël”!

Prandaj, prindër! Rritjuani sa të mundeni mendjen vajzave tuaja, djemve tuaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat